2017-11-16 13:02:00

Papa: mbretërinë e Zotit e bën të rritet Shpirti Shenjt, jo planet baritore


“Mbretëria e Zotit nuk është shfaqje, as karnavale! Mbretërisë së Zotit nuk ia kënda publicitetin: është Shpirti Shenjt ai, që e bën të rritet, jo planet baritore”. Këtë kujtoi sot Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar Ungjillin e sotëm (Lk 17. 20-25). Filli i homelisë filloi të zhdridhej, duke nisur nga pyetja që i drejtojnë farizenjtë Jezusit: “Kur do të vijë Mbretëria e Zotit?”.

Pyetje e thjeshtë, kjo, që lind nga një zemër e mirë e që duket shpesh herë në Ungjill - nënvizoi Papa. - Për shembull, Shën Gjon Pagëzuesi, kur ndodhet në burg, i pushtuar nga ankthi, i nis dishepujt e tij për ta pyetur Jezusin nëse ishte ai, që duhej të vinte, apo duhej pritur tjetërkush. Ose, në një fragment tjetër, pyetja përsëritet, këtë herë pa pikë turpi: “nëse je ti, zbrit nga kryqi!”. I pranishëm “gjithnjë dyshimi”- vërejti Françesku -  “kurioziteti”, etja për të ditur kur më do të vijë mbretëria e Zotit!   

“Mbretëria e Zotit është mes jush”: përgjigjet Jezusi. Ky është “lajmi i mirë”, i dhënë në sinagogë të Nazaretit, kur Jezusi, pasi lexon një pjesë nga Libri i Izaisë, u thotë se ai Shkrim i Shenjtë "po përmbushej atë çast, mes tyre”.

Ashtu si fara që, e hedhur në tokë, rritet nga brenda, kështu edhe Mbretëria e Zotit rritet “në fshehtësi ndërmjet nesh” - pohoi Papa - ose gjindet e fshehur, si margaritari a si thesari, por “gjithnjë përvujtërisht”.

“Po kush e rrit këtë farë, kush e bën të mbijë? Zoti, Shpirti Shenjt, që e kemi në shpirtin tonë. E Shpirti Shenjt është shpirt i butësisë, shpirt i përvujtërisë, është shpirt i bindjes, shpirt i thjeshtësisë. Është ai, që e bën të rritet mbretërinë e Zotit në shpirtin tonë, nuk janë planet baritore, punët e mëdha! Jo! Është Shpirti, në fshehtësi. Ai rrit e arrin pastaj çasti, kur duket fryti”.

Hajdutin e mirë Papa e kujtoi me një pyetje retorike: “Kush ishte ai, që e mbolli farën e mbretërisë së Zotit në zemrën e tij?" Thua e ëma, apo ndonjë rabin, duke ia shpjeguar Ligjin? Pastaj ai e harroi këtë. Por, në një farë pike, Shpirti Shenjt, në fshehtësi, e bëri të mbijë e të rritet. E gjithë kjo  -  kujtoi Papa - tregon se mbretëria e Zotit është përherë “e beftë”, sepse, dhuratë e Zotit.

Jezusi shpjegon edhe se mbretëria e Zotit nuk vjen në një mënyrë, që tërheq vëmendjen, e askush nuk thotë: “Ja, është këtu, është atje…”. Mbretëria e Zotit nuk është shfaqje, a, më keq akoma, siç mendohet nganjëherë, karnavale - kujtoi Papa.

“Mbretëria e Zotit nuk kërkon të duket mendjemadhësisht, krenarisht, nuk ia kënda publicitetin: është e përvuajtur, e fshehur e kështu edhe rritet. Mendoj se kur njerëzit shikonin Zojën e Bekuar, atje, duke ndjekur Krishtin, pëshpërisnin: “Kjo është nëna, ah…” .Gruaja më shenjte, por në fshehtësi. Askush nuk e dinte misterin e mbretërisë së Zotit, shenjtërinë e mbretërisë . E, kur ishte pranë kryqit të të Birit, njerëzia thoshin: “E mjera grua, ç’po heq me këtë djalë, me këtë kriminel, mjer e mjera…! “Askush! Askush nuk e dinte”.

Mbretëria e Zotit, pra, rritet gjithnjë në fshehtësi, sepse është Shpirti Shenjt brenda nesh - kujtoi Papa - që e bën të mbijë e të japë fryt.

“Ne, të gjithë, jemi të thirrur ta bëjmë udhën e mbretërisë së Zotit, është thirrje, hir, dhuratë, falas, nuk blihet, është hir që na e dhuron Zoti. E të gjithë ne, të pagëzuarit, e kemi Shpirtin Shenjt në shpirt - kujtoi Françesku - që vijoi të pyesë: “Si është marrëdhënia ime me Shpirtin Shenjt? Me atë, që e bën të rritet në Shpirtin tim mbretërinë e Zotit?".  Pyetje e bukur, për t’ia bërë vetes çdo ditë: “Unë, a besoj? A besoj vërtet se mbretëria e Zotit është mes nesh, është e fshehur, apo më pëlqen shfaqja?”.

Françesku e përfundoi homelinë duke na nxitur të gjithë "t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt hirin ta bëjë të mungullojë në ne e në Kishë, me forcë, farën e mbretërisë së Zotit, të mungullojë e të rritet, të bëhet e madhe, t’u japë njerëzve strehë e t’u japë edhe frytet e shenjtërisë”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.