2017-11-19 09:30:00

Papa mbi fundin e jetës: Universiteti Katolik, tani ka më shumë qartësi


“Nuk ka ndryshime apo risi në krahasim me magjisterin e Kishës: ka një vazhdimësi të përsosur, duke filluar nga Papa Piu XII, ku vihet në dukje koncepti se askush nuk mund të detyrohet ta zgjasë dhimbshëm jetën”. Pohimin e bëri të enjten drejtori i Institutit Bioetik në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Romë, Antonio Gioacchino Spagnolo, duke komentuar mesazhin e Papës Françesku për Takimin Rajonal Evropian të Shoqatës Botërore të Mjekësisë, që u mor me çështjen e fundit të jetës. Mesazhi pati jehonë të madhe dhe u diskutua shumë.

“Letra e Papës – nënvizoi Spagnolo – është sqarim për dyshimet e ndryshme, që mund të lindin shpesh mbi mjekimin e të sëmurëve, i cili ka kuptim nëse është i proporcionuar. Pra, ligjërohet pezullimi i një ndërhyrjeje mjekësore, që nuk mund të synojë më shërimin e të sëmurëve”.

“Dëshira e drejtë e pacientit dhe mundësia e tij për ta përballuar ekonomikisht ndërhyrjen shëndetësore – shtoi drejtori i Institutit Bioetik – duhet të mbahen parasysh nga mjeku: e mira e pacientit është edhe ta pyesësh ç’mendon ai se mund të jetë mirë për të, prandaj, krijohet një aleancë me mjekun, e cila duhet të ndalet aty ku shihet se jeta e pacientit zgjatet pa pasur si qëllim mirëqënien dhe shëndetin e tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.