2017-11-15 13:58:00

Dita e të Varfërve: restorantet e Romës ofrojnë drekën


“Të mos duam me fjalë, por me vepra”. Kjo është tema e Ditës së parë Botërore të të Varfërve, që do të kremtohet të dielën me një sërë nismash në famulli, dioqeza, shoqata e grupe katolike. Të varfërit, shkruan Papa Françesku në mesazhin për këtë Ditë, “nuk janë përfitues nga praktika e mirë e vullnetariatit një herë në javë, por vëllezër”, me të cilët takohemi për të ndarë së bashku gjithçka, duke e kthyer këtë takim në stil jetese.

         Këtij “provokimi” të Atit të Shenjtë i janë përgjigjur shumë Kisha e Karitase anembanë botës. Prej kohësh, mensat e Karitaseve u japin për të ngrënë mijëra njerëzve, por kësaj radhe, në disa qytete, si për shembull në Romë, ftesa për solidaritet ndaj të fundmëve të kësaj toke u është shtrirë edhe restoranteve. Në qendër të kryeqytetit italian, pikërisht aty ku ngrihen pallatet e pushtetit, 12 restorante do t’u ofrojnë drekën, secili 10 të varfërve, të cilët do të mund të zgjedhin gjithçka duan nga lista e gjellëve të gatuara atë ditë në kuzhinë.

         Dita Botërore e të Varfërve u themelua nga Papa Françesku në fund të Vitit të jashtëzakonshëm të Mëshirës, për të mos harruar të vuajturit. Edhe vetë Ati i Shenjtë ndihmon njerëzit në nevojë. Të dielën e kaluar, dërgoi Lëmoshtarin e vet, imzot Konrad Krajewskin, në Campotosto të provincës së Aquila-s në Itali, ku tërmeti i 18 janarit të këtij viti shembi edhe ato pak struktura, që i kishin qëndruar tërmetit të vitit 2009. Nga 3 mijë banorë, kanë mbetur vetëm 40. Lëmoshtari apostolik u çoi një dhuratë nga ana e Papës dhe, në të vetmin dyqan hapur, bleu prodhime të zonës për mensat e të varfërve në Romë.

         Edhe Karitasi i Shqipërisë kujdeset veçanërisht për të varfërit. Qendra ditore “Lulja e Fushës” në Maminas pret çdo ditë 40 fëmijë, që nuk kanë mundësi të ndjekin mësimet parashkollore në një kopsht me pagesë. Në Laç, ndihmohen personat me aftësi të kufizuara e në të gjithë vendin, është Karitasi i zonës që kujdeset për njerëzit, të cilët kanë nevojë për kura paliative e shërbime mjekësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.