2017-11-17 15:00:00

Mianmar. Kard. Bo: Papa të takohet me të gjithë krerët fetarë


Më 27 nëntor, avioni i Papës Françesku do të mbërrijë në Yangon, në kryeqytetin e Mianmarit, etapa e parë në udhëtimin e tij të tretë në Azi dhe i pari në ish-Birmani, koloni britanike deri në vitin 1948. Ati i Shenjtë do të takohet me bashkësinë e vogël katolike, rreth 700 mijë vetë ndër 51 milion banorë, në meshën e 29 nëntorit, në parkun Kyakkasan e pastaj, me të rinjtë dhe me ipeshkvijtë, në katedralen e Shën Marisë. Por, në sytë e botës, pa dyshim, do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme takimi me presidentin e Republikës, Htin Kyaë, si edhe me këshilltaren e shtetit e ministren e jashtme, Aung San Suu Kyi, Çmim Nobel për paqen në vitin 1991.

Kryeipeshkvit të Yangon-it, kardinalit Charles Maung Bo, i cili nesër do të pritet në audiencë nga Papa Françesku në Vatikan, i kërkuam të na shpjegojë zhvillimet demokratike të Mianmarit, pas zgjedhjeve të lira të dy vjetëve më parë, që formalisht, i dhanë fund regjimit ushtarak:

Me San Suu Kyi ka pasur përparime në administratën publike, në fushën e edukimit dhe në nivelin e jetesës, por ushtarakët kontrollojnë akoma pjesën më të madhe të territorit e janë akoma shumë të fuqishëm. Pra, pavarësisht nga përparimet e shumta, vërejmë se demokracia jonë është akoma në një fazë fillestare dhe shumë të brishtë.

Fetë mund të luajnë një rol themelor në rindërtimin moral të vendit. Si mendoni ju, a do të bashkëpunojnë të gjitha palët për këtë?

Ne kemi konflikte e vështirësi me budistët, myslimanët dhe me të krishterët e tjerë. Kur lajmi i ardhjes së Papës u përhap në vend, u dëgjuan komente shumë negative nga ana e murgjërve budistë e nga më ekstremistët, të cilët tani, duket se kanë ndryshuar mendim e janë në favor të vizitës së Papës. Nesër, do t’i kërkoj Atit të Shenjtë të takojë, jashtë agjendës, privatisht, disa krerë fetarë, pavarësisht se këto takime nuk janë pjesë e programit protokollar. Ata u përkasin feve të ndryshme, budistëve, myslimanëve, hinduistëve, të krishterëve. Papa duhet t’i takojë të gjithë së bashku, jo për të promovuar vetveten, por për të hyrë në dialog me ta: ndoshta do të arrijë t’ua zbusë zemrat e ky mund të jetë hapi i parë drejt paqes.

Mianmari përshkohet nga shumë konflikte e dhunë ndërmjet ushtarakëve, që qeveria nuk arrin t’i kontrollojë, dhe grupeve të ndryshme etniko-fetare, si të krishterët e Shtetit të Kachin-it e myslimanët Rohingya në Shtetin e Rakhine-s. Rohingya-t detyrohen të ikin nga vendi që nga viti 1982, kur regjimi ushtarak birman u hoqi nënshtetësinë, duke ua mohuar atë. Nga fundi i gushtit e deri më sot, kanë shkuar në Bangladesh së paku 600 mijë vetë. E në kampet e refugjatëve në kufirin ndërmjet Bangladeshit e Mianmarit, po mbërrin dimri. E pyetëm kardinalin Bo si mund të ndalet kjo dhunë:

 Nuk më pëlqen të flas për genocid apo për spastrim etnik, por ka pasur episode shumë të rënda dhune që kur militantët Rohingya sulmuan postoblloqet e policisë. Ushtarakët e Mianmarit u përgjigjën dhunshëm, me sulme kundër militantëve, që reaguan me sulme të tjera më të reduktuara. Nga ana e tyre, ushtarakët u përgjigjën sërish, edhe më agresivisht, duke bombarduar, vrarë e djegur. Kjo s’duhej të kishte ndodhur e personalisht, mendoja se Aung San Suu Kyi do ta ngrinte zërin menjëherë, por foli mbrapa, pas këshillave të ish-Sekretarit të OKB-së, Kofi Annan.








All the contents on this site are copyrighted ©.