2017-11-21 13:33:00

Sekretaria e Shtetit të Vatikanit: lind Seksioni III për personelin diplomatik


Papa Françesku themelon Seksionin e Tretë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, duke i dhënë këtë emërtim: “Seksion për Personelin e Selisë së Shenjtë me rol diplomatik”. Kështu, përforcon zyrën aktuale të Delegatit për Përfaqësitë Papnore. Lajmi u dha sot përmes një komunikate të vetë Sekretarisë së Shtetit.

Seksioni, i cili do të varet nga Sekretari i Shtetit, do të kryesohet nga Delegati për Përfaqësitë Papnore, që aktualisht është imzot Jan Romeo Pawlowski. Do të dëshmojë kujdesin dhe afërsinë e Atit të Shenjtë dhe të eprorëve të Sekretarisë së Shtetit për personelin diplomatik, që do të vizitohet rregullisht nga Delegati.

Seksioni i Tretë do të merret edhe me përzgjedhjen, me formacionin fillestar e të vazhdueshëm, me kushtet e jetës e të shërbimit, me karrierën dhe me lejet e nevojshme për diplomatët e Selisë së Shenjtë. Do të ketë autonominë e vet, në bashkëpunim me Seksionin për Punët e Përgjithshme, i cili do të vazhdojë të merret me punët e përgjithshme të Përfaqësive Papnore, si edhe në lidhje të vazhdueshme me Seksionin për Marrëdhëniet me Shtetet, që do të vijojë të merret me aspektet politike të punës së Përfaqësive Papnore.

Prandaj, Delegati për Përfaqësitë Papnore do të marrë pjesë, së bashku me Zëvendësin për Punët e Përgjithshme dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, në mbledhjet javore të koordinimit, që kryesohen nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit. Gjithashtu, ai do të kryesojë mbledhje të veçanta në përgatitje të emërimeve të përfaqësuesve papnorë. Së fundi, së bashku me kryetarin e Akademisë Papnore Kishtare, do të jetë përgjegjës për zgjedhjen dhe formimin e kandidatëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.