2017-11-17 13:10:00

Françesku: në Myanmar, në shenjën e pajtimi, faljes, paqes


Françesku përgatitet për takimin e shumëdëshiruar me popullin e  Myanmar-it, vend ku do të shkojë nga 27 deri më 30 nëntor. Në një videomesazh, me nëntituj në gjuhën birmane, Papa i përshëndet miqësisht të gjithë burrat e gratë e vendit aziatik, me më se 51 milion banorë. “Vij të shpall – shton Papa - Ungjillin e Jezu Krishtit, mesazh pajtimi, faljeje, paqeje. Ati i Shenjtë u drejtohet në mënyrë të veçantë katolikëve, pak më shumë se 600 mijë besimtarë, në një vend me shumicë budiste. “Vizita ime - pohon Françesku - dëshiron të përforcojë fenë e bashkësisë katolike të Myanmari-it në Zotin e në dëshmimin e Ungjillit, që i mëson dinjitetin çdo burri e çdo gruaje e kërkon t’ia hapim zemrat të tjerëve, posaçërisht më të varfërve e më nevojtarëve.

Respekt për çdo përpjekje në shërbim të krijimit të harmonisë

Papa i drejtohet edhe mbarë popullit të shtetit aziatik: “Dëshiroj ta vizitoj Kombin tuaj - pohon - me frymën e respektit e të inkurajimit për çdo përpjekje që synon krijimin e harmonisë e të bashkëpunimit, në shërbim të së mirës së përbashkët. "Ne jetojmë në një kohë, kur besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë e ndjejnë gjithnjë më shumë nevojën e thellimit të mirëkuptimit dhe të respektit si dhe dëshirën për ta mbështetur njëri-tjetrin, si anëtarë të një familjeje të vetme njerëzore. Sepse të gjithë jemi bij të Zotit”. Françesku i falënderon - në përfundim - të gjithë ata, që po angazhohen për përgatitjen e vizitës së tij në Myanmar: “U kërkoj të gjithëve të luten, që ditët në të cilat do të jem me ju të bëhen burim shprese e inkurajimi për mbarë popullin e vendit. Lutem edhe që Zoti t’ju japë ju e familjeve tuaja,  bekimin e gëzimit e të paqes.

Pas Myanmarit, shtegtimi apostolik do të vijojë në Bangladesh, nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor.








All the contents on this site are copyrighted ©.