2017-11-15 14:14:00

Papa në audiencën e përgjithshme: Mesha është lutje, takim me Jezusin


Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa vijoi reflektimin mbi kuptimin e Meshës. Mesha është lutje në kuptimin e mirëfilltë të fjalës - nënvizoi - më e larta e njëkohësisht, më “konkretja”, sepse, takim dashurie me Zotin, dialog me Zotin, e dialogu bëhet edhe në heshtje. 

Vijojmë me katekizmin kushtuar Meshës Shenjte. Për ta kuptuar bukurinë e kremtimit eukaristik dëshiroj t’ia nis me një aspekt shumë të thjeshtë: Mesha është lutje, madje është vetë lutja, në kuptimin më të përkryer të kësaj fjale, më e larta, më e madhërishmja, e njëkohësisht edhe ‘më konkretja’. Është takim dashurie me Zotin, përmes Fjalës së Tij e Korpit dhe Gjakut të Krishtit. Është takim me Zotin!

Por më parë duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje: “Ç’është, në të vërtetë, lutja?”. Është, mbi të gjitha, dialog, marrëdhënie personale me Zotin. Sepse njeriu u krijua si qenie e lidhur personalisht me Zotin, gjë që realizohet plotësisht vetëm në takimin me Krijuesin e vet. Udha e jetës  çon pikërisht drejt takimit përfundimtar me Zotin.

Libri i Zanafillës pohon se njeriu u krijua sipas shëmbëllimit të Zotit, që është Atë, Bir e Shpirt Shenjt, marrëdhënie e përkryer dashurie, bashkim. Nga kjo mund ta kuptojmë se ne të gjithë u krijuam për të hyrë në një marrëdhënie të përkryer dashurie, në një dhënie e marrje të vazhdueshme, për të realizuar, kështu, përsosurinë e qenies sonë.

Kur Moisiu, përballë kaçubës së përflakur, merr thirrjen e Zotit, e pyet  për emrin. E si i përgjigjet Zoti? “Unë jam, ai që jam!”(Dal 3,14). Këto fjalë, në kuptimin e tyre fillestar, shprehin prani e mirëdashje, e, në të vërtetë, menjëherë pas tyre, Ai shton: “Zoti, Hyji i etërve  tuaj, Hyji i Abrahamit, i Isakut, i Jakobit (v15). Kështu edhe Krishti, kur i thërret dishepujt e vet, i thërret të jenë me Të. Ky, pra, është hiri më i madh: të provosh se Mesha, Eukaristia është çast i zgjedhur për t’u takuar me Jezusin, e, përmes Tij, me Zotin e me vëllezërit.

Lutja, si çdo dialog i vërtetë, kërkon edhe të rrish në heshtje - kur dialogohet, ka gjithnjë çaste heshtjeje. Në heshtje, pra, njëherësh me Jezusin. E kur shkojmë në Meshë, ndoshta arrijmë pesë minuta më shpejt e ia nisim muhabetit me atë, që kemi pranë. Po ky nuk është çast për thashetheme: është çast i heshtjes, që të përgatitemi për dialog. Çast përqendrimi, përgatitjeje të zemrës për takimin me Jezusin. Heshtja ka rëndësi të madhe! Kujtojeni atë, që thashë javën e kaluar: nuk shkojmë për të parë shfaqje, shkojmë për takim me Zotin e heshtja na përgatit e na shoqëron. Duhet, pra, të rrimë në heshtje me Jezusin. E nga heshtja misterioze e Zotit, gurron Fjala e Tij, që jehon në zemrën tonë. Vetë Jezusi na mëson si mund të “rrimë” me të vërtetë me Atin e na e dëshmon këtë me lutjen e Tij. Ungjijtë na e përshkruajnë Jezusin kur tërhiqet në vende të mënjanuara, për t’u lutur; dishepujt, duke e parë këtë marrëdhënie të ngushtë me Atin, ndjejnë dëshirën të marrin pjesë edhe ata, prandaj i kërkojnë: “Zot, na mëso të lutemi!(Lk 11,1). E dëgjuam, gjatë Leximit të parë, në fillim të audiencës, Jezusin, që përgjigjet se gjëja e parë kur duam të lutemi, është të dimë ta quajmë Zotin “Atë”. Kujdes! Nëse nuk di ta quaj Zotin Atë, nuk jam i aftë as të lutem. Duhet të dimë ta quajmë Zotin “Atë”, domethënë, të rrimë në praninë e Tij me besim bijnor. Por për të ditur, duhet të pranojmë përvujtërisht se kemi nevojë të mësojmë e t’i themi me thjeshtësi Zotit: “O Zot, më mëso të lutem!”.

Kjo është pika e parë: të jemi të përvuajtur, ta pranojmë se jemi bij, të pushojmë në Atin, t’i besojmë Atij. Për të hyrë në mbretërinë e qiejve  duhet të bëhemi të vegjël, si fëmijët. Në kuptimin se fëmijët dinë të besojnë, dinë se dikush shqetësohet për ta, për çka do të hanë, çka do të veshin e kështu me radhë (krh Mt 6,25-33). Kjo është sjellja e parë, besim e afërsi, si fëmija me prindërit, duke e ditur se Zoti kujtohet për ty, kujdeset për ty: për ty, për mua, për të gjithë.

Mënyra e dytë e sjelljes, edhe kjo tipike për fëmijët, është të mrekullohesh. Fëmija bën gjithnjë mijëra pyetje, sepse dëshiron të zbulojë botën; e mrekullohet deri për sendet më të vogla, sepse gjithçka është e re për të. Për të hyrë në Mbretërinë e Qiejve, duhet të mrekullohemi. Në marrëdhënien tonë me Zotin, në lutje - po ju pyes - a mrekullohemi, apo mendojmë se lutje domethënë t’i flasësh Zotit, siç bëjnë papagajtë? Jo, domethënë të besosh, ta hapësh zemrën, ta lësh të mrekullohet. A e lëmë të na mrekullojë Zotin, që është Hyj i mahnitjes? I surprizave? Sepse takimi me Zotin është gjithnjë takim i gjallë, nuk është takim muzeu. Është takim i gjallë e ne shkojmë në Meshë, jo në muze! Shkojmë në takimin e gjallë me Zotin.

Në Ungjill flitet për një farë Nikodemi (Gjn 3,1-21), një burrë plak, me autoritet në Izrael, që shkon te Jezusi, për ta njohur; e Zoti i kujton nevojën “për të lindur nga lart” (krh v 3). Po ç’kuptim ka kjo? Si u rilindka? A është e mundur të kesh shijen, gëzimin, mrekullinë e jetës edhe përballë tragjedive? Kjo është pyetje themelore për fenë tonë, e është edhe dëshirë  e çdo besimtari: për të rilindur, për të rifilluar. Po ne, a e kemi këtë dëshirë? A e ka secili nga ne dëshirën për të rilindur, për ta parë Zotin? Ju, a e keni këtë dëshirë? Në të vërtetë mund ta humbasim lehtë, sepse, për shkak të një mori veprimtarish, një mori projektesh për t’u vënë në jetë, në fund mbetet shumë pak kohë e mund ta humbasim sysh themeloren: jetën e zemrës, jetën e shpirtit, jetën tonë, që është takim me Zotin në lutje.

Me Zotin, atë që na mrekullon, duke na dëshmuar se na do edhe në ligështitë tona. “Jezu Krishti është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës” (1 Gjn 2,2). Kjo dhanti, burim i ngushëllimit të vërtetë, na u dhurua përmes Eukaristisë, kësaj gostie dasmore, në të cilën Dhëndrri takohet me brishtësinë tonë. Po! Mund ta themi, sepse është e vërtetë! Zoti takohet me brishtësinë tonë, për të na çuar tek thirrja jonë e parë: thirrja për të qenë të ngjashëm me Zotin. Ky është ambienti i Eukaristisë, kjo, lutja!








All the contents on this site are copyrighted ©.