2017-11-16 14:24:00

Françesku: Kisha ka shumë nevojë për bashkim


“Sot kemi shumë nevojë për bashkim, në Kishë e në botë”: këto, fjalët që u drejtoi Papa pjesëmarrësve në Asamblenë Ndërkombëtare të Konfederatës së Bashkimit Apostolik të Klerit, që po reflekton për rolin e barinjve në Kishat vendase.

“Përshpirtëria dioqezane - nënvizoi Françesku - është përshpirtëri bashkimi, sipas shembullit të bashkimit Trinitar”. E, siç thoshte Shën Gjon Pali II, sfida e madhe e shekullit të 21-të është që “Kisha të bëhet shtëpi e shkollë bashkimi”, duke promovuar përshpirtërinë e bashkimit. E kjo  mundësohet, falë kthimit tek Krishti, tek hapja e zemrave, për veprimin e Shpirtit Shenjt, e për mirëpritjen e  vëllezërve”. Duhet, prandaj, të bëhemi shenjtorë:

“Sot, si në të kaluarën, janë pikërisht shenjtorët, ungjillëzuesit më të frytshëm; e gjithë të pagëzuarit janë të thirrur të priren drejt shenjtërisë. Aq më tepër, shërbyesit e shuguruar. Mendoj për mendësinë e botës, për tundimin e  kësaj mendësie shpirtërore, shpesh të fshehur në ngurtësi, në mbylljen brenda vetes".

Barinjtë - pohoi me forcë Papa - janë të thirrur të vënë përparësen e shërbimit, të pyesin për mënyrën si jetojnë bashkësitë, “të jetojnë me popullin e Zotit,  me gëzimet e hidhërimet, me pritjet e shpresat e tij”.

Pikë e domosdoshme referimi është që plani baritor i dioqezës të vihet mbi programet e shoqatave, të lëvizjeve e të çdo grupi të veçantë.

E pikërisht ky unitet baritor, i të gjithëve, rreth ipeshkvit, e bën unitetin e Kishës. Është e trishtueshme kur, në një presbiter, shikojmë se ky unitet nuk ekziston, gjë që duket sheshit. E aty sundojnë thashethemet. E thashethemet e rrënojnë dioqezin, rrënojnë unitetin e meshtarëve ndërmjet tyre,  e edhe me ipeshkvin.

Vëllezër meshtarë! - kjo thirrja e Papës - ju lutem, e kemi zakon t’i shikojmë gjithnjë gjërat e këqija në të tjerët, sepse sytë janë gati të shikojnë të keqen - po unë ju lutem të mos arrini deri te thashethemet. Nëse shikoj gjëra të këqija, unë lutem, ose, si vëlla, flas. Të merresh me thashetheme, është si të flakësh një bombë! E bomba vret!

Prej këndej, Papa i ftoi meshtarët të kenë një frymëmarrje më të thellë,  që i bën të vëmendshëm për jetën e mbarë Kishës: shërbimi në Kishën vendase duhet kryer duke iu bindur Shpirtit Shenjt e ipeshkvit, në bashkëpunim me meshtarët e tjerë e me vetëdijen se je pjesë e Kishës Universale.

“Misioni nuk është zgjedhje individuale, që varet nga bujaria individuale apo nga zhgënjimet baritore; është zgjedhje e Kishës vendase, që bëhet protagoniste në komunikimin e Ungjillit gjithë njerëzve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.