2017-11-18 06:00:00

Atë Françesk Solanus u shpall i Lum në Detroit të SHBA-ve


Në Detroit të SHBA-ve, u shpall sot i Lum nga Kisha Katolike, meshtari kapuçin Françesk Solanus. Papa Françesku përfaqësohej nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

Atë Solano Casey u lind më 25 nëntor 1870 në Uiskonsin të SHBA-ve. Prindërit, me origjinë irlandeze, e quajtën Bernard. Ishte i gjashti ndër dhjetë djem e gjashtë vajza. Punoi fillimisht në një ndërmarrje druri, pastaj në një spital, shofer tramvaji e roje.

Në moshën 21-vjeçare hyri në Seminarin dioqezan të Shën Françeskut në Miluoki e pas pesë vjetësh, vendosi të veshë rroben e kapuçinëve në Detroit, në vitin 1897, duke marrë emrin Françesk Solanus. U shugura meshtar më 1904 e si i tillë, shërbeu për 20 vjet në Nju Jork, Harlem dhe Jonkers. Pas shumë lëvizjesh, gjithnjë brenda SHBA-ve, u vendos përfundimisht në kuvendin e Shën Bonaventurës në Detroit, në vitin 1956.

Ia kushtoi gjithë jetën shërbimit për të afërmin. U lut për të gjithë e, në çdo orë të ditës a të natës, ishte gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar këdo, duke u kërkuar njerëzve vetëm dashuri e ndihmë për misionin e Kishës. Gjatë sëmundjes, që i mori edhe jetën, pati thënë: “Ofroj vuajtjet e mia që të gjithë të jenë një gjë e vetme. Ah sikur të mund të shihja vetëm kthimin e botës kah Zoti!” Pak çaste para vdekjes, u ul në shtrat e tha: “Ia jap shpirtin Jezu Krishtit!”. Ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare, më 31 korrik 1957 dhe u varros në kuvendin e Shën Bonaventurës.








All the contents on this site are copyrighted ©.