2017-11-20 13:52:00

Papa drekon me të varfërit: t’i urojmë gjithë të mirat njëri-tjetrit!


Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje, Papa shkoi në Sallën Pali VI për të marrë pjesë në drekën festive me 1.500 nevojtarë, të varfër, të pastrehë, të shoqëruar nga personeli i shoqatave të vullnetariatit nga mbarë bota. Njëkohësisht në Romë e në të gjitha dioqezat katolike të botës pati nisma të ngjashme me dreka shtruar në mensat, strehët, famullitë.

Menjëherë pas përshëndetjes së imzotit Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, Papa u drejtoi të pranishëmve një përshëndetje të shkurtër. E ata patën fatin ta nisin drekën me lutjen e bekimin papnor:

“Mirë se erdhët, të gjithë” - u tha Papa - të përgatitemi për këtë çast së bashku: secili nesh me zemrën plot me vullnet të mirë e me miqësi ndaj të tjerëve, ta thyejë bukën,  duke i uruar gjithë të mirat. E tani ta lusim Zotin ta bekojë këtë sofër, t’i bekojë ata, që e përgatiten, të na bekojë ne të gjithëve, t’i bekojë zemrat tona, familjet tona, dëshirat tona, jetën tonë e të na japë shëndet e forcë. Amen. Një bekim edhe për të gjithë ata, që janë në mensat e tjera të Romës, sepse Roma sot është kthyer në një mensë të madhe për nevojtarët. E edhe një duartrokitje për ta, prej këndej….!

Ç’lutje e bukur, kjo e Papës, para drekës, për t’u thënë me e pa raste, kur thyejmë bukën në sofrat tona, ku shtrohemi me familjet tona të krishtera a me miqtë tanë, të varfër a të kamur!








All the contents on this site are copyrighted ©.