2017-11-17 17:53:00

Amerika Latine: kujtesë, guxim e shpresë, në librin e Carriquiry


“Udha e paqartë e pavarësisë në Vendet e Amerikës Latine, me përparimet dhe prapambetjet e veta, gjithnjë e kërcënuar nga tipe të ndryshme kolonializmi, nuk ka përfunduar ende”. “Një valë e pandalshme depresioni, shkaktuar nga kriza ekonomike botërore, vijon të lërë gjurmë mbi tranzicionin deri në këtë çast, kur Amerika Latine duket sikur jeton në ankthin e pasigurisë, me struktura ekonomike të cënuara rëndë, me rritjen e vazhdueshme të varfërisë e me thellimin e honeve të përjashtimit shoqëror për shumëkënd”. Kështu shkruan Papa Françesku në parathënien e botimit të ri të librit “Memoria, Coraje Y Esperanza. A luz del Bicentenario de la Independencia de America latina” (Kujtesë, guxim e shpresë, në prag të Dyqindvjetorit të Pavarësisë së Amerikës Latine). Autor i veprës është  Guzmán Carriquiry Lecour, zëvendës-kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.
Duke folur për librin, autori sqaron: “Unë flas për nevojën e një pavarësie të dytë, që nuk do të jetë e mundur, nëse në Amerikën Latine nuk do të ketë zhvillim ekonomik të vetëmbështetur, nëse nuk do të kapërcehen honet e pabarazisë, nëse shoqëria latinoamerikane nuk do të arrijë të mbështetet në lidhjet familjare e shoqërore, nëse nuk do të ketë më shumë kujdes për shtëpinë e përbashkët, nëse nuk do ta zhvillojë më thellësisht e më urtisht integrimin e Kontinentit, nëse Amerika Latine nuk do t’i ketë më të qarta interesat dhe idealet e veta në koncertin botëror”.
Koncept ky, i ripohuar edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, që pohon: “Sfida e madhe e Amerikës Latine vijon të jetë ajo e kapërcimet të pabarazive shoqërore”.
E objektivi i Selisë së Shenjtë është të nxisë, përmes dialogut, zhvillimin e qëndrueshëm për Kontinentin jugamerikan, në të cilin krizat më të rënda vërehen në Venezuelë, ku vijon të ushtrohet dhuna; në Brazil, ku vijon korrupsioni; në Kolumbi, ku vijojnë përpjekjet e vështira për të siguruar paqen!








All the contents on this site are copyrighted ©.