2017-11-18 00:00:00

Një përkthim i ri i "Komedisë Hyjnore”, nga Meritan Spahija


Kur, me rastin e 750-vjetorit të lindjes së Dante Aligherit, në Tiranë hapej një ekspozitë me përkthimet shqip të “Komedisë”, në një cep binte në sy  emni pak i njohun në lamën e përkthimeve të kësaj natyre: “Meritan Spahija”. Lexohej mbi një bocet të përkthimit që - në pritje të botimit  të ardhshëm të kryeveprës, shqipërue përsëri në dialektin gegë - mbyllte radhën, jo aq të gjatë, të përkthimeve danteske në gjuhën shqipe. Lista niste me arbëreshin Luigi Lorecchio, që ia mësoi i pari shqipen arbërisht Dantes, për t’i ba vend, mandej, me ndihmën e De Radës, në “Antologia albanese”, drejtue nga Poeti i Milosaos. Ekspozita, njëherësh me 750-vjetorin e lindjes së Dantes, përkujtonte edhe 120-vjetorin e fillimit të përkthimeve shqip të Krijuesit të Komedisë. E edhe shkrimtarët e studiuesit, që u morën me Poetin “par excellence", me të cilin gjuha e popullit italian hynte madhnisht në një vepër, që do të radhitej në krye të listës së kryeveprave ma të famshme të letërsisë botnore, jo vetëm për atë kohë, por për të gjitha kohët. Nëse Danten morën guximin ta përkthenin, pjesërisht a tanësisht, vetëm pak shqiptarë, tue nisë nga Luigi Lorecchio (arbërisht) për të vijue me Ernest Koliqin, Martin Camajn, Mark Ndojën, Nikollë Dakën, Pashko Gjeçin e Meritan Spahinë (përkthime të pjesshme e të plota, gegnisht) dhe Çezar Kurtin (Ferri, përkthim në gjuhën zyrtare) nuk janë edhe aq të pakët ata, të cilët shkruen për të: që nga De Rada, tek Naim Frashëri; nga Luigj Gurakuqi, tek Ismail Kadare...2

Kujtojmë se përkthyesit ma të njohun të “Komedisë” në anglisht, janë Laurence Binyon Henry; poeti i famshëm amerikan, Henry Wadsworth Longfellow dhe Henry Francis Cary. Në frëngjisht po kujtojmë  përkthimin ma modern, atë të Danièle Roberts, shtypë me shije, me tekstin origjinal përkrah, me parathanie e aparat kritik, nga editori francez Acres Sud. E sa për gjermanët, e kanë përkthye “Komedinë” ma se njëqind e gjashtëdhetë herë. Pa kujtue këtu përkthimet në gjuhë të tjera të botës. Kjo na shtyn të mendojmë se mund të ketë edhe shumë e shumë përkthime të tjera në shqip, nga breznia e re e kulturueme, e pajisun me njohunitë që paten pararendësit, të cilët qenë njohës shumë të mirë të gjuhëve dhe letërsive klasike. Zotnonin me rrajë greqishten e lashtë, latinishten e, doemos, italishten. Jo vetëm modernen, por kryesisht, atë që delte nga goja e popullit Italian, nësa Mesjeta i lëshonte vendin Rilindjes. Prej këndej, nuk asht e lehtë as ta lexosh Danten, lê ma ta përkthesh. Atyne, që kohët  fundit kanë pohue se nuk e kuptojnë përkthimin gegnisht të Pashko Gjeçit e se e kanë shijue Komedinë vetëm tue e lexue në origjinal, u kujtojmë se as italianët e mësuem nuk e kanë të lehtë ta shijojnë, sepse detyrohen ta ndërpresin vazhdimisht leximin, si do ta ndërprisni edhe ju, lexues, për t’u këshillue tash e parë me shpjegimet nën vizë, pa të cilat vështirë se ‘mund të zbrisni në fund të Ferrit’, për të kalue, ‘nëpër Purgator’ e për t’u ngjitë mandej,’në Parriz’. Shënime që, në përkthimin e Meritan Spahisë realizohen me kujdesin e studiuesit serioz, shoqnohen me aparat kritik e, për herë të parë, edhe me fjalorin e fjalëve dhe të shprehjeve të rralla, tue krijue kështu, mundësi të reja për kuptimin e për shijimin e “Komedisë”.    

E ndërsa ne merremi me këto shënime të thjeshta, përkthyesi i ri po i afrohet “fundit të Ferrit”, tue mendue, shpresojmë, me shkelë, në vijim, në viset e mrazta ‘të Purgatorit’, për të marrë mandej hovin kah ‘Parrizi’, ngjitje edhe ma e vështirë se zbritja. 

Lexuesi i mësuem me vepra të kësaj natyre, do të ketë mundësi të japë mendimin e tij për një punë kaq të meritueshme, të Meritanit.

I lindun në Shkodër, më 1967, shkrimtari dhe përkthyesi i ardhshëm u ul së pari në bankat e  Liceut artistik “Prenkë Jakova”, në Shkodër, ku vijoi mësimet në degën e skulpturës, për t’u diplomue në Universitetin Luigj Gurakuqi, përsëri në Shkodër, në degën e gjuhë-letërsisë. Shërbeu, në vitet 1990-91 si mësues i gjuhë-letërsisë në fshatin Tamarë, Malësi e Madhe, Shkodër - mandej, në Universitetin prej nga kishte dalë, pranë Departamentit të Gjeografisë. Më 2014 mbrojti masterin shkencor në Studime të thelluara në gjuhësi, gjithnjë pranë Universitetit Luigj Gurakuqi. Flet e shkruen italisht, frëngjisht e anglisht. Doemos, ma mire se të gjitha, shqip, në të dy dialektet.

Para se të niste “zbritjen në Ferr”, u ba i njohun me tregimet “Luleshtrydhet”(2002); “Vegimet e një dite me shi” (Roman, 2004), “Alegoria e një historie të vërtetë”(roman, 2007); “Vegimet e fundit” (Tregime, 2010).

Njihet edhe për përkthimin e disa pjesëve të cenzurueme të romanit “Të Mjerët”, të Viktor Hygo, botue në revistën “Orana”.

Së shpejti do të mund të shfletojmë “Ferri-n”, por edhe përmbledhjen me tregime “Monolog me vetveten” dhe rrëfimin “Enea iku i fundit”.  Po botojmë, për herë të parë, në faqen tonë të internetit Kangën I të Ferrit, që përkthyesi pati mirësinë të na  e besojë, në pritje të botimit të plotë. 

Dante: “Komedia Hyjnore”

Kanga I

Në Kangën I të Kantikut Ferri poeti tregon se ka lanë rrugën e drejtë e ka mbetë në një pyll të dendun, në kufi të të cilit asht një kodër me shpate të buta. Në buzë të këtij pylli pengohet nga tri bisha. Pikërisht aty takon Virgjilin, i cili i ofrohet si udhërrëfyes në një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm.

Koha: e ejte, 7 prill 1300, mbramje.

Vendi: Pylli i dendun e i errët.

Personazhet: Dante, Virgjili.

           Në kulmin e udhtisë së kësaj jetë

           u gjenda mes një pylli zhytë n'errsí

    3      se lanë e kisha unë rrugën e drejtë.                                      [1]

          

           Ah, t'thuesh si ishte, sa kam vështirsí,

           ky pyll i egër, thuk, pa fund e cak,

    6      sa, kur kujtohem, frikën ma përtri.                                      [2]

 

           I hidhët ish, sa vdekja mâ veç pak;

           por, t'mirës që kam gjetë me i ba lavdim,

    9      me rend rrëfej të gjithë ç'kam ndeshë përqark.                    [3]

 

           Nuk di të them si mbeta n'tij kurthim,

           kaq fort mbërthye m'kish gjumi, der n'atë pikë,                   

  12      sa rrugën e vërtetë e lashë n'harrim.                                    [4]

          

           Mandej, sa mora prej aty me ikë,

           drejt kodrës, ku mbaronte ajo luginë,

  15      që zemrën m'kish bâ varrë e mbushë me frikë,                   [5]

 

           i ngrita sytë e i pashë ato pjerrinë

           prej dritës së Planetit krejt stolisë,

  18      që n'shteg të duhun gjithë njerzisë u prin.                            [6]

 

           E veç at'herë pak frika m'ka braktisë,

           që thellë në lug të zemrës m'kishte zgjatë

  21      gjithë natës, që kalova lemerisë.                                          [7]

                  

           Si ai që lodhjes s'tepërt frymë dihatë,

           me t'dalë prej detit, vrapin pa pushue,

  24      kthen kryet me pa, rrezikun si tuj matë,

 

           ashtu dhe shpirti im, që s'kish t'ndalue,

            mbas kthehej, si me sy tuj matë atë shteg,

  27      që gjallë njeri andej s'la me kalue.                                       [8]

 

           Si pak e çlodha trupin në atë breg,

           rimora udhën për zallishte t'shkretë:

  30      përherë ma poshtë ish kamba që n'troll prek.                      [9]

 

           Por, sa gatitë kam qenë me u ngjitë përpjetë,

           një lonzë e shkathët fort dhe e shpejtë hatá,

  33      që me gëzof të larmë mbulue qe krejt,                               [10]

          

           e që prej meje heqë dy sytë s'i ka,

           aq shumë m'u gjet pengesë kjo bishë mizore,

  36      sa kryet mbas ktheja, tjetër shteg me pa.                            [11]

 

           Qe heret, agu doli në bregore,

           dhe dielli sa po ngrihej n'atë yjsí,

  39      që ish me të kur kjo dashni hyjnore                                   [12]

 

           n'lëvizje s'parit vu kto bukurí;

           prandaj m'dhanë zemër sa me gjetë trimninë

  42      t'përballem me atë bishë gëzoflarmí,                                  [13]

 

           i hershmi ag dhe fort e ambla stinë;

           por, sa fillue kish frika të m'largohej,

  45      një si luan kam pa, sa m'shtiu harminë.                              [14]

 

           E kishte gjasen se nga unë drejtohej,

           me krye përpjetë gjâmonte ûje tharë,

  48      aq sa dhe ajri dukej se dridhohej.                                       [15]

 

           Mandej nj' ulkojë, që prej lakmish gjithfarë

           ngjasonte e ngarkue n'thatsinë e saj

  51      e që shumë njerëz shtyu n'mjerí t'paparë,                           [16]

 

           në pikë të zorit m'qiti e në váj,

           me tmerr që kallej prej turijsh t'gjakumë,

  54      sa humba shpresën për me u ngjitë në majë.                      [17]

 

           Si ai që pasunisë i gzohet shumë,

           por kur vjen vakti t'gjithë me e humbun sak,

  57      s'i mbetet tjetër, veç n'trishti lëshumë,                                [18]

 

           të tillë m'ka ba me u ndie kjo bishë lye n'gjak

           që, tu' u afrue ngadalë, më kallte frikë,

  60      më shtynte mbas, ku diell nuk kish aspak.                         [19]

 

           Ndërsa rrëshkisja poshtë e qeshë tuj ikë,

           m'u ba se shihja para një aq t'zbehtë,

  63      sa heshtjes s'gjatë a thue se ishte fikë.                                [20]

          

             Mejherë sa e pashë në atë zallishte t'shkretë,

           «Ki mshirë për mue», - kam thirrë, tuj e përbé, -

  66      «në qofsh ti shpirt a njéri i vërtetë!»                                    [21]

 

           M'u gjegj: «Nuk jam njeri, njeri kam lé,

           e prindëve të mi lombardë u thonë,

  69      Mantovën patën që të dy atdhé.                                         [22]

 

           Nën Julin kam pas lindë, edhe se vonë,

           në Romë, në kohë t'Augustit kam jetue,

  72      kur n'zota t'rremë ish vû besimi jonë.                                 [23]

 

           Poet kam qenë dhe atij i kam këndue,

           t'Ankizit bir, ardhë Troje e t'gjatë lundrimi,

  75      si Ilioni madhështor qe krejt shkrumbue.                           [24]

 

           Po ti, përse po kthen n'këtë vend trishtimi?

           Përse s'i ngjitesh t'naltit rrugëtim,

  78      që asht arsye për çfarëdolloj gëzimi?»                               [25]

 

           «A thue je ti Virgjili, ai burim,

           që fjalët të vërshojnë si lum n'pranverë?»

  81      - i thashë e kryet kam ulë me përnderim.                           [26]

          

           «O ti, i mbarë poetve dritë dhe nder,

           dobi po m'sjell dëshira e pamatë,

  84      për me studiue gjithë veprën tande t'vlerë.                         [27]

 

           Je mjeshtri, shembull n'timen jetë përgjatë,

           ti je i vetmi t'cilit e kam nxanë

  87      të bukrin stil, që m'solli aq lëvdatë.                                    [28]

 

           Shih bishën, që nuk m'len të dal matanë;

           m'shpëto prej saj, o dijetar me zâ,

  90      se gjakun m'ngriu dhe dridhë m'ka mishin t'tanë».             [29]

 

           «Për shtat të shkon një tjetër rrugë me bâ»,

           - m'u gjegj si m'pa tuj qa e krejt përlotë, -

  93      «nëse n'këtë vend nuk don me ndej ti mâ:                         [30]

 

           sepse kjo bishë, për çka ke thirrë frikplotë

           nuk len t'kalojë atë shteg kurrnjë të ngratë:

  96      e shqyen dhe t'i shpëtojë kush asht e kotë;                         [31]

 

           mbrapshtia e saj nuk ka se si me u matë,

           as epshi lakmitar nuk i kolmohet,

  99      ma ûnshëm asht kur han sesa barkthatë.                            [32]

           

           Të shumta janë gjallesat, n'çka çiftohet,

           e mâ të shumtë do jenë, porse për mnerë

102     do e mbysë Langoi kur koha t'plotësohet.                          [33]

 

           As tokë, as kamje Atë s'do e thyejnë një herë,

           do jetë plot dije, dashuni e virtyt,

105     e foshnje mbshtjellë do e kenë n'pëlhurë pa vlerë.             [34]

 

           Shpëtue do ketë Itálen, n'vuejtje zhytë,

           për t'cilën vdiq Kamila virgjëneshë,

108     Euriáli, Turni e Nizi n'gjak përmbytë.                                [35]

 

           Do ta përzajë atë bishë nga çdo qytezë,

           dersa në fund të Ferrit do e dërgojë,

111     bash ku lakmia e parë ka pasë fillesë.                                [36]

          

           Prandaj, për t'mirën tande t'këshilloj,

           t'më ndjekësh e do jem i joti prijs,

114     në vendin e përjetshëm do të t'çoj;                                     [37]

 

           do ndjesh shumë virrje dëshpërue vujtnisë,

           do shohësh shpirtna t'lashtë e të munduem,

117     që vdekje t'dytë thërrasin terratisë;                                     [38]

 

           e ke me pa ata që, n'zjarr t'përvluem,

           të knaqun janë, se shpresën t'shkojnë e kanë,

120     kur koha t'vijë, me t'tjerët e bekuem.                                 [39]

 

           Mes tyne, n'daç t'përpjetën ti me e zanë,

           një shpirt ma i dejë se unë tash të drejton:

123     si t'jem largue, me të kam me të lanë;                                 [40]

 

           se Perandori që atje mbretnon,

           me ligj të t'cilit qeshë në kundërshtí,

126     aty t'përcillesh meje s'dëshiron.                                          [41]

 

           Kudo sundon, por ktu ka qeverí,

           ktu ka Qytet dhe Fron të Naltësue:

129     o, i lumi ai që zgjidhet pranë t'i rrí».                                   [42]

 

           Dhe unë: «Poet, të jam i përgjërue,

           e pashë atë Zot, ku s'pate ti besim,

132     ksaj t'keqe e mâ, m'ndihmo me iu largue,                          [43]

 

           m'dërgo ku the se don me m'ba drejtim,

           që t'mund të shoh unë Portën e Shën Pjetrit

135     e ata që zhytun janë në kaq mundim».

 

           E, si lëvizi, mbrapa i shkova mjeshtrit.                               [44] 

____________________

[1]     Në kulmin e udhtisë së kësaj jetë... - "Kështu fillon, siç e dinë të gjithë, libri ma i madh i shkruem nga një i krishtenë. Në këtë libër flitet për rrugëtinë në tri mbretnitë e vdekjes, përmbushun, falë një hiri të veçantë hyjnor, nga vetë poeti, Dante Aligieri, 'fiorentin nga lindja, por jo nga sjellja', [siç thotë ai për vetveten]. Ky pelegrinazh, alegorikisht tue folë, ka vlerën e një sprove të fortë morale, me qëllim njohës, për cilindo që don me u çlirue nga gjendja e fajit dhe e dëshpërimit, nën peshën e të cilit ndodhet, në mënyrë që të fitojë paqe në këtë copë të shkurtë jete e, në të përjetshmen, lumtuninë marramendëse të pranisë së Perëndisë. Por gjithashtu, ma përgjithësisht, nënkupton itinerarin e gjithë Krishtenimit drejt çlirimit të përbashkët përmes drejtësisë.

      Një pyetje e thjeshtë dhe elementare, sa për kuriozitet: Dante, këtë udhëtim në jetën e përtejvorrit, a beson se e ka ba vërtetë, apo asht pikërisht kjo çfarë ai synon që ne të besojmë?! Kjo pyetje nuk ka përgjigje të thjeshta. Mbi këtë libër, janë shkrue qindra e mijra të tjerë. Aty ka pasazhe, vargje, mbiemna, përemna, që për secilin sish na janë ofrue, në vazhdën e thuejse shtatë shekujve, një shumësi interpretimesh shpeshherë të papajtueshme. Libri në tanësinë e tij asht lexue dhe katalogue si një vizion në ekstazë, si një roman teologjik i një të krishteni, si një epope alegoriko-didaktike, si një përmbledhje njohunish okulte, si një pamflet i koduem i një templari, e tjera, e tjera, por patjetër paditë edhe si herezi, apo shpallë si Shkrim i Shejtë. Prandaj asht legjitim dyshimi se mosvallë, gjithë këto interpretime apo përcaktime, të kenë vendosë mbi 'Komedinë Hyjnore' shtresa a kuptime dytësore, tretësore a ma shumë, të cilat vetë Dante as i ka pasë në mend, sepse s'i ka njohë, a sepse s'mund t'i kuptonte mbase. Por gjithashtu, asht e sigurtë që shumë kuptime, të cilat poeti ka dashtë me na transmetue përmes vargjeve të kësaj poeme, i kemi humbë përgjithmonë. Nga ana tjetër, pretendimi për ta lexue këtë libër siç lexohet një antologji emocionesh lirike, për ta lexue, të themi, ashtu, me zemër, ndoshta asht një pretendim jo realist: edhe zemra, faktikisht, ka huqet e veta e vende ku nuk asht e mundun me hy kollaj. Por, gjithsesi, le të ngushëllohememi, me njëfarë krenarie legjitime, se një italian i ka shkrue për ne italianët këto vargje të pashoqe, një njeri për ne njerëzit, meqenëse, i çmendun siç ishte, besonte në Perëndinë dhe shpresonte tek njerëzit" (V.Sermonti, f.15).

      Kanga e parë e këtij kantiku u mendue nga poeti si prolog i gjithë veprës. Ngjarja (në këtë kangë) zhvillohet mbi tokë, në një vend të papërcaktuem dhe ende jo në mbretninë e të vdekunve. Veç në fundin e saj, Dante, tue i shkue mbrapa Virgjilit, ban hapin e parë me hy në botën e përtejme. Në këtë hymje prej 136 vargjesh, autori na zbulon personazhet kryesore të Komedisë, që janë: së pari, Perëndia (v.127-129), si ai që, jo vetëm sundon e mbretnon në të gjithë Universin, por vendos drejtësi edhe në vetë Ferrin; së dyti, Virgjili, udhërrëfyesi në dy mbretnitë e para të vdekjes, Ferrin e Purgatorin; së treti, Beatriçe, si shpirt ma i denjë, që do të jetë udhërrëfyese në Parajsë; së fundmi, Dante, udhëtari që ka lanë rrugën e drejtë e që përpiqet t'i kthehet asaj përmes këtij udhëtimi fantastik.

      Përsa i përket kohës, udhëtimi përkon me vitin 1300, që ishte shpallë vit jubilar nga Papa Bonifaci VIII, me rastin e Pashkëve, Javën e Madhe, nga nata e së enjtes së 7 prillit, deri të mërkurën, më 13. Në këtë vit Dante mbushte 35 vjeç, moshë e cila për të përbante, jo vetëm mesin e jetës njerëzore, por edhe kulmin e fuqisë dhe pjekunisë, çka edhe asht theksue në vargun e parë. "Për sa i përket vendit, bahet fjalë për një vis të papërcaktuem gjeografikisht, por gjithsesi diku pranë malit të Sionit, në Jeruzalem. Nga pikëpamja alegorike, e dimë se ky pyll i egër, thuk, pa fund e cak, i tillë sa asht e vështirë të rrëfehet, sepse veç kujtimi për të, e mbush me frikë e trishti, përfaqëson një periudhë të turbullt e të palumtun të jetës së autorit e, gjithashtu, periudhën e përmbysjes së rendit institucional e të degradimit moral në Firence, Itali dhe botën e krishtenë" (V.Sermonti, f.18).

      së kësaj jetë - Dante, nuk po flet për mesin e jetës së tij, thjeshtë sepse ai s'e di se sa do të jetojë, por e ka fjalën për mesin e jetës njerëzore, moshën rreth 35 vjeçare. Për të caktue (por jo në mënyrë absolute) kufijtë e jetës së njeriut, ai duket se mbështetet në Psalmin 90 /89 (v.10), ku thuhet: "Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë". Gjithashtu, mënyra se si shprehet Dante për nisjen e këtij udhëtimi në botën e të vdekunve, pra në kulmin e jetës njerëzore, gjen paralelizëm interesant tek Isaia 38:10, ku thuhet: "Në kulmin e ditëve të mia do të shkoj në portat e Sheolit [mbretnia e vdekjes për hebrejtë]". Kështu, Dante, në mesin e jetës njerëzore dhe në kulmin e pjekunisë së tij si njeri, si poet e si qytetar me kontribute në Firence, i hyn një udhëtimi i cili, sikur ky të mos ishte pikërisht në këtë kulm, do të ishte i parealizueshëm... (gjithashtu shih shënimin tek K.XV, v.51).

      pyll - Përveç kuptimit të parë, pra që Dante asht gjendë në një pyll, ka patjetër edhe një kuptim alegorik. Të gjithë komentuesit janë në një mendje se, tue u nisë nga vargu 5, poeti e ka fjalën për një jetë në mungesë të cilësive shpirtnore, reduktue në atë materiale e fizike, nga e cila, pa një referim në pjekuninë që sjell përvoja, virtyti e morali, asht shumë e thjeshtë me mbetë kurthuem në një rreth vicioz, nga ku s'ke mundësi të dalësh. Gjithashtu, mendojmë se Dante zgjedh me u endë në një pyll të egër, ashtu siç kanë ba në veprat e tyne poetët e tjerë klasikë e të kohës. Si shembull mund të sjellim Virgjilin i cili, në Eneida, rrethon Avernon (mbretnia e vdekjes për latinët) me një pyll të dendun e të pakalueshëm; si dhe Brunet Latinin (përmendë në Kangën XV), që në Tesoretto na tregon se ka humbë rrugën në një pyll të dendun, ndërsa kthehej nga Spanja.

      mes një pylli zhytë n'errsí - Pylli, që alegorikisht përfaqëson mjedisin e njeriut në mëkat, asht i errët, sepse së pari asht pa dritën e arsyes, terrue nga paditunia e verbët dhe, së dyti, ngaqë mëkati, për të përmbushë veprat e veta, vepron fshehtas (në terr).

      Koha në të cilën shkruen Dante, asht e karakterizueme fort nga ndikimi i katolicizmit në të gjitha fushat e jetës, prandaj, që të kuptojmë se ç'thotë poeti, duhet të shpjegojmë së pari se ç'mendon ai. Ndaj na duket me vend t'i trajtojmë këto aspekte të karakterit fetar, teologjik a biblik, simbas rastit.

      se lanë e kisha unë rrugën e drejtë - Bahet fjalë për rrugën kryesore, që të çon në cak. Por, në kuptimin alegorik, Dante rrëfen se ka lanë rrugën e drejtë e pa mëkat, gja për të cilën do të qortohet edhe nga Beatriçe në Purgatori XXX (v.121). Në origjinal: la diritta via era smarrita. Komentuesit e vjetër sugjerojnë se fjala smarrita duhet kuptue lanë e jo humbë: “Jo e humbun asht [rruga], sepse për kë ka ra në vese e kthen në virtyt, kjo do të thotë se ai e ka ditë, por qëllimshëm lanë e ka atë” (Landini). "Kjo rrugë... nuk humbet... sepse ai që don, prap mund ta rimarrë, ndërsa asht ende në këtë jetë" (Bokaço). Që të kuptojmë se çfarë thotë poeti, asht e nevojshme të dimë nga vjen e ç'do të thotë kjo fjalë. Fjalori etimologjik (etimo.it) shpjegon se asht pjesore e smarrire (part.pass. smarrito) e vjen nga latinishtja marrire (s - pjesëz përforcuese) që, ndër të tjera, do të thotë: me humbë rrugën, rrobën, ndjenjat, kurajon, kujtesën, arsyen përkohësisht; me ngatërrue një rrugë me një tjetër etj.. Nga e njajta fjalë latine vjen edhe frëngia esmarrir, që do të thotë me humbë rrugën, ndërsa modernia marrir, me u dëshpërue për zgjedhjen e gabueme. Tue u nisë nga forma fonetike, por sidomos nga ngjashmënia kuptimore, supozojmë se edhe shqipja marri,-a duhet të ketë ardhë nga i njajti burim, por, ashtu si frëngia moderne, tue anue në një prej kuptimeve të modelit marrire. Si duket, derivati shqip ka anue në kuptimin me humbë arsyen përkohësisht, në lidhje me një zgjedhje a vendim.

      Kështu, leteralisht duhet të kuptojmë se Dante thotë që ka humbë tashma rrugën në atë pyll të errët, nuk e shikon ma atë e, në këtë mënyrë, nuk mund të drejtohet andej nga dëshiron. Ndërsa, tue iu refrue komentuesve të cituem ma nalt, të cilët si duket kanë parasysh kuptimin alegorik të asaj që kërkon të na thotë poeti, duhet kuptue se ai ka lanë rrugën e drejtë.

      Mendojmë se aspak kontradiktë nuk ka mes kuptimit leteral dhe atij alegorik të sugjeruem nga komentuesit, mbasi Dante rrëfen se e ka lanë rrugën e drejtë vetëdijshëm, ndaj asht në gjendje mëkati, por, kur ka dashtë të rikthejë në të drejtën, atë nuk e sheh ma, sepse dalngadalë e përditë, pa e kuptue, njeriu i largohet rrugës së drejtë, aq sa nuk mund ta gjeje ma kur ndergjegjesohet të kthejë tek ajo. Pra, Dantes i ka ikë prej syve Rruga e drejtë, sepse asht marrue në mëkat, pra, në një periudhë të caktueme të jetës së tij, vetëdijshëm e ka këmbye të drejtën me të padrejtën, vetëdijshëm ka zgjedhë me ba jetë prej mëkatari, për çka, me anë të këtyne vargjeve, rrefen se asht pendue. Tue u nisë nga ky kandvështrim, për ne vargu ka kuptimin që kemi pasqyrue në përkthim, në përputhje me kuptimin që i kanë dhanë komentuesit e vjetër, por, çka asht edhe ma e randësishme, tue u mbështetë nga konteksti, në atë që vetë poeti pohon ma poshtë (v.12): la verace via abbandonai - rrugën e vërtetë e lashë n'harrim (braktisa).

[2]     Ah... frikën ma përtri - Kjo tercinë fillon me një thirrmor të fuqishëm, gja që paralajmëron vuejtjen e madhe që njeriu ndjen kur gjendet në këtë mjedis. Mandej vijnë me radhë cilësitë e këtij pylli: i egër - pa praninë e njeriut e pa asnjë ndërhymje të tij për kultivim; thuk (i dendun) - ku bima harliset pandalshëm; pa fund e cak - pra, e pamundun për t'u kapërcye. Ky pyll simbolizon jetën e lëshueme në dorë të mëkatit, ku ajo asht në gjendje të egër dhe e pakultivueme nga normat që rregullojnë jetën në bashkësi; jeta e njeriut në gjendje të tillë, prodhon thukët mëkat, mbasi një mëkat bahet rrugë për një mëkat tjetër; gjithashtu, një jetë e tillë e mbrapshtë asht pa fund e cak, nëse Hiri i Perëndisë nuk ndërhyn në jetën e njeriut, për ta ndryshue atë e për ta kthye në Rrugën e Vërtetë... (v.12). Në mbështetje të kësaj e përshtat fabulës që po zhvillohet, Dante, pikërisht në mes të këtij pylli, në mes të vështirësisë, pa pasë kurrsi mundësi me dalë vetë prej saj, do të takojë Virgjilin, i cili ka mandat prej vetë Perëndisë (K.III, v.95-96) që të drejtojë Danten, tue e ndihmue të kapërcejë çdo vështirësi, pikërisht atëherë kur s'e pret, në mes të mëkatit, kur ka braktisë çdo virtyt. Gjithë këtë tmerr (gjendja në atë pyll mëkati), tashma mrekullisht e pa meritë të veten kapërcye, kur e sjell ndër mend, ia përtërin frikën... Ai nuk do të kishte dashtë kurrë ma të gjendej në atë pyll, të ishte i zhytë në mëkat...

      Ah... - Këtë formë eksklamative do ta ndeshim shpesh në poemë, çka asht shejë kujtimi i poetit, ndërsa rrëfen për tmerret që ka pa e mundimin që ka heqë përgjatë atij rrugëtimi. Gjithashtu, ky asht shej emocional, që vendos theksin në çastin e tensionit kulmor dramatik.

[3]     I hidhët ish, sa vdekja mâ veç pak - Një gjendje e tillë, zhytë në mëkat, si pasojë e braktisjes së çdo virtyti me vlerë morale e hyjnore, shkakton një idhësi aq të madhe, saqë vetëm përjetimi shpirtnor që të jep vdekja mund ta konkurojë. Braktisja që i ban Dante rrugës së drejtë sjell për të rrezikun e humbjes përgjithmonë të dritës së Hirit, sjell rrezikun me u ba viktimë e zgjedhjes së tij, jetës mëkatare në terr (në gabim / për këtë fjalë, shih shënimin tek Kanga II, v.1), sjell rrezikun e të qenit në kushtet e një vdekje shpirtnore.

      por... - Por... në mesin e këtij pylli të errët, në çastin kur po shkonte përkundër rrugës së drejtë, kur arsyeshëm nuk mund të pritet, Dante provon mëshirën e Perëndisë, i cili asht në gjendje të shndërrojë përvojën negative në mësim. Pikërisht për të na tregue se sa i mrekullueshëm asht Hiri i Tij, përgatitet të na rrëfejë udhëtimin në jetën e përtejme.

      me rend rrëfej të gjithë ç'kam ndeshë përqark - Këto vështirësi, para së gjithash, janë pengesat përfaqësue nga tri bishat, jo vetë Ferri. Këto tri bisha përfaqësojnë tri mëkatet kryesore të njeriut: papërmbajtshmënia, dhuna dhe mashtrimi (shih skemën në fillim të këtij vëllimi). Ferri asht rrezultati i pengimit të njeriut në këto pengesë-bisha.

[4]     Nuk di të them... e lashë n'harrim - Asht e vështirë për njeriun me rrëfye se si gjendet në mëkat, sepse ditë mbas dite, vigjilenca ndaj parimeve morale mpihet e nuk e merr vesh si përfundon në atë pyll, egërsia dhe dendësia e të cilit e qet në harrim Rrugën e Drejtë. Edhe në Bibël jeta larg Perëndisë na paraqitet si një gjendje gjumi: "Tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër se kur besuam" (Romakëve 13:11); "Prandaj Shkrimi thotë: 'Zgjohu, ti që fle..., dhe Krishti do të shndrisë mbi ty'" (Efezianëve 5:14).

      Në rrafshin filozofik, etika aristoteliane, që në këtë aspekt asht përqafue edhe nga Toma i Akuinit, nuk pranon që njeriu, si qenie inteligjente, me dashje bahet pjesë e së Keqes a, të themi, mëkatar. Për ta, ai e zgjedh të Keqen gabimisht, tue e marrë për të Mirë, pra, i marruem (smarrito - lanë rrugën) prej territ (mendja ngathë nga gjumi i mëkatit) merr këtë rrugë. Mirëpo, tue iu referue vargut 12 (rrugën e vërtetë e lashë n'harrim - la verace via abbandonai), themi se Dante nuk asht në një mendje me Aristotelin e, rrjedhimisht, me Tomas Akuinin, sepse në këtë varg ai rrëfen se e ka braktisë a lanë në harrim rrugën e vërtetë, tue e ditë se ajo asht e vërteta, për t'u lëshue në rrugën e mëkatit. Mirëpo, në Bibël thuhet: "Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. [...] Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, [...] nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. [...] Me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh në buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak" (Romakëve 3:10-18; krahaso gjithashtu Romakëve 7:14-24; Predikuesi 7:20, Fjalët e Urta 20:9). Nga sa thotë Dante në këto vargje, mendojmë se ai asht në sintoni me konceptin biblik, se njeriu shtyhet vetëdijshëm drejt të Keqes, meqenëse asht në natyrën e tij mëkatare kjo kahje dhe, pa ndërhymjen shpëtimtare të Hirit të Perëndisë, ai asht i humbun përfundimisht dhe pa asnjë mundësi të kthehet në rrugën e drejtë me anë të arsyes a vullnetit. Mendojmë se poeti, pikërisht paraqitjen e këtij Hiri shpëtues të Perëndisë ka objektiv në këtë Komedi e cila, fillon në mënyrë tragjike (me gjendjen e dëshpërueme dhe të pashpresë të njeriut) dhe mbaron me lumtunimin (përmes ndërhymjes shpëtuese të Tij). Në këtë kandvështrimi mund të kuptojmë ma mirë vargjet 8-9.

      Kështu, figura e njeriut që asht orientue gabim në pyllin e dendun të mëkatit, me këtë tercinë plotësohet dhe kthjellohet. Pyllit të zi i korrespondon gjendja mëkatare e njeriut, që terron mendjen. Në tercinën në vazhdim, Dante rrëfen se ka ardhë në vedi dhe don me heqë dorë nga rruga e gabueme, tue zgjedhë atë në dritën e Perëndisë, ku nuk ka mundësi gabimi (krahaso v.17-18). Por ajo çfarë ai zbulon, asht se nuk mjafton vetëm dëshira e mirë për të dalë nga gjendja ku asht (nga mëkati), pa ndihmën e Perëndisë. Dështimi i Dantes (që në këtë rast përfaqëson çdo njeri) para tri bishave asht konfirmimi se ai asht i pafuqishëm për t'iu kthye rrugës së drejtë, sado që dëshiron.

      n'atë pikë - Në origjinal: a quel punto, në atë pikë të jetës, në atë kohë, vakt. Alegorikisht poeti rrëfen për vetveten që në atë pikë, vakt të jetës, lëshohet në mëkat e shmanget nga rruga e drejtë.

      rrugën e vërtetë - Rruga që të çon tek Perëndia, që asht përmendë edhe ma nalt (v.3). Për një të krishtenë rruga e drejtë, e vërtetë, asht rruga standardeve dhe e vlerave hyjnore: "Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë" (Fjalët e Urta 15:10); "Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve" (Fjalët e Urta 21:16).

[5]     Mandej - Tani kemi hy në një tjetër temë, atë të kodrës ndriçue nga dielli, që i kundërvihet pyllit të errët. Në kushtet e trishtueshme njerëzore deri tash përshkrue, shfaqet mundësia e shpresës.

      rranzë një kodre - Ashtu, i gjendun në pikë të hallit, i mbërthyem dhe i neveritun nga një jetë mbushë me mëkat, Dante sheh një kodër. Në traditën biblike, ndër të tjera, mali/kodra asht e lidhun me praninë e Perëndisë dhe me shfaqjen e Tij. Në mënyrë të veçantë Sioni asht mali që Perëndia ka zgjedhë me vendosë praninë e Tij përmes tempullit. Për këtë arsye psalmisti shprehet: "O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?" (Psalmi 15:1, shih gjithashtu Psalmi 48:1-2, Psalmi 68:16). Kodra rrahet nga rrezet e diellit, që asht pastërtia dhe vërtetësia e Perëndisë, në kontrast me jetën në mëkat që zhvillohet në terr e fshehtësi. Kështu, mbasi ka pa kodrën, me forcat e veta Dante ban përpjekje për t'u ngjitë në të. Këtë e ban për të shpëtue nga pasojat që sjell mëkati për individin.

[6]     i ngrita sytë - Si asht endë për një kohë në pyll, tue u përkushtue gjanave të kësaj bote, që kanë vlerë të përkohshme, e si ka konstatue në ta kotësi, Dante (njeriu) ngre sytë drejt naltësive qiellore e të përjetshme. Me këtë gjest bahet e dukshme nevoja për t'u kthye në rrugë të drejtë, për të fillue një jetë të re, tue braktisë të gabuemen, që ka rezultue kaq e damshme në jetën e tij. Duket se ky varg asht rindërtue mbi vargun 1 të Psalmit 123: "Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë". Naltësia e kodrës thërret shikimin dhe një përmasë të re, që pikërisht përmes kësaj naltësie simbolizon shpresën për shpëtimim, bahet tashma landë për t'u shpalosë në gjithë poemën.

      ato pjerrinë / prej dritës së Planetit krejt stolisë - Pjerrinë / perifrazim për shpatet, pjesët e sipërme të të cilave të parat ndriçohen nga drita e mëngjesit. Dante krijon këtë peisazh me theksue naltësinë e kodrës, që menjëherë rrahet nga rrezet e diellit alegorik, Perëndisë, prej të cilave nuk kanë mundësi të ndriten e të ngrohen ata që nuk janë aty. Ora e hershme e nadjes, mbushë me dritë e ngrohtësi të largët, asht sheja e parë që gjanat fillojnë të sillen për mbarë (krahaso v.41-43). Ajo dritë që sheh në majë të kodrës, e ngrohtësia që ajo premton, asht një përgjigje pozitive për vështrimin nevojtar drejt saj ngritun nalt.

      Planetit - Dielli asht konsiderue planet, sepse, simbas sistemit ptolemaik, ai sillej rreth Tokës, ashtu si gjithë planetet e tjerë, mbasi ajo mendohej të ishte në qendër të Universit. Përfigurimi i Perëndisë me Diellin, që përban një karakteristikë për letërsinë e krishtenë të kohës, asht i pranishëm në të gjithë Komedinë. Kështu, pa bujë e pa zhurmë, prania e padukshme, por konkrete, e Perëndisë bahet pjesë e poemës.

      Pylli, kodra dhe dielli (planeti), përfigurojnë simbolikisht, në një peisazh të vetëm, tri mbretnitë që Dante do të përshkojë në udhëtimin e tij. Pylli simbolizon gjendjen e panatyrshme të njeriut, atë në mëkat, Ferrin; kodra, gjendjen e një lumtunie të natyrshme të njeriut, Purgatorin (në majë të tij, që asht mal/kodër, gjendet Parajsa tokësore); dielli, prap, një gjendje të panatyrshme për njeriun, Parajsën, por të një kahjeje krejt të përkundërt nga e para, mbasi shpirtnat aty janë në prani të Perëndisë.

      që n'shteg të duhun gjithë njerzisë u prin - Njerëzve të tjerë, pra çdo njeriu që kërkon rrugën e drejtë. Vërejmë në këtë varg se edhe për të tjerët asht i domosdoshëm Hiri shpëtues, orientues, paqtues i Perëndisë. Asht interesant fakti që Dante asht i vetëdijshëm se edhe për ata që kërkojnë Rrugën e Drejtë, atë e marrin orientue nga drita e Perëndisë, jo nga dija apo mirësia e tyne, që për njeriun, simbas Biblës, nuk asht kurr vetëmjaftuese. Kështu, në këtë peisazh inkurajues e që të mbush me shpresë, çka poeti e thotë qartazi ma poshtë (v.41-42), Perëndia na shfaqet si burimi i çdo mirësie, krejt përkundër Satanit, që ai do na e rrëfejë në Kangën XXXIV, si burim i çdo ligësie: "N'pastë qenë i bukur, aq sa ç'asht shëmtue, / dhe n'sy kërcnisht pau atin Perëndi, / nga ai mbrapshti veç pritet me burue" (v.35-36).

[7]     E veç at'herë... - Shfaqja e kodrës dhe e atyne rrezeve që ndrisin majën e saj dhe që arrijnë të davarisin disi terrin në buzë të pyllit, alegorikisht tue e ba të pranishëm Perëndinë ndërsa njeriu asht ende në mëkat, përfaqëson dëshirën për një fillim të ri, një kthese të njeriut drejt Rrugës së Drejtë, që shndërrohet në pikë referimi, në një ndezje shprese, e cila qetëson kështu ankthin që ka mbërthye shpirtin e udhëtarit, shndërrue në skllav të mëkatit e tmerrue pasojës së tij.

      gjithë natës - Dante asht sjellë për të tanë natën e gjatë në atë pyll, pa mundë me gjetë rrugën e daljes. Vetëm kur rrezet e diellit e kanë ndriçue, ai ka mundë me pa rrugëdaljen. Ndërsa ban një jetë mëkatare e në terrin që të mpin mendjen dhe arsyen, asht e pamundun me gjetë rrugën e shërimit, ndaj dhe koha e endjes asht e pafundme, sa nata vetë, e cila do të ishte e përjetshme, sikur dielli të mos dalë, çka simbolizon praninë dhe ndërhymjen e Perëndisë në jetën e njeriut, edhe në netët ma të gjata të tij.

[8]     ashtu dhe shpirti im - Shëmbëlltyra që Dante zgjedh për të na e sjellë sa ma të gjallë gjendjen e tij fizike dhe emocionale, asht e pashoqe. Ashtu si ai që lufton me valët e detit e mbas shumë mundimesh arrin të shohë bregun e, mandej, ndërsa dihat nga lodhja, kthen kryet mbrapa e shikon prej nga ku doli, si tue mos e besue se ka shpëtue, kështu Dante, si ka ardhë në buzë të pyllit, i qetësuem sadopak nga rrezja e diellit që ka depërtue deri tek ai, kthen kryet mbrapa e sheh, a thue se don me rimatë rrezikun nëpër të cilin kaloi, çka nuk mund të bahet me sy, por veç me lodhje e dërrmim fizik. Kjo figurë na sjell përpara Danten përmbytë nga deti i mëkatit, në luftën dihatëse kundër dallgëve të pasioneve mishnore; në luftën ku mposhtet çdo njeri nëse do të mungonte Hiri i Perëndisë, të cilin Dante e lëvdon në fillim të kësaj kange (v.8).

      ikte aq trazue - Trupi i ndalun, shpirti në ikje prej tmerrit: nuk i besohet se ka shpëtue, ndaj i duket se vrapon ende. Kjo asht pika kulmore e frazës, shtri në dy tercina, çka theksohet me ikte trazue. Qysh në këtë kangë të parë, mund të vihet re rrëmimi i thellë dhe i imët në shpirtin njerëzor nga ana e poetit, çka asht një karakteristikë për të.

      atë shteg - Pyllin e alegorikisht jetën mëkatare, prej të cilës poeti ban përpjekje me ikë.

      që gjallë njeri andej s'la me kalue - Benvenuti jep dy interpretime të mundshme për këtë varg: "I pari: të gjithë njerëzit, pa dallim, që përfshihen në mëkat, vdesin shpirtënisht; i dyti: asnjë i gjallë nuk ka arritë të shmangë plotësisht jetën mëkatare, ... sepse edhe i drejti mëkaton shtatë herë". Ndërsa për Butin vargu ka vlerë hiperbolike. Mendojmë se vargu po na thotë se askush, që ende ka mish e gjak, nuk mund të kalojë nga pylli i mëkatit në pjerrinat e ndriçueme të kodrës. Kështu, askush, pa forcën çliruese të Hirit të Perëndisë, nuk mund të arrijë të kalojë nga pylli në kodër, nga mëkati në pafajësi. E themi këtë, meqenëse qëllimi i Komedisë asht pikërisht ky: me tregue mirësinë e Perëndisë, Hirin e tij, në ditën ma të keqe të njeriut, mbytun e zhytun në mbrapshtinë e mëkatit, çka rrëfehet qartazi në vargjet 8-9.

[9]     ma poshtë tu' e pasë atë kambë që trollin prek - Përveç këtij kuptimi të parë, hershëm komentuesit, në këtë varg janë përpjekë më dallue kuptime alegorike. Simbas shumë prej tyne, kamba që ka qëndrue ma poshtë e që asht edhe ma e qëndrueshme, mbasi mbështetet në tokë, i bie të simbolozojë kahjen e dëshirave të njeriut drejt gjanave tokësore e me vlerë të përkohshme, ndërsa ajo që përparon e synon për ma nalt, e pasigurtë dhe hezituese, që simbolizon paqëndrueshëninë e tij në një jetë që synon standarde të nalta.

      "Ky varg duket se nuk gjen përputhje absolute me përvojën reale. Edhe nëse ecë në një të përpjetë, gjithsesi je i shtrënguem të peshoh herë në një kambë e herë në një tjetër e, atë ku mbështetesh, e ke gjithmonë ma poshtë; edhe ndërsa ecë në fushë, kamba e ndalun asht gjithmonë ma poshtë. Kështu, tue mos pasë përputhje absolute, ky varg ngjan se fsheh kuptimin e vet alegorik mbas një tjetri kuptimi alegorik. Në Francë, ku thuret rrjeti hekurudhor me atë rrugor, ka një tabelë që lajmëron: 'Attention! Un train peut en cacher un autre' [Kujdes! Një tren mund të fshehë një tjetër]. Alegoritë nuk janë ma pak të rrezikshme se trenat. Tërheqim vemendjen për kujdes të veçantë, sidomos në fillimin e një udhëtimi të pafundëm si ky, e të përpiqemi, në qoftë sadopak e mundun, t'i qëndrojmë fabulës" (V.Sermonti, fq.22).

[10]    Por, sa gatitë kam qenë me u ngjitë përpjetë - Por, sapo... Shprehje mjaft e shpeshte që ndeshet tek Dante, me të cilën ai shërbehet për të futë një ngjarje të papritun: në fakt një figurë e re papritmas hyn në skenë. Në vargjet 13-30 ka një shtensionim të personazhit: peisazhi tashma i zbutun nga drita e diellit, maja e kodrës që shkëlqen nga rrezatimi, i japin atij një lloj qetësie. Disa sintagma, si frika pak më ka braktisë (v.19), për pak trupin çlodha në zallishte (v.29), tregojnë këtë qetësi, edhe se të përkohshme. Pikërisht kjo qetësi, ballas çfarë menjëherë do të ndodhë, të cilën poeti na e rrëfen përmes kësaj tercine që fillon me Por, sapo..., transmeton frikë, madje ma të madhe se e maparshmja. Gjithë çfarë, asht në përputhje të drejtpërdrejtë me realitetin e krishtenë: nuk mund të dalësh nga jeta mëkatare me forcat e tua, pa ndihmën e Hirit të Perëndisë...

      përpjetë - Drejt kodrës, Rrugës së Drejtë, e cila shkëlqehet nga rrezet e diellit.

      lonzë - Asht e para prej tri bishave që e pengon Danten t'i ngjitët kodrës. Së bashku me luanin dhe ulkojën (që do i ndeshim ma vonë), përfaqëson pengesat që çdo njeri duhet të kapërcejë për të marrë shpëtimin. E këto pengesa janë: dëshira seksuale, apo tanësia e pasioneve mishnore (lonza - që çon në pangopshmëni - grupi i parë i mëkatarëve), krenaria (luani - që çon në kreni e kjo në dhunë - grupi i dytë i mëkatarëve) dhe lakmia (ulkoja - që çon në mashtrim - grupi i tretë i mëkatarëve të Ferrit dantesk). Të tria së bashku, janë baza e çdo mëkati. "Sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota" (1 Gjonit 2:16).

      Sepse asht një qenie legjendare, e krijueme nga gojëdhanat popullore të rrëfimeve të kohës e sepse nuk ka depërtue në rrëfimet tona, nuk e kemi pa të arsyeshme me e përkthye me tjetër, por veçse ta lamë ashtu siç e ka quejtë Dante. Asht një lloj felini femën, fort mizore, që shpesh e gjejmë të ndërzehet me luanin e që asht vazhdimisht e etun për seks. Për këtë, nga të gjithë komentuesit, asht gjetë i arsyeshëm shpjegimi se Dante krejt me vend e ka pa përfaqësimin e etjes seksuale të njeriut në këtë kafshë-sajesë.

      Në përkthimet e tjera, e ndeshim emnue me leopard, panterë e deri edhe rreqebull. Gjithashtu, edhe në gjuhët e tjera e gjejmë me leopard a panterë. Por, për arsyet që thamë ma nalt, pra të qenit e saj shumë larg këtyne specieve, kemi pëlqye ta sjellim me lonzë. Nëse argumenti asht se Dante na sjell këtu një leopard, mbasi bishën e tij e ka ndërtue mbështetë mbi Zbulesa 13:1-2, aty shohim se nuk kemi të bajmë me një leopard mirfilli, por gjithashtu me një sajesë: "Bisha që pashë i ngjante një leopardi; këmbët e saj ishin si të ariut dhe goja e si ajo e luanit". Kështu, meqenëse edhe në këtë referim të supozuem kemi të bajmë me një sajesë, e quejmë me vend që këtë felin ta thërrasim me emnin që Dante i ka dhanë: lonzë.

      e shkathët ... e shpejtë - Atribute që i shkojnë për shtat dëshirës seksuale.

      me gëzof të larmë - Mendohej se lonza kishte lëkurë të larmët, por nuk thuhet me saktësi se ishte e larmët me pika (si e leopardit) apo me vija (si e tigrit).

[11]    kryet mbas ktheja... - Dante rrëfen se ishte i kërcënuem nga kjo bishë, që e pengon të dalë nga pylli e të ngjitet në kodër. Me anë të kësaj simbolike na thuhet se lufta ma e ashpër e ma e vështirë asht ajo kundër vetvetes, kundër dëshirave ma të forta a pasioneve ma të zjarrta (jo vetëm seksuale). Kështu, tue e gjetë të vështirë me u përballue me të, ai rrëfen se ishte në kufinin e dorëzimit, pamjaftueshmënisë për ta përballue.

[12]    Qe herët - Jo rastësisht na jepen disa hollësi për rrethanat kohore: ishte nadje herët, 8 prill 1300, e Premte e javës së Shenjtë. Kjo asht e dhana e parë.

      dielli sa po ngrihej n'atë yjsí - E dhana e dytë kohore: Dielli ishte ngjitë në Yjësinë e Dashit, çka të kujton se asht Pranverë, kohë kur mendohej se Perëndia ka krijue trupat qiellorë, Diellin e yjet.

[13]    kto bukuri - Yjet, kështu janë quejtë nga poeti edhe në fundin e Kangës XXXIV (v.137). Për bashkëkohësit, yjet nuk kishin dritë të vetën, por reflektonin atë të Diellit. Mendohej se ata ishin të lëvizshëm dhe të palëvizshëm, por gjithsesi me një ndikim të madh në jetën njerëzore.

      m'dhanë zemër sa me gjetë trimninë - Do të kishte mbetë enigëm për ne, jo shpresa, por trimnia e Dantes përballë Lonzës, po të mos na jepeshin detaje ma të hollësishme në Kangën XVI (v.106-108) mbi ballafaqimin e tij me Lonzën. Aty thuhet se, mbasi ka marrë zemër nga rrethanat (agu i ditës së re, stina e pranverës), asht ndeshë me te e ka tentue ta lidhë madje me rrypin që mbante në brez. Në sensin alegorik, Dante rrefen se ka ba përpjekje t'u rezistoje nxitjeve të tija mishnore (dobësisë seksuale, etj., përgjithsisht papërmbajtshmënisë).

[14]    i hershmi ag dhe fort e ambla stinë - Kështu pra, meqenëse asht e premte e Javës së Shenjtë të Pashkës (arsyeja e parë), kohës kur Krishti ka vdekë për mëkatet e njeriut dhe ringjallë dhe, gjithashtu (arsyeja e dytë), meqenëse asht pranverë (e ambla stinë), kohë kur dashnia e Perëndisë ka krijue gjanat ma të bukura të Qiellit, Dante ka arsye të mendojë se do ia dalë mbanë mbi Lonzën. Nga ana tjetër, jo vetëm në kandvështrimin alegorik, një diell i qartë mëngjesi, që mbrapa ka lanë një natë të errët e të trazueme, dhe ngrohtësia pranverore mbas acarit të dimnit, të mbushë zemrën me kurajë e të shtyn me mendue se do ia dalësh vështirësisë.

      por, ... - Kundërshti që tregon se dy faktorët (drita e hershme dhe e ambla stinë), i kanë dhanë shpresë se mund t'ia dalë vështirësisë - lonzës, por frikën krejtësisht nuk ia kanë heqë. Një mëkat gjeneron një tjetër: mbas felinit të parë, mbi të cilin mendja mund të të thotë se fiton (ndoshta me të drejtë), vjen felini i dytë, edhe ma i rrezikshëm e i tmerrshëm. Nëse mund të mbash nën fre dëshirat e mishi, kush ka mundë të përmbajë krenarinë?! Me anë të këtij vargu Dante rrëfen se asht e pamundun të dilet nga rrethi vicioz i mëkatit pa Hirin e Perëndisë, të cilit i kushton këtë poemë.

[15]    E kishte gjasen ... ajri dukej se dridhohej - Ende pa marrë mirë veten nga përballimi me vështirësinë e parë, përballet me vështirësi ma të madhe: felini i parë nuk asht asgja para të dytit. Lonza dëshirore, nuk asht asgja krahasue me këtë luan krenar e të dhunshëm. Tashma rreziku i mëkatit nuk i vjen prej jashtë, por prej mbrendë. Tash poeti nuk rrëfen se asht tundue nga një grue e bukur (nga jashtë), por nga brenda (krenaria dhe mendjemadhësia), çka asht edhe ma e vështirë me u mposhtë... Si duket, që në të ri ai ka shijue suksesin me anë të artit të tij, prandaj duhet të jetë ndeshë me këtë lloj egërsine, e cila edhe ma fort e mban të zhytun në atë pyll të errët, prej të cilit don me ikë një orë e ma parë. Dy veti përmend poeti (v.46-48), që e bajnë këtë kafshë të llahtarshme: kryet përpjetë - e prirun me ba rrënim në prenë e saj; urie krejt tharë - kjo kafshë asht e motivueme me ba rrënim në prenë e saj... Le të imagjinojmë me u gjendë përballë një bishe të tillë që, përveçse i ka të gjitha mundësitë me të rrënue (e fortë), por edhe të gjitha arsyet (e unshme) me e ba këtë. Vetëm kështu kuptojmë se në ç'mënyrë Dante ka vuejtë... krenarinë e vet.

[16]    nj' ulkojë - Ulkoja: simbol i lakmisë së pangishme njerëzore, si me pasuni e të mira materiale, ashtu edhe me përnderime. Shumë herë në poemë Dante përdor imazhin e ujkut (apo ujkojës) për të përfaqësue lakminë, vesin ma të shëmtuem që seriozisht ka komprometue, jo vetëm jetën personale të një individi, por shpeshherë edhe institucionet qytetare a kishtare. Sjellim disa shembuj: Pluti - demoni i vendosun si roje në Rrathin IV, atë i koprracisë - "He, ujk i mallkuem" (K.VII, v.8); Ulkojë e mallkueme asht riemnue koprracia në Purgator (K.XX, v.10).

      ngjasonte ngarkue n'thatësinë e saj - Kjo kundërshti, që na jep imazhin e diçkaje njëkohësisht të mbushun dhe të zbrazun, shfaq qartazi gjendjen e lakmitarit që, sa ma shumë të ketë, aq ma shumë vuen me pasë...

      aq njerëz shtyu n'mjeri - Lakmia asht kafsha që nuk të len asnjëherë të qetë: ai që nuk ka pasuni, asht gjithmonë i shtymë të mundohet fizikisht të ketë; ai që i ka këto pasuni, edhe se mund të ketë shumë, jeton në skamje që mos me cënue çfarë ka. Në të gjitha rastet, lakmia asht kafsha ma e pamëshirshme që njeriu ndesh në jetën e tij e që e çon në mjerim; asht plagë e shoqnisë njerëzore, në mos ma e randa. Prandaj Dante, jo vetëm që e ka dënue ma ashpër lakmitarin në Ferrin e tij e ma thellë futë aty, por e trajton gjanë e gjatë në këtë kangë e mandej në këtë kantik, siç do e shohim.

[17]    në pikë të zorit... në majë - Joshja ndaj të mirave materiale ban asgja çdo normë morali a çdo parim të krishtenë, tue u ba kështu pengesa kryesore në ngjitjen e të vetmes rrugë të vërtetë, që simbolikisht këtu na asht dhanë me kodrën. Kështu, përballë kësaj vështirësie të tretë edhe ma të madhe, në ndryshim nga lonza, ndaj të cilit ora e hershme dhe stina e ambël e mbushte me shpresë se do e mundte, Dante duket se asht dorëzue. Jo se heq dorë të ngjitet në majë, por tue pa lakminë kërcënuese të ulkojës, nuk shpreson ma se do të mund t'i afrohet ndopak kodrës. Mesazhi i Dantes vjen i qartë: meqë natyra njerëzore asht e prirun drejt mëkatit, për njeriun asht e pamundun me arritë, jo vetëm shlyemjen, por as shmangien prej tij ndopak. Kështu, mos me qenë Hiri i Perëndisë, që vjen falas e në mënyrë të pameritueme, njeriu asht i dështuem, i humbun.

[18]    Si ai që... - Për shumicën e komentuesve, kjo shëmbëlltyrë u referohet koprracëve, që vuejnë humbjen e pasunisë, kur rrota e fatit nuk sillet në favor të tyne. Por, simbas Benvenutit, Dante këtu ka parasysh falimentimin e tregtarëve të shumtë, mes viteve 1280-1300, rrënimi dramatik i të cilëve i ka lanë gjurmë në kujtesë. Por nuk përjashtohet mundësia të mendohet se e ka fjalën edhe për kumarxhijtë, duke pasë parasysh edhe pasazhe të tjera të Komedisë, ku flitet për shkërryesit e pasunisë (K.XIII, v.109 e në vazhdim).

[19]    të tillë m'ka ba... - Kjo bisha e fundit, përkundër shpresës që ushqeu në përballjen me Lonzën (v.37-43), e zhgënjen krejtësisht Danten. Aq sa e ambël iu duk fitorja e pandehun, aq e idhët i del tashti humbja e pashmangshme që përvojon. Ky mëkat, që simbolikisht përfigurohet me ulkojën, rrënon jo vetëm jetën e njeriut, por gjithashtu edhe çdo përpjekje për të ba një jetë ma të pastër shpirtnore. Çdo përpjekje për të dalë nga pylli i mëkatit, pa heqë dorë nga ky ves, asht një vetëmashtrim, një rrejtje e përkohshme që, nuk ka të bëjë me ruejtjen e status quo-së mëkatnore, por përkundrazi, të shtyn të futesh prap në pyllin e maparshëm, në mos ma thellë (aty ku diell nuk ka aspak) e ku parimet për me ba një jetë të drejtë (çka për kohën e poetit do të thoshte një jetë të krishtenë), qytetare e shoqnore, nuk kanë asnjë shans të zbatohen, për shkak të mungesës së rendit (mungon drita, diell nuk ka aspak).

[20]    Ndërsa... qeshë tuj ikë - Udhëtari, për shkak të pamundësisë, ka heqë dorë përfundimisht nga rruga e dëshirueme, nga të ngjitunit e kodrës me forcat e veta (n'sa poshtë rrëshkisja) dhe, me shtymjen e ulkojës, i asht futë edhe njëherë pyllit (isha tuj ikë).

      m'u ba se shihja para një ... a thue se ishte fikë - Në terrin e këtij pylli, ku dritë nuk ka aspak, Dante nuk asht i sigurt nëse ka pa apo ia asht dukë se ka pa dikë, ndoshta një hije që, nga heshtja e gjatë, ngjet mpakë e fikë... Në vargun 8, Dante na thotë se, në mesin e këtij pylli ka gjetë diçka të dejë për lavdim... Prandaj, për të kuptue se sa e madhe ishte kjo e mirë, na përshkruen përpara vështirësitë që ka ndeshë në këtë pyll... Dhe na radhitë lonzën, luanin e ulkojën, vështirësia për të kapërcye të cilët e qet në dëshpërim të madh, tue e kthye në terrin e jetës së maparshme. Kështu, në këtë gjendje të dëshpërueme, në mos ma shumë se ma parë, kur nuk e pritte, kur kish heqë dorë nga përpjekjet dhe ishte vetëbraktisë në mëkat, i zgjatet një dorë, i jepet një mundësi, përmes një hijeje të zbehtë. Ma vonë do e shohim që asht hija e Virgjilit, poetit të parapëlqyem, që këtu, i dërguem nga Perëndia, vjen për t'iu gjetë ndihmë kur ka ma shumë nevojë e kur e shpreson ma pak. Pikërisht, kjo asht e mira që ka gjetë në mes vështirësisë pa rrugëdalje.

      Si do e shohim përgjatë këtij Kantiku, Virgjili përfaqëson arsyen njerëzore, që si një dritë i vjen nga Perëndia për ta drejtue. Në referim të Virgjilit, si Arsye, alegorikisht thuhet mpakë e fikë nga heshtja e gjatë, sepse Dante-mëkatar (që në këtë poemë nuk asht personazhi-poet, por një njeri i zakonshëm) s'e ka dëgjue zanin e saj, që asht ndriçim për njeriun. Tashti, mbas kaq shumë kohësh që nuk dëgjon një za të tillë arsyeje, kjo dritë ndërgjegjeje kristiane i vjen e mpakun dhe e fikun, sepse prej një kohe të gjatë ka heqë dorë saj... Le të kujtojmë vargjet 3 dhe 5 të kësaj kange. E kemi theksue edhe ma nalt, kur kemi thanë se ai nuk e ka humbë rrugën e drejtë, por e ka njëanue, e ka braktisë me dashje atë. Ndërsa, po ta shohim nga një kandvështrim tjetër, më realistik dhe joalegorik, të qenit mpakë e fikë i Virgjilit, vjen ngaqë gjendet në mungese të trupit (pra kemi të bajmë me një të vdekun): kanë kalue 1320 vite që ai nuk flet...

[21]    në atë zallishte - Mes pyllit dhe kodrës ka një zallishtë të zhveshun nga bimësia (shih v. 29).

[22]    M'u gjegj - Përgjigjja që merr Dante nga hija nuk asht emni, por disa të dhana që atë e çojnë në njohjen e menjëhershme dhe pa aspak padyshim. Le të rradhisim këto të dhana: 1. Prindët e mi qenë nga Lombardia e, ma saktë, nga Mantova; 2. Kam lindë nën Julin (Çezarin), megjithëse vonë... pak para se të vdiste; 3. Kam jetue në Romë, në kohën e të mirit August (konsiderue i miri, si në qeverisjen e Perandorisë, ashtu edhe në jetën private); 4. Kam jetue në kohën e perëndive të rreme, pra para Krishtit; 5. Isha poet (kjo asht edhe ma e randësishme) e i kam këndue atij, birit të Ankizit, pra Eneas (jam autori i Eneidës) që erdhi nga Troja e shkrumbueme. Mbas këtyne të dhanave, a thue asht e mundun që Dante të mos njohë kë ka përpara?!

[23]    Nën Julin kam pas lindë - Në origjinal: sub Iulio, latinizëm të cilit Virgjili, simbas Dantes, nuk mund t'i shpëtojë. Meqenëse në kohën e poetit italishtja ishte ende në proces dhe e foluna e shkrimi zyrtar ishin latinisht (çfarë flitej në popull quhej thjeshtë vulg jo gjuhë), asht kuptimplotë për të që, herë mbas herë, të përdorë latinizma. Jo vetëm kaq, por ngaqë prej trungut latin po dilte, përveç vulgut italian, edhe ai francez, Dante përdor francezisma pa fund (në këtë kangë, v.109, për citta, kemi villa). Por, tue pasë parasysh se gjuha jonë asht ku e ku larg me latinishten, nga ç'ishte vulgu italian me të, e kemi pa të arsyeshme të përkthejmë fjalën sub, meqenëse për lexuesin tonë, trajta latine, nuk përban asnjë efekt kuptimor apo emocional.

      n'zota t'rremë - Virgjili, edhe pse vdekë para Krishtit, pra pa pasë mundësi me e njohë doktrinën e tij, dënon tashma besimet pagane, sepse në Limb, shumë pak mbas mbërritjes së tij aty, ka pasë mundësi me pa Krishtin: Pak kohë si ktu pata mbërrí / pashë një fuqiplotë t'vijë ndër këta gjind, me kunorë fitoresh mbi krye të tij (K.IV, 53-54).

[24]    t'Ankizit bir - Biri i Ankizit, Enea, hero trojan. Mbas shkrumbimit të qytetit të tij, u end gjatë mes detnash (si Uliksi) dhe ma në fund zbarkoi në brigjet e Lacios ku, si mposhti pengesat e banorëve vendas, themeloi dinastinë nga e cila do vinte Perandori ma i madh i Romës, Augusti, i përmendun ma sipër nga Virgjili. Në Kangën II, Dante do të flasë me përnderim (v.16-27) pikërisht për këtë personazh (Enean), që në mënyrë providenciale vendoset në Lacio, ku ma vonë do të ndërtohet Roma, që do bahet seli për trashëgimtarët e ma të madhit Pjetër... (K.II, v.24).

[25]    Po ti... për çfarëdolloj gëzimi - Perifrazim: Pse po kthehesh në pyllin e mëkatit?! Pse s'i ngjitesh malit të shpëtimit (v.13), që asht çlirim mëkatesh e, për rrjedhojë, burim për çdo lloj gëzimi?!

[26]    A thue je ti Virgjili - Mbas vetëprezantimit të Virgjilit, dy tercina ma nalt, Dante, mbushë me admirim, i ban elozhe poetit, që njëkohësisht asht mësuesi shpirtnor i tij. Ai asht zgjedhë nga Dante si drejtues në udhëtimin përmes Ferrit e Purgatorit, preferue para shumë të ditunve të tjerë të antikitetit klasik, sepse në Mesjetë asht konsiderue si një lajmërues i Krishtit, të thuesh si një lloj profeti pagan, me të cilin Perëndia asht shërbye për të sigurue njerëzimin për ardhjen e Tij. Nga një i tillë interpretim merrte shkas ekloga e katërt e tij (lirikë baritore), në të cilën shpallte fillimin e një epoke ndryshe. Në këtë kontekst duhet vlerësue konsiderata e naltë që ka Dante për Virgjilin, shtoji kësaj edhe vlerësimin për kryeveprën e tij, Eneidën, model për stilin epik, që do të ishte gjithashtu një kalk, megjithëse në një kontekst pagan, për udhëtimin përmes botës së të vdekunve. Së fundmi, Virgjili ka qenë kënduesi i Perandorisë Universale (Romake), që asht konsiderue si një mbrojtëse e paqes në botën e njohun. Dante gjen të pasqyrueme bindjet e tij përmes veprave të Virgjilit dhe mes dy poetëve vërehet një afërsi e qëndrimeve politike: të dy këndues të Perandorisë, por në kohë të ndryshme; të dy të kastiguem nga të njajtat vuejtje. Në Komedi Virgjilit dantesk i jepet një rol përcaktues: asht simbol i arsyes njerëzore, e pa kthejellueme ende nga besimi i krishtenë, që gjithsesi ka një rol përcaktues në itinerarin e njeriut drejt shpëtimit që, simbas Dantes, nuk asht punë vetëm e Hirit të Perëndisë, por si një udhëtim me etapa e me shkallë në të cilin arsyeja ka një rol të randësishëm, megjithëse jo të rendit të parë (kjo i takon vetëm Perëndisë, me anë të Hirit).

      Virgjili - Një nga poetët ma të mëdhej latinë, lindë në Andes (sot Pietola), një fshat pranë Mantovës, në vitin 70 pr.K., në një familje që zotnonte toka të shumta. Mbas studimeve ne Kremona e Milano, shkoi të thellohej në Romë, por zgjodhi Napolin si qytet ku të banonte. Shkroi Bukolike (Blektorale) mes 41 dhe 35 pr.K. dhe Gjeorgjike (Bujqësore) në 4 vëllime. Pranoi ftesën e Augustit të ishte poeti i oborrit e të thurte vargje për lavdinë e Romës. Ndërkohë shkroi kryeveprën e tij Eneida, nën shembullin e Homerit. Vdiq në Brindizi, në vitin 19 pr.K.

      kryet kam ulë me përnderim - Në origjinal: vergognosa fronte. Për disa komentues, Dante rrëfen se ka ndie turp përpara mjeshtri, i cili e sheh në kushte të tilla morale. Por kjo fjalë, hershëm, kishte edhe kuptimin me qëndrue përulësisht para dikujt, me ulë kryet, me pranue superioritetin e tjetrit, pra përnderim. Me qenë se Dante gjendet para Virgjilit, për të cilin ma poshtë (v.85-87) rrëfen se e përnderon, kemi preferue të sjellim në përkthimin tonë këtë nuancë kuptimore.

[27]    dritë dhe nder - Virgjili, me poezinë e tij, nderon të qenit poet; me dritën e lavdisë së tij, asht shembull për t'u ndjekë nga gjithë ata që kanë përqafë këtë mjeshtri.

      gjithë veprën - "Dante flet për tanësinë e veprës së Virgjilit, në veçanti për kryeveprën, Eneidën. Asht e sigurt që Dante njihte gjithashtu Bukoliket, por nuk asht e sigurt nëse njihte edhe Gjeorgjiket" (Jakomuci, fq.10). Në Kangën XX (v.114), në gojën e Virgjilit Dante do të vendosë këto fjalë: "kshtu ban rrëfim / tragjedia ime - në shumë raste thanë: / e din mirë, lexue e ke fund e fillim". Faktin që, në një vend si ky, po ndeshet me një poet (dijetar) të cilit ia njeh veprën shumë mirë, asht dobi për Danten, mbasi njohja do të ndikojë shumë në cilësinë e komunikimit.

[28]    të bukrin stil - Stili tragjik, si ai i Eneidës, ushtrue nga Dante për të thurë poezi me përmbajtje morale dhe doktrinale. Simbas tij, tre ishin stilet poetike: tragjik, komik dhe elegjiak. Ndër këta tre, vetëm ai i tragjedisë trajton tema të mëdha (luftë, dashuni, virtyt), dhe konsiderohet si stili ma i naltë. Ky stil përfshinte si dramën, ashtu edhe epopenë, por për Danten gjente shtrimje edhe në kangë, gjini ku shumë pak shkëlqenin. Kështu, kalku ma i përshtatshëm asht padyshim Virgjili, që për të asht ma i madhi mjeshtër.

[29]    dijetar - Për Danten, që nuk ban përjashtim nga mendësia e epokës së tij, poetët antikë ishin dijetarë, njerëz mbushë me dituni dhe urtësi. Gjithashtu, edhe poezia në vetvete konsiderohej urtësi. Siç do ta shohim edhe në Kangën IV (v.110), Dante quen dijetarë Homerin, Ovidin, Horacin Lukanin. Gjithashtu, në Purgator (XXIII), kështu quen edhe Stacin.

      gjakun m'ngriu dhe dridhë m'ka mishin t'tanë - Interesant asht shpjegimi i Bokaços: "Trupi dridhet kur braktiset nga gjaku, gja që ndodhë kur zemra ndien frikë të skajshme e, si pasojë, gjaku përqëndrohet në te për ta ngrohë. Për këtë, meqenëse pjesa tjetër e trupit mbetë pa gjak, asht e zbehtë dhe fillon e dridhet". Kjo tregon se Dante po përshkruen si të jashtëzakonshme frikën që e ka kapë ndërsa asht gjendë përpara ulkojës...

[30]    tjetër rrugë me bâ - Virgjili, natyrisht që nuk e këshillon Danten të kthehet mbrapa (madje e ka qortue ma parë për këtë, v.78), por nga ana tjetër, tue e ditë se asht e pamundun me e kalue ulkojën, edhe se ka autoritetin me hapë çdo rrugë (siç do e shohim në Kangën II), i sugjeron atij një mundësi tjetër. Fakti që Virgjili nuk i drejtohet ulkojës për të hapë rrugën, si Karontit, Plutit, apo qenieve të tjera infernale, asht për t'u veçue. Në rastet përmendë sipër, Virgjili vepron me autoritet, ndërsa këtë radhë, as nuk i drejtohet ndopak asaj bishe turipërgjakë. Pse?! Qeniet e tjera, në hymje të rrathëve, janë demonë dhe, tue qenë të tillë (tundues), janë faktorë të jashtëm. Nisë nga kjo, Virgjili mund të ndërhyjë e të ballafaqohet me ta, mbasi ka autoritetin e Perëndisë. Por në këtë rast ulkoja nuk asht demon, por vetë natyra njerëzore, vetë prirja e njeriut drejt mëkatit e, tue qenë se buron prej brenda tij, gja në botë nuk mundet me e shmangë nga rruga që ka marrë (me dashje). Kthimi në Rrugë të Drejtë asht një proces i gjatë dhe i dhimbshëm. I gjatë aq sa njeriu ka nevojë, përmes pësimeve, të ndryshojë mendje; i dhimbshëm, sepse atij i duhet të lëshojë copa të tija të mëdha, copa që dhembin. Kështu Virgjili (arsyeja njerëzore), as e merr mundimin me përzanë bishën, por vetëm me e drejtue me mençurinë e vet dhe Hirin e Perëndisë përmes kësaj rruge të gjatë e të mundimshme: ndryshimit të bindjeve, ndryshimet të qëndrimit, ndryshimit të drejtimit. Nga ky kand vështrimi, rruga e gjatë dhe e mundimshme përmes Ferrit, që sugjeron Virgjili, asht ma e arsyeshmja, thjeshtë sepse asht e vetmja e mundshme.

[31]    sepse kjo bishë... e shqyen - Për arsyet që thamë, s'asht e mundun me iu drejtue kodrës, sepse kjo ulkojë asht pengesa e brendshme e njeriut, asht ai vetë. Për sa njeriu të qëndrojë vetëdijshëm në mëkat e të vetëmbërthehet pëlqyeshëm në të, mundësia e shpëtimit asht zero. Përndryshe do të përbante kundërshti: "s'mund t'falet kush pendue nuk asht i tanë, / as t'pendosh e t'dëshirosh nuk asht e mundë, / për shkak të kundërshtisë që kjo përmbanë" (K.XXVII, v.118-120). Kështu, përderisa njeriu të jetë në këtë gjendje, asht i humbun, i shkretuem nga kjo bishë-mëkat, çka rezulton fatale për të, sepse automatikisht sjell ndamjen e tij nga Perëndia.

[32]    mbrapështia e saj - Natyra e ulkojës (lakmisë) asht e tillë: sa ma shumë kënaq dëshirën, aq ma shumë asht e uritun për të tjera... Edhe në Purgator (Kanga XX, v.10-12), Dante shpërthen: "Je e mallkueme, o ulkojë e vjetër, / ma shumë se t'tjerat bisha ke pré / shtye nga uja që s'e pash kund tjetër". Në këtë tercinë të Purgatorit, nënvizojmë se të tjerat bisha janë lonza dhe luani, ndeshë ma parë. Dante hakërrehet kundër këtij vesi që shkatërron njeriun, gja që pasqyrohet drejtpërdrejt me rrënimin e jetës shoqnore dhe politike. Në Komedinë Hyjnore, ky rrënim, asht një prej ankimeve, madje motiveve të thurjes së saj.

[33]    Të shumta janë gjallesat... - Dy janë interpretimet që komentuesit na japin për këtë varg: 1. Lakmia kurvëron me shumë njerëz e të shumtë janë viktimat e saj; 2. Lakmia vepron në bashkësi me mëkate të tjera, që të vijë në plotësinë e saj, rrënimin... Pali shprehet për lakminë në letrën e parë dërgue Timoteut (6:10): "Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, për shkak të saj, disa u larguan nga besimi dhe e futën veten e tyre në shumë dhimbje".

      porse për mnerë... kur koha t'plotësohet - Pasazh profetik. Komentuesit nuk shprehen me siguri se për çfarë e ka pasë fjalën poeti.

      Langoi - Qen gjuetie. Në këto rreshta duhet kuptue si alegoria e një reformatori aq shumë të nevojshëm e të shpresuem nga Dante e bashkëkohësit e tij, të bindun se, për të fitue mbi korrupsionin, veset dhe mbrapshtitë (lakmitë) që po mbysin Firencen, duhet një ndërhymje providenciale, e aftë të rivendosë rendin në një shoqni thellësisht të çoroditun, qoftë në rrethet fetare, qoftë në rrethet politike, çka ka sjellë humbjen e vlerave tradicionale. Për këtë bien dakord të gjithë komentuesit. Por aty ku ndahen ato, asht identifikimi i Langoit, për të cilin të vjetrit mendojnë se përfaqëson një përtëritës të Kishës, një freskim ungjillor që pritej prej kohësh (por që erdhi mbas shumë kohësh...), ndërsa disa më të vonshëm e shohin Langoin si paqtues të situatës politike, si një i tretë, mbi palët. Për sa na përket, kemi ndjekë rrugën e komentuesve të vjetër, të cilët nuk shohin në Langoin një personazh historik, por providencial.

[34]    As tokë, as kamje Atë s'do e thyejnë - Në këtë tercinë Dante na tregon se si do (duhet) të jetë ky përtëritës (reformator): 1. nuk do rrehet nga kamja (pasunia) - Në natyrë, krejtësisht i kundërti i ulkojës dhe, si i tillë, i pakorruptueshëm me pasuni. Kjo asht një karakteristikë e krishtenë e predikueme nga Krishti dhe fort e zbatueme prej tij, siç na dëshmohet në Ungjill. Pasunia përban lakun e të gjithë atyne që janë të dhanë mbas të mirave materiale e që nuk u përkushtohen aspak shëndetit shpirtnor. Një kualitet i tillë shpirtnor, të qenit i patundueshëm nga pasunia, asht në kontrast të mprehtë me frymën materialiste të kohës së Dantes. Ai asht shumë afër atyne grupeve sociale që kërkojnë ta shohin Kishën të vorfën materialisht (çka e dëshmon në shumë raste përgjatë këtij Kantiku, sidomos në Kangën XIX), si në fillimet e veta, në kohnat apostullore (shek.I) e jo të zhytun në luksin ma verbues, të cilit, shkëlqimi i Solomonit nuk do i rrinte afër. Këto grupe nuk ia kursenin Kishës kritikat edhe për strukturën hierarkike, një tjetër aspekt që e bante atë të largët nga fillimet e saj e nga modeli i propozuem prej Krishtit, kryesisht me shembullin e vet personal... 2. plot... virtyt - Langoi do të jetë i prirun drejt vlerave shpirtnore, gja që e ban të ngjashëm me Perëndinë: dituni, dashuni, virtyt. Në traditën katolike, me këto cilësi asht veshë figura e Perëndisë në trinitet: dituni (Biri), dashuni (Shpirti shenjt), virtyt-fuqi (Ati). 3. foshnje do e mbështjellin n'pëlhurë pa vlerë - Në koherencë me dy vetitë e naltpërmenduna, pa pasuni dhe tue mos i kërkue ato, i drejtuem kah vlerat shpirtnore e morale, nuk ka asnjë mundësi të jetë një person me origjinë fisnike, por me prejardhje të thjeshtë e pa lavdi. Edhe në këtë rast, Dante jo pa qëllim, na ofron një imazh të Krishtit, pikërisht për arsyet që thamë ma nalt. Siç Ungjilli na dëfton, Jezusi nga Nazareti asht rritë nga një familje krejt e thjeshtë, që jetonte tue punue, lindë jo në sallon luksi si të Herodit (mbretit hebre të kohës), por përkundrazi, në një grazhd (stallë); ngrohë, jo me pelena mëndafshi, por me pëlhurë të thjeshtë (pa vlerë, jo e kushtueshme), shtrue mbi kashtën rastësore (në origjinal: tra feltro e feltro, ku feltro - pëlhurë e përftueme jo me thurje të leshit, por me rrahje, ngjeshje / hoepli.it - shajak).

[35]    n'vuejtje zhytë... - Dante, me këtë varg, na shfaq gjendjen e gadishullit, pikërisht brejtë nga korrupsioni që sjell lakmia, nga e cila qenë mbërthye Kishë e Parí. Ai vëren dhe prezanton një gjendje të mjerë për vendin e tij, i cili ka nevojë për shpëtim e pikërisht të llojit të cituem ma nalt.

      për t'cilën... përmbytë... - Me anë të këtyne personazheve historikë, Dante përpiqet të kujtojë rrugën e dhimbshme, por njëkohësisht të lavdishme, që ka përshkue toka italike përgjatë shekujve, mbushë me sakrifica sublime e gjakderdhje, panoramë që asht në kontrast të dukshëm me atë aktualen, çka poeti padit e qorton pa rreshtë në këtë kantik.

      Kamila virgjëneshë - Protagoniste në Eneida, bijë e Metabit, mbretit të Privernit, ka luftue kundër Eneut, vra në luftë e sipër nga Arunti (krahaso Eneida XI, v.531).

      Euriali... e Nizi - Trojanë, që pas luftës gjetën strehim në gadishullin italik. Miqësinë e ngushtë të të cilëve e rrëfen Virgjili, e cila, falë një fati të përbashkët, do t'i dërgojë së bashku në vdekje, gjatë një sulmi të befasishëm të kampfushimin e rutulëve (Eneida IX, 176-502).

      Turni - Mbreti i rutulëve, vra nga Enea (Eneida XII, v.887-952). Dante përmend pa dallim, heroj trojanë e latinë, për të tregue në këtë mënyrë se pikërisht bashkimi (mbas shumë luftnash e gjakderdhjeje) i trojanëve me latinët vendas asht fara e asaj që do të shkëlqente për gati 2000 vjet, rrezatimi i të cilës ende nuk asht shue, e që do të quhet krenisht Romë. Prandaj, nuk asht rastësi që Dante, mjerimin aktual, të shkaktuem nga ulkoja e lakmisë së pangishme, kalbëzimin e vlerave të moralit e të besimit, e vë përballë lavdisë së Romës së dikurshme.

[36]    Do ta përzajë - Ka lidhje me Langoi (v.102). Ai, me drejtësinë dhe me natyrën e tij të pakorruptue-shme, do t'i shpallë luftë të papajtueshme ulkojës (lakmisë) e do bajë pikërisht atë çka toka italike ka nevojë, përzanien e kësaj bishe nga çdo qytezë (kupto: nga Kisha e Politika), e do i kthejë ato në pastërtinë e natyrës së parë.

      lakmia e parë - Aludim për Satanin (apo Luciferin), i pari që ka lakmue madhështinë e Perëndisë dhe që e mbolli këtë ves ndër njerëz. Për ta ilustrue, citojmë nga Kanga XXXIV, v. 34-36 (cit.). Kështu, meqenëse lakmia (ulkoja) ka burimet e veta tek Satani, që asht tashma në Ferr, Langoi - shpëtimtari, aty, tek gjeneruesi i vet, do ta dërgojë këtë bishë të mbrapshtë.

[37]    Prandaj... do të t'çoj - Tue e pa se asht e pamundun me ba përpara, drejt kodrës me dritë dhe, meqenëse ka vendosë mos me u kthye ma në pyll, Virgjili i propozon dhe njëkohësisht e siguron se rruga ma e mirë për të asht ta ndjekë nëpër një shteg tjetër, përmes vendit të përjetshëm. Në tercinat në vazhdim, Virgjili i përshkruen shkurtimisht Dantes se ç'janë këto vende: Ferri (v.115-117); Purgatori (v.118-120); Parajsa (v.121-129). Ai mendon se një kalim i tillë në mbretninë e vdekjes, do ta bante Danten me reflektue, ndërsa sheh konkretisht mallkimin dhe bekimin, në mënyrë që të heqë dorë prej mëkatit - pyllit zhytë n'errsi... Në shënimet ma poshtë do t'i trajtojmë ma imtësisht.

      në vendin e përjetshëm - Perifrazim për botën e vdekjes e, meqenëse për Latinët, kulturën e mentalitetin e të cilëve shpeshherë në kantik e përcjell Virgjili, vdekja ishte një mbretni e vetme dhe e përhershme humbjeje: i vdekuni konsiderohej i humbun, pavarësisht nga jeta që ka ba. Mendësi e tillë, të tillë të folme prodhon, çka me dashje Dante e vë në gojë të Virgjlit për të ba dallimin, jo veç mes kulturave tashma të largëta, por edhe kontrasteve mes besimit pagan dhe atij të krishtenë.

[38]    do ndjesh ... terratisë - Në këtë tercinë Virgjili shkurtimisht përshkruen Ferrin, si dhe banorët e tij që, kaq shumë mundohen, saqë dëshpërimisht kërkojnë vdekje të dytë. Asht një gjenialitet poetik kjo gjetje e Dantes! Sa fjalë do të duheshin për të përshkrue mjerimin në Ferr?! Kaq shkurt, sakt e mjaftueshëm na vjen ky përshkrim: vdekje t'dytë thërrasin terratisë. Pikërisht për ngarkesën e tij, ky varg asht ndër ma të diskutuemit e të duartrokitunit e Komedisë. Komentuesit e hershëm kanë dhanë tri shpjegime të pranueshme. Për Bokaçon, të dënuemit kërkojnë vdekjen e shpirtit, sepse atë të trupit, vdekjen e parë, tashma e kanë provue. Tue pasë edhe të dytën mendojnë se do të shpëtojnë nga vuejtja. Për Butin, të dënuemit po presin ringjalljen e trupave që do ndodhë në Gjyqin e Fundit, me të cilin do të vijë edhe dënimi i përjetshëm dhe përfundimtar, asgjësimi total (edhe i trupit, edhe i shpirtit). Kështu, në asgjësimin total mbaron edhe vuejtja e tyne. Sipas Otimit, asht thjesht një shpresë e dëshpërueme, që përmes absurdit shpreh vuejtjen që ata provojnë.

[39]    ke me pa... të tjerët e bekuem - Në këtë tercinë Virgjili përshkruen mbretninë e dytë të vdekjes, Purgatorin, ku banorët, në ndryshim nga ata të Ferrit, njësoj vuejnë, por kanë atë çfarë nuk kanë të parët, shpresën. Këta shpresojnë që një ditë, mbasi të jenë pastrue mjaftueshëm (Purgator - purgere - pastrues), do t'u bashkohen të bekuemve të Parajsës.

      n'zjarr t'përvëluem - Simbas dijetarëve të lashtë, pastrimi ma i mirë asht me zjarr, sepse ai transformon në mënyrë rranjësore objektin, tue e ndryshue cilësisht. Këtu e ka zanafillën mendimi se, në Purgator, shpirtnat pastrohen me anë të zjarrit. Tue e marrë këtë hamendësim për bazë, ka rrjedhë dënimi me djegie në turrë të druve. Si duket, asht mendue kështu për të mirën e qyqarit që digjej i gjallë: të shkojë në mbretninë e Perëndisë drejtpërdrejt, pa pasë nevojë me kalue ma parë në zjarrin pastrues të Purgatorit. Kështu, të bekuemit që digjnin mëkatarët për së gjalli, mendonin se edhe i dënuemi do i vlerësojë nga Përtej (sepse ua kursejnë mundimet e Purgatorit), edhe Perëndia vetë ka me ua ditë për nderë, se po i shkurtojnë punë (tue eleminue procedurën Purgator)...

[40]    Mes tyne, n'daç t'përpjetën ti me e zanë - Në vargjet 121-129, Virgjili i përshkruen Dantes mbretninë e tretë, Parajsën, banorët e të cilës janë të lumtun, në prani të Perëndisë. Për arsyet që do të thuhen ma poshtë (v.124-126), me të dalë nga Purgatori, nuk do të jetë Virgjili udhërrëfyesi i Dantes në Parajsë.

      një shpirt ma i dejë - Beatriçe do të pasojë Virgjilin në drejtimin e Dantes përmes mbretnisë së tretë, Parajsës. "Dhe alegorikisht na thotë se Arsyeja njerëzore, përfaqësue nga Virgjili, nuk asht e mjaftueshme për me mbërritë në lumtuninë e të shpëtuemve. Por Beatriçe, që simbolizon në poemë Teologjinë, do ta mësojë Danten të ushtrojë besimin e tij, pikërisht atë që arsyeja njerëzore nuk mund as ta kuptojë, as ta pranojë" (Buti, f.50).

[41]    se Perandori... në kundërshti - Virgjili, për sa ishte gjallë, nuk arriti të ketë asnjë informacion për Krishtin e aq ma pak për doktrinën e Tij të shpëtimit. Lajmi i mirë asht se Jezus Krishti thotë: "Kush më ka pa mue [kush beson në mue], ka pa Atin [Perëndinë]". Kështu, meqenëse Virgjili ishte herët në kohë, nuk kishte asnjë mundësi ta përmbushte këtë kusht: të besojë në Jezus Krishtin, në mënyrë që ta njohë Perëndinë (çka dëshpërimisht e shpreh në vargun 129). Kundërshtia e tij në këtë rast asht vetëm mungesë informacioni... Kështu, meqense "nuk ka pasë mundësi të shohë Krishtin", nuk ka asnjë mundësi "të shohë Perëndinë". Prandaj nuk mund të jetë në asnjë mënyrë Virgjili udhërrëfyesi i Dantes në Parajsë, ku Perëndia asht i pranishëm.

[42]    Kudo sundon... - Duket si lojë fjalësh, por Dante flet qartë: të sundosh do të thotë të ushtrosh pushtetin përmes të mandatuemve; të qeverisësh do të thotë të ushtrosh autoritet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Bota asht nën sundimin e Perëndisë, pushteti i të cilit i asht mandatue të tretëve, që janë në shërbim të Tij. Por, në Parajsë Ai qeveris drejtpërdrejt.

      o, i lumi ai... - Me anë të këtij apostrofi Virgjili ankon të mirën që ka humbë dhe dënimin, që për të (e të gjithë si ai, të cilët do t'i ndeshim në Kangën IV) asht me dëshirue Qiellin, pa shpresue se do ta shohë ndonjëherë (krahaso: për ç'dëshirojmë, shpresa pa pasë kurrfarë - K.IV, v.42).

[43]    Poet... me iu largue - Në gjendjen e mjerueme ku Dante ndodhet (morale e shpirtnore), tue mos e pasë të mundun me shkue drejt kodrës, që asht Rruga e Drejtë, propozimi i Virgjilit vjen si një shpëtim. Me i ikë atij pylli, atyne bishave do të ishte mjaft, aq ma tepër një dënimi të përjetshëm.

      pashë atë Zot, ku s'pate ti besim - Dante i përbetohet, i lutet e i përgjërohet Virgjilit në mënyrën ma absurde të mundshme... I qet bé Krishtin, të cilin Virgjili nuk e ka njohë. Me këtë lojë gjeniale kontrastesh shpeshherë Dante na thotë me pak atë çka nuk mund ta shprehin shumë fjalë.

[44]    Portën e Shën Pjetrit - Ka dy interpretime: 1. Komentuesit ma të hershëm mendojnë se kjo portë, asht Porta e Purgatorit, ku qëndron Pjetri me çelësat e tij, e ku ndan ata të Purgatorit nga ata të Parajsës; 2. Komentuesit e vonshëm, mendojnë se bahet fjalë për Portën e Parajsës. Por, meqenëse nuk ka me qenë Virgjili udhërrëfyesi në Parajsë, mendojmë se Dante këtu po flet për derën e Purgatorit, kur thotë: më dërgo... , të shoh Portën e shën Pjetrit.

Fjalor shpjegues i Këngës I

NË TEKST

• dridhue (me u) I, v.48 “dridhem; më zënë të dridhurat”; zgjerim me -o i foljes me u dridhë.

• frikëplotë I, v.94 “i mbushur me frikë; i frikësuar në shkallën sipërore absolute”; ndajfolje e formuar nga një emër dhe një ndajfolje; kompozitë me rendin invers të fjalëve “plotë frikë”; neologjizëm i paregjistruar ndër fjalorët e shqipes.

• gëzoflarmi I, v.42 “/kafsha/që e ka gëzofin me lara, të larmë”, kompozitë e ndërtuar nga gëzof + larmi, krijim i autorit.

• kolmue (me u) I, v.98 “me u plotësue; me u mbushë”, formim nga mbiemri (i) kolmë “i shëndoshë; i mbushur (në trup)” me prapashtesën -o (kolm + o/j/).

• lonz/ë,-a I, v.32 “bishë e egër, qenie legjendare, e krijuar nga gojëdhënat popullore të kohës së Dantes”.

• mner/ë,-a I, v.101 “tmerr; frikë e madhe përpara një rreziku”.

NË SHËNIME

• alegorikisht I, sh.7 “në mënyrë alegorike”, ndajf. e formuar nga emri alegorί me prap. -isht.

• apostullor~e I, sh.34 “që i përkasin apostujve; që janë të kohës së apostujve”.

• dihatës~e I, sh.8 “që merr frymë shpesh e me vështirësi; që gulçon”, formim nga folja dihat me prap. -/ë/s~e.

• felin,-i I, sh.14 “gjitar mishngrënës i familjes së maceve, ku hyjnë macja, tigri, luani, etj.”.

• francezis/ëm,-ma,-i I, sh.23 “/fjalë/ të gjuhës franceze”; formim nga francez me prap. -isëm.

• gjenialitet,-i I, sh.38 “të qenit gjenial (që ka cilësitë e gjeniut; ai që gëzon shkallën më të lartë të fuqisë dhe mprehtësisë mendore)”; këtu: “fenomen poetik jashtëzakonisht i fuqishëm”.

• gjeografikisht I, sh.1 “që i përket gjeografisë”; ndajfolje e formuar nga gjeograf me prap.-ik + -isht.

45 Për t'u ardhur në ndihmë, veçanërisht lexuesve të rinj, që nuk e njohin sa e si duhet gegërishten letrare, kemi dhënë në fund të çdo kënge shpjegimin e fjalëve të rralla, të cilat përgjithësisht nuk dalin në fjalorët e shqipes të viteve 1980 e 2006. Këto fjalë ne i kemi qëmtuar në fjalorë të vjetër të shqipes, po  kryesisht në vjeljet (e botuara) të leksikut të shkrimtarëve gegë duke nisur me Gj. Fishtën, e në vazhdim me: B. Palaj, E. Koliqi, M. Camaj, V. Malaj, F. Alkaj (përkthimet) etj. Gjithashtu kemi mbajtur parasysh leksikun e zgjedhur e të botuar të “Këngëve të Kreshnikëve”, të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” (Sh. Gjeçovi), të “Prrallave Kombëtare” (D. Kurti) etj. Krahas, për nevojat e një përkthimi të saktë, na është dashur të krijojmë vetë fjalë të reja (neologjizma), të natyrave nga më të ndryshme, duke u nisur së pari nga kuptimi i ri i fjalëve e deri te fjalët krejtësisht të reja, po gjithsesi të ndërtuara sipas gjedhes (modelit) të gjuhës shqipe, duke iu referuar ndërtimeve të ngjashme me para e prapashtesa, kompozita etj., që gjallojnë ende në gegërishten letrare.

Për seicilën fjalë është dhënë së pari shpjegimi i saktë i saj, e më pas ndonjë shënim filologjik për sqarimin e mëtejshëm të tyre. Po kështu kemi vepruar edhe për huazimet etj. Fjalët janë rreshtuar sipas rendit alfabetik e duke ndjekur shembullin e fjalorëve. Foljet janë dhënë gjithnjë në paskajore, duke i ndenjur besnik kështu dialektit gegë, e në disa raste të veçanta janë shpjeguar po me paskajore, e cila e mbulonte më saktë e më mirë kuptimin e foljes. Për lehtësi pune fjalët e shpjeguara janë ndarë në dy grupe. Së pari janë rreshtuar, sipas radhës alfabetike, fjalët që gjenden në tekst e, më pas, në grupin e dytë, ato që dalin ndër shënime. Numri i shënuar pas fjalës bazë tregon vargun (për grupin e parë) dhe shënimin (për grupin e dytë), ku ndodhet fjala  përkatëse. Kjo mënyrë pune është përdorur në të gjitha këngët përkatëse, në fundin e të cilave do të rreshtohetm “Fjalori shpjegues”.

• infernal~e I, sh.30 “që i përket ferrit”, huazim nga ital. infernale me të njëjtin kuptim.

• kampfushim,-i I, sh.35 “vendvendosje e ushtrisë kur kjo ndodhet në fushim”; kompozitë e formuar nga dy tema emërore kamp + fushim; përfundim i një pranëvënie (juxtapozicioni) kamp i fushimit = kamp fushimi, kampfushim.

• kantik,-u I, sh.1 “këngë”, huazim nga ital. cantica po me të njëjtin kuptim. Këtu bëhet fjalë për një prej tri pjesëve të “Komedisë Hyjnore”, “Ferrin”. Dy pjesët (kantikët) e tjerë janë “Purgatori” dhe “Parajsa”.

• kastiguem (i) I, sh.26 “i ndëshkuar, i sticuar; i shqetësuar”, fjalë e vjetër dhe e vjetruar që përdoret në Gropën e Shkodrës. Është formuar përbrenda gjuhës nga folja kastigoj “ndëshkoj”, e kjo vetë nga ital. castigare po me të njëjtin kuptim.

• katalogue (me u) I, sh.1 “me u vendosë në katalog”, formim nga emri katalog me prap. -o/j.

• krenisht I, sh.35 “ndf. krenarisht; në mënyrë krenare”; trajta e gegërishtes, e formuar nga shumësi i emrit krye me prap. -isht.

• kurthuem (i) I, sh.1 “që është i rrethuar; i zënë ngusht; që është i zënë në kurth”; formim nga folja kurthoj “zë në kurth; rrethoj”; të dyja këto fjalë neologjizma të autorit.

• lajmëruem (i, e) I, sh.33 “fenomen që është lajmëruar që më parë” (këtu: ardhja e dytë e Krishtit); formim nga folja (me) lajmëruem.

• latinizëm,-i I, sh.23 “fjalë që i përket gjuhës latine; fjalë e leksikut latin”.

• mishnor~e I, sh.13 “që rrjedh nga mishi, trupi, natyra njerëzore (instinktet bazë); që nuk është frymëror, që nuk ka natyrë të perëndishme”; formim nga emri mish me prap. -/ë/nor~e”.

• mishënuem (i) I, sh.33 “që shprehet në mënyrë konkrete a lëndore; që jepet si të ishte e gjallë, që shfaqet i trupëzuar”; formim nga pjesorja e foljes me mishnue.

• mëkatnor~e I, sh.19 “që ka bërë mëkat; që ka mëkatuar”; formim nga emri mëkat me prap. e aglutinuar -/ë/nor.

• mosvallë I, sh.1 “ndf. mos vallë”, formuar nga pranëvënia (juxtapozicioni) i mos vallë.

• ndrit/ë/ (me u) I, sh.1 “ndriçohem”.

• neveritun (i) I, sh.5 “që ka neveri”.

• njëanue (me) I, sh.20 “mënjanoj; vë një objekt a diçka tjetër në një anë; veçoj”; kompozitë e formuar nga numërori një dhe folja me anue. Neologjizëm i krijuar nga autori.

• okulte I, sh.1 “të fshehta”, huazim nga italishtja occulto “i fshehtë, i padukshëm”.

• pakorruptueshëm (i, e) I, sh.34 “që nuk korruptohet, kalbet; këtu: që nuk shet shpirtin për pasuni”; formim me parashtesën pa- dhe mbiem. (i) korruptueshëm.

• pangishmënί,-a I, sh.16 “dukuria e pangopësisë; të qenët i pangopshëm; grykësi; lakmi”; formim nga emri ngishmënί me parashtesën pa-.

• papërmbajtshmënί,-a I, sh.13 “dukuria e të papërmbajturit, emërtimi i saj”; formim nga përmbajtshmënί me parasht. pa-. Në bazën e fjalës qëndron folja mbaj, me të cilën janë formuar fjalët e mësipërme.

• paqtues,-i I, sh.6 “ai që paqëton, që vë në paqë, që qetëson”, deverbativ nga folja me paqtue me prap. -s.

• providencial~e I, sh.24 “që ka të bëjë me natyrën parashikuese të Hyjnisë; që buron nga dëshira a vullneti i Hyjnisë”, huazim nga ital. provvidenziale me të njëjtin kuptim.

• përfigurim,-i I, sh.6 përfundimi i veprimit të foljes përfiguroj, formim me prap. -im.

• përfigurue (me u) I, sh.19 “parafytyroj; paraqitje a një fenomeni abstrakt me anë të një objekti konkret”, formim nga folja figuroj me parashtesën intensive për-.

• përshtat I, sh.2 “ndajf. sipas; konform; ndryshoj diçka sipas një nevoje”, kompozitë e krijuar nga për + shtat.

• përvojue (me) I, sh.19 “përfitoj përvojë; sprovohem”, prejemëror nga përvojë.

• riemnue me u) I, sh.16 “emërohem për së dyti; riemërohem”, formim nga folja me u emërue me parasht. ri-.

• rimatë I, sh.8 (me) “mat për së dyti; mat edhe një herë”, formim nga folja mat me parasht. ri-.

• rrejtj/e,-a I, sh.19 “gënjeshtër”, formim nga folja me rrejtë me prap. -je; neologjizëm i krijuar nga vetë autori (khs. formimet e ngjashme pasje, dalje, marrje etj.).

• shkëlqye (me u) I, sh.10 “marr dritë nga një trup tjetër”; përdorim në trajtë të pësores së foljes me shkëlqye, ky një kuptim i ri i saj.

• shpresuem (i) I, sh.33 “që pritet; që shpresohet (këtu: të vijë shpëtimtari)”; formim ngam folja me shpresuem; neologjizëm i krijuar nga autori.

• shtensionim,-i I, sh.10 “antonimi i tensionim-i”; formim me parashtesën sh- dhe tensionim.

• sintonί,-a I, sh.4 “harmonί; ngjashmëri”; huazim nga ital. sintonia me të njëjtin kuptim.

• tercin/ë,-a I, sh.8 “strofë me tri vargje”; huazim nga ital. terzina me të njëjtin kuptim.

• tretësor I, sh.1 “që është i rendit të tretë”; formim nga numrori tre (përkat. i treti) me prap. -/ë/sor (khs. parësor, dytësor).

• turîpërgjakë I, sh.30 “që i ka turinjtë e përgjakur a të mbuluar me gjak”; kompozitë e formuar nga turî + përgjakë; neologjizëm i krijuar nga autori.

• vetëbraktisë I, sh.20 “që ka braktisur veten (pushuar së luftuari për të mbijetuar)”; kompozitë e formuar nga vetë + braktisë, neologjizëm i autorit.

• vetëmbërthye (me u) 31 “me u mbërthye me dashje”, kompozitë e formuar nga vetë + mbërthye, krijim i vetë autorit.

• vetëmjaftues~e I, sh.6 “që nuk ka nevojë për ndihmë; që i mjafton vetja”, kompozitë e formuar nga vetë + mjaftues, krijim i vetë autorit.

• vetëprezantim,-i I, sh.26 “që prezantohet vetë; që paraqitet pa ndihmën e tjetërkujt”, kompozitë e formuar nga vetë + prezantim, krijim i vetë autorit.

• vicioz I, sh.1 “që përsëritet herëpashere”; huazim nga ital. vizioso po me të njëjtin kuptim.

 

Përktheu dhe pajisi me shënime e me fjalor, Meritan Spahija








All the contents on this site are copyrighted ©.