2017-11-16 14:50:00

Papa Françesku: “të mos braktiset kurrë i sëmuri”


Papa Françesku thekson nevojën e një reflektimi të urtë në fushën e mjekësisë, sepse sot, ka prirje për “trajtime, që prodhojnë efekte të fuqishme mbi trupin, por nuk sjellin asnjë përfitim për të mirën e përgjithshme të njeriut”. Në Letrën për pjesëmarrësit e Takimit Rajonal Evropian të Shoqatës Botërore të Mjekësisë, Ati i Shenjtë nënvizon se është “moralisht e ligjshme të hiqet dorë nga përdorimi i mjeteve terapeutike, ose të pezullohen ato, kur ky përdorim nuk përkon me atë kriter etik dhe humanist”, të cilin Papa e quan “proporcionalitet i mjekimit”. Kujtojmë se në Vatikan filloi sot një konferencë mbi trajtimin mjekësor në fund të jetës, organizuar në bashkëpunim me Akademinë Papnore për Jetën.

         Natyrisht, në Letrën për konferencën, Papa nënvizon se ideja e “proporcionalitetit të mjekimit” nuk është e njëjtë me eutanazinë, e cila mbetet gjithnjë e paligjshme, pasi propozon “ndërprerjen e jetës, duke shkaktuar vdekjen”. Por, nëse të gjitha mjekimet më të mira nuk arrijnë të përmirësojnë kushtet shëndetësore të njeriut në prag të vdekjes, atëherë shkenca e mjekësisë duhet të ndalet.

         Sipas Papës, tre janë aspektet, që duhen pasur parasysh: objekti moral, rrethanat dhe ndjeti i personave të interesuar. I sëmuri ka rolin kryesor në këtë shoshitje, nënvizon Ati i Shenjtë. “Vendimet duhen marrë gjithnjë nga pacienti – siç thotë qartë Katekizmi i Kishës Katolike, kur flitet për fundin e jetës. – Është ai, së pari, që, në bashkëpunim me mjekët, duhet të vlerësojë trajtimet që i propozohen e të gjykojë proporcionalitetin e tyre me situatën konkrete”.

         Papa nuk e fsheh vështirësinë e këtij vlerësimi, që ka të bëjë edhe me kuadrin teknologjik dhe ekonomik të vendit, ku ndodhet pacienti, si edhe me mundësitë e tij ekonomike. Që këtej, thirrja e Atit të Shenjtë për “të mos e braktisur kurrë të sëmurin”, në mënyrë që ai të rrethohet nga dashuria deri në ditën e fundit të jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.