2017-11-18 16:07:00

Papa: jo gjithçka e mundur teknikisht, është edhe etikisht e pranueshme


Çështja antropologjike ishte në qendër të Asamblesë Plenare të Këshillit Papnor të Kulturës, me qëllimin që të kuptohen udhët e ardhshme të zhvillimit të shkencës e të teknikës. Pjesëmarrësit u pritën sot paradite tek Papa Françesku, në Vatikan.

Ndërmjet argumenteve në diskutim, mjekësia dhe gjenetika, neuroshkencat e, në fund, përparimet e pabesueshme të makinave autonome. Temat, që sqaroi Papa në krye të fjalës së tij,  jo vetëm që i shtyjnë disa të mendojnë se jemi gati-gati në fillim të një epoke të re e edhe në lindje të një qeniejeje të re njerëzore, më të lartë se kjo që njohim deri më sot, por edhe i nxisin të bëjnë pyetje “të mëdha e të rënda”.

Duke iu rikthyer çështjes, që ka të bëjë me njeriun, shprehur në Psalmin 8 me pyetjen: “Çka është vallë, njeriu, që Ti ta kesh kujdes?”, Papa kujtoi edhe përgjigjen antropologjike, që përvijohet qysh në Librin e Zanafillës e që përshkon gjithë Zbulesën, duke u shtjelluar rreth elementeve themelore të marrëdhënies e të lirisë.

Marrëdhënia - vijoi Papa - degëzohet sipas një përmase të trifishtë: drejt materies: tokës e frymorëve; drejt transhendencës hyjnore e drejt qenieve të tjera njerëzore. Liria shprehet në autonominë - natyrisht relative - e në zgjedhjen e rrugëdaljeve morale.

Françesku shtoi edhe: “Ky sistem themelor ka mbajtur në këmbë për shekuj mendimin e pjesës më të madhe të  njerëzimit, duke e ruajtur vlerën edhe për sot. Por njëkohësisht - nënvizoi - sot vërejmë se parimet e mëdha dhe konceptet themelore të antropologjisë, vihen shpesh në dyshim edhe mbi bazën e vetëdijes së kompleksitetit të jetës njerëzore dhe kërkojnë thellim të mëtejshëm”.

Duke e shikuar antropologjinë  si “horizont i ndryshueshëm, falë kushteve shoqëroro-ekonomike, zhvendosjes së popullsive e ndeshjeve relative ndërkulturore, por edhe përhapjes së kulturës globale e, posaçërisht,  zbulimeve të pabesueshme të shkencës e teknikës, Ati i Shenjtë përvijoi disa pika themelore, për t’iu përgjigjur sfidave të kohëve tona. Duke u nisur, para së gjithash, nga vlerësimi i shkencave, që e ka bazën e fundit në planin e Zotit, i cili “na zgjodhi që para krijimit të botës […] duke na paracaktuar të jemi bijtë e Tij në shpirt (Ef 1,3-5) e na e besoi kujdesin e gjithësisë, për ta kultivuar e për ta ruajtur tokën (krh Zan 2,15). Pikërisht sepse njeriu - vijoi - është shëmbëllim i vetë Zotit, i cili e krijoi botën për dashuri, kujdesi për mbarë krijimin duhet të ndjekë logjikën e dhurimit falas, të dashurisë, të shërbimit, e jo të sundimit e të prepotencës.

Papa kujtoi se “është themelore të shfrytëzohen thesaret e ruajtura nga traditat fetare, nga urtia popullore, letërsia dhe artet, që prekin në thellësi misterin e jetës njerëzore, pa harruar, madje duke i rizbuluar, thesaret që përmbajnë filozofia dhe teologjia”.

Por, për të shmangur “ndarjen tragjike” ndërmjet kulturës humanistike -letrare–teologjike e asaj shkencore e për të inkurajuar një dialog më të madh edhe ndërmjet Kishës, bashkësisë së besimtarëve dhe bashkësisë shkencore, Papa kujtoi enciklikën e tij “Lëvduar qofsh” duke  nënvizuazr se “ndjehet nevoja e domosdoshme e humanizmit”.

Kjo - shtoi - na kujton edhe dy parime të mëdha, që Kisha i ofron për realizimin e këtij dialogu: qendërsinë e njeriut dhe destinacionin universal të pasurive. “Progresi shkencor e teknologjik - vijoi të shpjegojë akoma - i shërben së mirës së njerëzimit e përfitimet e tij nuk mund të shkojnë vetëm në dobi të pak njerëzve. Kështu do të shmangej rreziku që, në të ardhmen,  shtohen pabarazitë e bazuara mbi dijen e të thellohet më tej hendeku ndërmjet të varfërve të pasurve.

Parim tjetër, me vlerë të përhershme - përfundoi Françesku - është se “jo gjithçka e mundshme, teknikisht ose me rrugë të tjera, është edhe etikisht e pranueshme”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.