2017-11-17 15:00:00

Vatikan: imzot Becciu, në Kurien romake ka unitet


“Na bën pak të vuajmë kjo dëshirë për të na ndarë nga Papa, ndërsa ne jemi aty për të dhënë jetën për të". Kështu foli zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Angelo Becciu, dje, gjatë paraqitjes së librit “Takova Françeskun” të autoreve italiane Alessandra Buzzetti dhe Cristiana Caricato. Iu përgjigj atyre, që mbrojnë tezën se Papa lufton i vetëm për të reformuar Kurien Romake e nuk mbështetet prej saj. "Është e qartë se në Kurie mund të shprehim mendime të ndryshme, por ky është kontribut për ta bërë Kishën më të mirë. Është e natyrshme që të shprehemi. Por kam vërejtur se ka bindje të plotë ndaj Papës. Më vjen keq që shprehja e lirë është interpretuar si kontrast me Papën. Ka unitet të plotë në Kurie”. 

Por, gjatë paraqitjes, imzot Becciu tregoi edhe një sërë episodesh e kuriozitetesh, që nxjerrin në pah karakterin e personalitetin e Atit të Shenjtë. Për shembull, takimi i tij i parë privat me Papën, në Shtëpinë e Shën Martës.

“Hyra – tregoi imzot Becciu – e pashë dy karrige. Njëra, plot me libra e letra, prandaj u afrova për t’i hequr. Papa më ndali e më tha se s’kishte nevojë, sepse ai do të ulej mbi shtrat e kështu bëri. Në atë mënyrë, pak si jo të zakonshme, filluam bisedën tonë të parë”.

Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit tregoi edhe si lindi tradita për të thirrur për drekë në shtëpinë e tij, të Enjten e Madhe të Pashkëve, Papën dhe famullitarë të tjerë të Romës. “Në njërin nga takimet e para, Ati i Shenjtë më pyeti si ishte tradita e së Enjtes së Madhe. I shpjegova ç’bëhej në Vatikan e pastaj i thashë edhe se e kisha zakon të ftoja për drekë meshtarët, që ndiheshin vetëm, pasi ajo ditë është festa e meshtarisë. E Papa më pyeti kë do të ftoja atë vit? Iu përgjigja se i pari, që më vinte ndërmend, ishte ai vetë, pasi më dukej më i çorientuar se të gjithë! Që atëherë, nuk mungon kurrë”.

Imzot Becciu pranoi se stili i Papës Françesku e ka pështjelluar pak punën e diplomatëve. “Ti bën gjithçka kërkon protokolli – vërejti me të qeshur – e pastaj, ai ngre telefonin e flet drejtpërdrejt me krerët e shteteve, me të cilët, shpesh, pasi i takon në audiencë, lidh marrëdhënie personale. Kjo është pjesë e njeriut Jorge Bergoglio e duhet përshëndetur nëse sjell fryte”. Imzot Becciu kujtoi, në veçanti, audiencën me presidentin amerikan Trump. “Kur erdhi presidenti amerikan, po të gjykohej nga pamjet televizive, dukej sikur kishte ftohtësi gjatë takimit e ne ishim pak në ankth. Kur përfundoi biseda, doli përkthyesi i Sekretarisë së Shtetit, i cili, natyrisht, duhej të ruante sekretin, por më pa e më bëri një gjest me dorë, duke thënë ‘great, great’. Papa kishte qenë i madh. Kishte arritur të thoshte edhe gjëra që vështirë se do të pranoheshin nga Trump”.








All the contents on this site are copyrighted ©.