2017-11-21 13:14:00

Koncerti i Krishtlindjes në Vatikan për fëmijët e Kongos e të Argjentinës


Kthehet muzika në Vatikan, më 16 dhjetor, me Koncertin e Krishtlindjes, i cili ka mbërritur, tashmë, në edicionin e tij të 25-të. Artistë nga e gjithë bota –ndër të cilët Lola Ponce, Joaquìn Cortés, Patthy Smith – do të ngjiten në podiumin e Sallës Pali VI për të mbledhur fonde në favor të dy projekteve edukative për fëmijët e të rinjtë në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Argjentinë.

         Takimi është bërë tashmë i zakonshëm, por këtë vit u kushtohet veçanërisht të varfërve e paqes. Të dielën, Papa Françesku drekoi me të varfërit në Ditën e tyre të parë Botërore, ndërsa afrohet edhe Dita e 50-të Ndërkombëtare e Paqes, më 1 janar 2018. “Paqja mbi tokë dhe të varfërit – shpjegoi në konferencën e shtypit, sekretari i Kongregatës për Edukimin Katolik, imzot Vincenzo Zani. – Për këtë arsye vendosëm t’i japim patronazhin tonë ngjarjes, sepse paqja, mikpritja, vëllazërimi arrihen përmes edukimit dhe formimit, mjet zhvillimi për njeriun. Nuk është fjala për paqe me fjalë, por me gjeste konkrete”.

         Protagonistët e projekteve të sivjetme janë Fondacioni Papnor “Scholas Occurrentes”, që me fondet e mbledhura do të luftojë bullizmin dhe cyberbullizmin, si edhe Fondacioni Don Bosko në Botë, i impenjuar në lirimin e shumë fëmijëve kongolezë nga skllavëria e punës në miniera, ku nxjerrin minerale, që pasurojnë pjesën tjetër të botës.

         “Republika Demokratike e Kongos – shpjegoi për gazetarët kryetari i Fondacionit Don Bosko në Botë, don Tullio Orler – zotëron 80% të rezervave botërore të koltanit e janë pikërisht fëmijët, që i paguajnë pasojat e kësaj. 1 kg koltan u kushton jetën mesatarisht dy fëmijëve, të cilët vdesin për shkak të aksidenteve, ose shembjeve në miniera. Projekti ynë përfshin rreth 4 mijë vetë e synon të lirojë nga kjo punë e detyruar së paku 360 të rinj e fëmijë, duke i çuar në shkollë ose në kurse formative, që u garantojnë të ardhmen familjeve dhe krejt shoqërisë”.

         Edhe Fondacioni “Scholas Ocurrentes” e përdor edukimin si mjet për të luftuar degradimin dhe varfërinë. “Ne veprojmë zakonisht në tri fusha: sporti, arti dhe teknologjia”, shpjegoi kryetari i Fondacionit, José Marìa del Corral.Duam të realizojmë një plan për luftën kundër bullizmit dhe cyberbullizmit, një problem i jashtëzakonshëm për të rinjtë e gjithë botës. Parashikojmë themelimin e një Observatori botëror, prodhimin e materialit didaktik të parandalimit, përvijimin e një itinerari formativ me shkollat dhe promovimin e qëndrimeve pro-shoqërore përmes internetit e bashkësisë së tij”. Edhe Papa është i vetëdijshëm për këtë problem, prandaj në semestrin e parë të vitit 2018, në Vatikan, do të mbahet Takimi ndërkombëtar i të rinjve, viktima të bullizmit e të cyberbullizmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.