2017-11-21 14:40:00

Në Shën Pjetër, funerali i kard. Andrea Cordero Lanza di Montezemolo


Kardinali Andrea Cordero Lanza di Montezemolo ishte i bindur se “perëndimi i skenës së kësaj bote përkon me hyrjen në gëzimin e amshuar të Zotit”. Kështu tha sot, zv.dekani i Kolegjit kardinalor, kardinali Giovanni Battista Re, gjatë kremtimit të funeralit të prelatit në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Kardinali Cordero Lanza di Montezemolo vdiq të dielën, në moshën 92-vjeçare. Papa Françesku kryesoi ritin e “Ultima Commendatio” dhe të “Valedictio”. Dje, i dërgoi familjes një telegram ngushëllimi.

Nga familje e lashtë piemonteze

         Zv.dekani i Kolegjit kardinalor kujtoi se Montezemolo është mbiemri i një familjeje të lashtë piemonteze, brez pas brezi në shërbim të shtëpisë Savoia (mbretërit e fundit të Italisë):

         “Andrea di Montezemolo – nënvizoi ai – u lind në Torino, bir i kolonelit me medalje të artë, Giuseppe Cordero Lanza di Montezemolo, pushkatuar në Romë në Fosse Ardeatine, më 24 mars 1944, gjatë raprezaljes çnjerëzore naziste për atentatin e rrugës Rasella… Kardinali ishte vetëm 19 vjeç, kur kjo tragjedi i jashtëzakonshme goditi atë dhe familjen. Nëna e kardinalit, Amalia Dematteis, ka qenë dëgjuese laike gjatë Koncilit II të Vatikanit”.

Nunc apostolik në vende të ndryshme

         Kardinali Re u ndal më pas në jetën e mëtejshme të prelatit. Pas diplomimit në arkitekturë, Andrea di Montezemolo hyri në Kolegjin “Capranica” dhe në mars 1954 u shugurua meshtar. Ka qenë nunc apostolik në vende të ndryshme:

         “Gjatë viteve kur ndodhej në Tokën Shenjte si Legat apostolik për Jeruzalemin dhe Palestinën, imzot Andrea di Montezemolo ka qenë protagonist i negociatave, që mbajnë firmën e ‘Marrëveshjes së njohur themelore’ ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe autoriteteve izraelite, në të cilën njihej natyra unike e lidhjeve ndërmjet Kishës Katolike dhe popullit hebraik, duke hedhur bazat për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Izraelit. E kështu, u bë nunci i parë apostolik në Izrael”.

Kryeprift i Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve

         Kardinali Re veçoi edhe periudhën kur Andrea Cordero Lanza di Montezemolo u emërua kryeprift i Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve, në vitin 2005:

         “Në atë detyrë, ai punoi me përkushtim për mbarëvajtjen e Viti paolin, përuruar në qershor 2008”.

         Promovoi punën kërkimore-shkencore për sarkofagun, që tradicionalisht konsiderohej si i Shën Palit. Shqyrtimi i kujdesshëm konfirmoi se ishte fjala vërtet për varrin e Apostullit të Popujve.








All the contents on this site are copyrighted ©.