Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Mesazh i Benediktit XVI për Kongresin mbi Shën Bonaventurën

Papa i nderit, Benedikti XVI - AFP

16/11/2017 12:28

“Duke parë programin e Simpoziumit dhe temat e trajtuara, kuptoj se sa është pasuruar ndërkaq figura e Shën Bonaventurës e sa shumë mund të na thotë pikërisht në këtë çast të veçantë historik”. Kështu shkruan Papa i nderit, Benedikti XVI, në mesazhin për pjesëmarrësit e Kongresit ndërkombëtar me temë “Deus Summe Cognoscibilis. Aktualiteti teologjik i Shën Bonaventurës”. Në takimin, që nisi dje e do të vazhdojë deri të premten, marrin pjesë 48 relatorë nga vende të ndryshme.

Aktualiteti i Shën Bonaventurës

I organizuar në 800-vjetorin e lindjes së Shën Bonaventurës, Kongresi nuk është i pari i këtij lloji, por vijon traditën e takimeve të tjera ndërkombëtare, filluar që në vitin 1974. Gjatë punimeve u paraqit edhe vëllimi II i Veprës së plotë me titull “Kuptimi i zbulesës dhe i teologjisë së historisë në Shën Bonaventurën”, përkthimi i parë në italisht i tezës së doktoraturës së Papës së nderit.

Intervistë me atë Federico Lombardi-n

Mbi mesazhin e Benediktit XVI, ndalet në mikrofonin tonë, krytari i Fondacionit Vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, atë Federico Lombardi:

         “Papa i nderit i ka kushtuar Shën Bonaventurës një studim shumë të rëndësishëm kur ishte i ri. Është fjala për studimin që i mundësoi të bëhej pedagog në universitet. Më pas, i ka kushtuar Doktorit Serafik edhe një sërë reflektimesh të tjera gjatë jetës. Dua të vë në dukje këtu se, gjatë Koncilit II të Vatikanit, ndërhyrjet e ekspertit konciliar Joseph Ratzinger mbi Zbulesën Hyjnore shfaqnin qartas ndikimin nga mendimi i Shën Bonaventurës. Gjatë papnisë, Benedikti XVI i ka kushtuar Shën Bonaventurës tre katekeza. Foli për këtë shenjt edhe gjatë vizitës baritore në Viterbo e Bagnoreggio, atdheu i Doktorit Serafik, më 6 shtator 2009”.

Kongresi, fryt bashkëpunimi ndërmjet tre universiteteve papnore

Në ditën e parë të Kongresit u diskutua çështja e metodës teologjike dhe e zbulesës. Dita e sotme iu kushtua teologjisë së krijimit dhe kristologjisë. Nesër, anëtarët do të reflektojnë mbi tema të lidhura me ekleziologjinë. Kongresi është fryt i bashkëpunimit ndërmjet tre universiteteve papnore: atij Gregorian, Seraphicum dhe Antonianum.

Jeta e Shën Bonaventurës

Giovanni Fidanza, i njohur si Shën Bonaventura, u lind në vitin 1218 në Bagnoregio të Italisë. Fëmijë, u sëmur rëndë e u shërua pas takimit me Shën Françeskun, i cili në atë rast, brohoriti “Bona ventura”, duke i dhënë edhe emrin. Hyri në Urdhërin e Fretërve të Vegjël për të plotësuar premtimin, që e ëma i kishte bërë Zotit. Në vitin 1257 u zgjodh epror i përgjithshëm i Urdhërit françeskan. Vdiq në moShën 56 vjeçare, në vitin 1274. Në vitin 1588, Papa Siksti V e shpalli dijetar të Kishës, duke i dhënë titullin “Doctor Seraphicus”. Ndër veprat e Shën Bonaventurës, më e njohura është “Itinerarium mentis in Deum”. Është fjala për një itinerar filozofik, teologjik e mistik, që e shoqëron njeriun përmes gjashtë shkallëve të ngjitjes drejt Zotit, deri në paqen e kundrimit.

16/11/2017 12:28