2017-11-19 15:07:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: me besim e përgjegjësi, të mos i shpërdorojmë dhuratat e Zotit.


Frikë, a besim: cili është qëndrimi ynë i vërtetë para  Zotit e ideja jonë e vërtetë për Të?”. E shtjelloi rreth kësaj pyetjeje reflektimin Papa, në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, në të dielën e parafundit të vitit liturgjik, në të cilën Ungjilli sipas Mateut paraqet shëmbëlltyrën e talentave. 

Françesku iu drejtua besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë që ngjante më shumë si fillimin pranvere, sesa si mbarim vjeshte, duke i ftuar të meditojnë për mësimin, që marrim nga kjo shëmbëlltyrë e edhe për sjelljet e ndryshme të shërbëtorëve, të cilëve zotëria u la një, dy e pesë talenta, sipas aftësive të tyre. Të gjithë i shtinë në punë talentat e i shumuan, veç njërit, që e fshehu talentin e tij nga frika e zotërisë.

“Frika të shtang gjithnjë - vërejti Papa - e shpesh të bën edhe të zgjedhësh rrugë të gabuara. Frika të çkurajon, duke të penguar të marrësh inisiativa, të shtyn të gjesh strehë të sigurta e të garantuara, e kështu nuk arrin të realizosh asgjë të mirë. Për të shkuar përpara e për t’u rritur në udhën e jetës, nuk duhet pasur frikë, por besim”.

Prej këndej buron mësimi i parë, që nxjerrim nga shëmbëlltyra e Ungjillit: është e rëndësishme të kemi një ide të vërtetë për Zotin:

“Nuk duhet të mendojmë kurrë se ai është zotëri i keq, i egër, i rreptë, që s’sheston tjetër, veçse si të na dënojë. Nëse kemi në shpirt këtë figurë të gabuar të Zotit, atëhere jeta jonë nuk mund të jetë e frytshme, sepse do të jetojmë gjithnjë me frikë, e kjo nuk do të na çojë gjëkundi, madje, do të na paralizojë, do të na shtyjë drejt vetëshkatërrimit”.

Nga zbulesa e Besëlidhjes së Vjetër, deri tek Fjalët e Jezusit, Zoti ka treguar gjithnjë se është “atë plot me dashuri e dhembshuri, atë plot me mirësi; prej këndej, mund e duhet të kemi besim të pafundmë në Të”.

“Jezusi na e tregon bujarinë dhe kujdesin e Tij me një mori mënyrash: me fjalën e Tij, me gjestet, me mikpritjen e të gjithëve, posaçërisht të mëkatarëve, të vegjëlve e të varfërve - siç na e kujton Dita e tyre e parë Botërore - por edhe me qortimet e Tij, të cilat tregojnë qartë sa interesohet që ne të mos e shkapërderdhim më kot jetën tonë.

Kjo - vërejti Papa – është shenja e nderimit të madh që ka për ne, e kjo vetëdije na ndihmon të jemi njerëz plot përgjegjësi për çdo veprim tonin.

“Prandaj, shëmbëlltyura e talentave na bën thirrje për përgjegjësi personale e për besnikëri, që shndërrohet në aftësi për t’u vënë gjithnjë për udhë në kërkim shtigjesh të reja, pa e ‘varrosur’ talentin, domethënë, dhuratat, që Zoti na i besoi e për të cilat do të na kërkojë llogari një ditë” .

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua përsëri tek Dita e sotme e të Varfërve, duke uruar të jenë gjithnjë, e jo vetëm në çaste si ky, në qendër të bashkësisë, sepse, shtoi, ata janë në zemrën e Ungjillit, në ta takojmë Jezusin, që na flet e na kërkon, përmes vuajtjeve e nevojave të tyre.

Në shërbimin ndaj të varfërve, së fundi, Papa paraqiti si model fratin kapuçin Francesco Solano, shpallur i Lum dje, në Detroit, të SHBA-ve. “Dëshmia e tij - uroi Ati i Shenjtë - i ndihmoftë priftërinjtë, rregulltarët e laikët ta jetojnë plot gëzim lidhjen ndërmjet kumtimit të Ungjillit dhe dashurisë ndaj të varfërve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.