2017-11-21 14:01:00

Papa në Shën Martë: kolonizimet ideologjike, blasfemi kundër Zotit


Kolonizimi kulturor dhe ideologjik nuk i duron dot larmitë. E do gjithçka njëlloj, gjë që e nxit të persekutojë edhe besimtarët. E nënvizoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, sot përqendruar krejtësisht mbi martirizimin e Eleazarit, sipas rrëfimit, shkëputur nga Libri i Makabejve (Mak 6,18-31).

Papa nënvizoi se ka tre tipe kryesore persekutimesh: njëri është vetëm fetar - një tjetër, politiko-fetar, për shembull - pohoi Françesku - “lufta 30 vjeçare”, ose “nata e Shën Bartolomeut”, e një i tretë, persekutim i tipit pastërtisht “kulturor”, kur arrin një kulturë e re, që dëshiron ta bëjë të re gjithçka e i fshin krejtësisht traditat, historinë e deri fenë e një populli. Një persekutim të tillë duhet të përballojë Eleazari. I dënuar me vdekje, për besnikëri ndaj Zotit,

Disa njerëz prej popullit, duke parë pushtetin e bukurinë mahnitëse të Antiokut Epifan, menduan të lidhnin besën me të, për t’u dukur modernë. E kështu morën nisiativën e shkuan te mbreti  që “ua dha menjëherë lejën të përhapnin institucionet pagane ndër kombe”. Jo idetë, a zotat, por institucionet - theksoi Françesku. - Në këtë mënyrë, ky popull, i rritur rreth Ligjit të Zotit, ia hapi rrugën kulturës së re, institucioneve të reja, që e fshinë gjithçka: “kulturë, fe, ligj”. Por “gjithçka e re fring”, “moderniteti” është kolonizim i vërtetë ideologjik - nënvizoi Papa - që synon t’ia imponojë popullit të Izraelit “këtë zakon unik”, mbi bazë të të cilit, gjithçka duhet bërë si thotë imponuesi e rrugë tjetër s’ka. Nuk ka liri për gjëra të tjera. Disa pranuan, sepse iu duk gjë e mirë të jesh si gjithë bota, e kështu hoqën dorë nga traditat  e populli nisi të jetonte ndryshe.

Por puna nuk shkoi aq fjollë: disa rezistuan e vijuan t’i ruajnë traditat e popullit. Kështu  bëri edhe Eleazari, burrë dinjitoz, shumë i respektuar, e Libri i Makabejve tregon pikërisht historinë e këtij martiri e të hebrenjve të tjerë, që nuk e pranuan as përfitimin e as përdhunën, për t’u dukur “modernë”. Persekutimi, i lindur nga kolonizimi ideologjik, shkon përpara gjithnjë kështu: rrënon, e bën gjithçka shesh e lëndinë, nuk i duron dot larmitë, ndryshimet”.

Fjala kyçe, që vuri në dukje Papa, duke u nisur nga leximi i djeshëm, është pikërisht “rrënjë e mbrapshtë”. E rrënja e mbrapshtë ishte Antioku Epifan: rrënjë e keqe, që depërton kudo, për ta detyruar popullin e Zotit t’i zëvendësojë traditat shumëshekullore, me doke e  zakone të reja, pagane.

“Kjo është udha e kolonizimeve kulturore, që nuk ngurrojnë t’i persekutojnë edhe besimtarët”. Por nuk duhet të shkojmë shumë larg, në vende a në kohë. Shembujt i kemi para syve: mjafton të mendojmë për genocidet e shekullit të kaluar, gjë kulturore, kjo, e re: “Të gjithë njëlloj, veç atyre që nuk kanë gjak të pastër. Ata, përjashta! Të gjithë njëlloj, këtu nuk ka vend për kë mendon ndryshe, nuk ka vend për ta e as për vetë Zotin. Kjo është rrënja e mbrapshtë. Përballë këtyre kolonizimeve kulturore, që lindin nga mbrapshtia e një rrënje ideologjike, Eleazari, ai vetë, bëhet rrënjë”.

Eleazari vdes duke menduar për të rinjtë, duke u lënë pas një shembull fisnik. “Jep jetën, për dashurinë e Zotit e për ligjin, që bëhet rrënjë e së ardhmes”. Prej këndej, kësaj rrënje të mbrapshtë, që prodhon kolonizim ideologjik e kulturor, i kundërvihet rrënja tjetër, që jep jetën për  një të    ardhmen të lulëzuar.

Ajo, që u arrit nga mbretëria e Antiokut, ishte risi, por nuk duhet menduar se risitë janë gjithnjë të këqija. Mjafton të mendojmë për Ungjllin, për Krishtin, që është risi  por - kujtoi Papa - duhet të dish të dallosh:

“Duhet shqyrtuar mirë e reja. Kjo risi është e Zotit, vjen nga Shpirti Shenjt, vjen nga rrënja e Zotit, apo nga ndonjë rrënjë e mbrapshtë? Më parë, po, ishte mëkat të vrisje fëmijë; nuk mund të vriteshin, por sot vriten, nuk  është ndonjë problem i madh, e kjo është risi e mbrapshtë. Dje ndryshimet ishin të qarta, si thotë Zoti: krijimi respektohej; po sot jemi bërë pakëz modernë… ti bën… ti kupton…nuk ndryshojnë shumë… e kështu pështjellohen keqas gjërat”.

Risia e Zotit, ndërkaq, nuk bën kurrë pazarllëqe, por rritet nën syrin e atij të Lumit e shikon drejt së ardhmes:

“Kolonizimet idelogjike e kulturore shikojnë vetëm të sotmen, mohojnë të kaluarën e nuk u bëhet fare vonë për të ardhmen, jetojnë në çast, jo në kohë, prej këndej nuk mund të premtojnë asgjë. E me këtë sjellje, për t’i bërë të gjithë njëlloj e për t’i shlyer ndryshimet, bëjmë mëkatin e shëmtuar të blasfemisë kundër Zotit krijues. Sa herë vjen një kolonizim kulturor e ideologjik, mëkatohet kundër Zotit krijues, sepse synimi është të ndryshohet Krijimi, ashtu si e bëri Ai”.  

E kundër këtij fakti që ndodhi shumë herë në histori, shpesh ka vetëm një ilaç: është dëshmia, domethënë, martirizimi.

Eleazari jep dëshminë e jetës, duke menduar se po lë trashëgim një shembull të shkëlqyer. “Unë jetoj kështu. Po, dialogoj me ata, që mendojnë ndryshe nga unë, por dëshmia ime  mbetet kështu, sipas ligjit të Zotit”. Eleazari nuk mendon të lërë para a pasuri tjetër. Mendon vetëm “për pasurinë e dëshmisë së tij, për atë dëshmi, që do të ishte për të rinjtë premtim pjellorie. Bëhet, kështu, rrënjë, për t’u dhënë jetë të tjerëve. E Papa përfundoi duke uruar që shembulli i tij “të na ndihmojë në çaste të mundshme konfuzioni, përballë kolonizimeve kulturore e shpirtërore, që mund të na propozohen, për t’u dukur “modernë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.