Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: më 23 nëntor, lutje për paqen në Sudanin Jugor dhe në Kongo

Në lutje, për Sudanin e Jugut - AP

14/11/2017 13:57

Papa Françesku, të enjten, 23 nëntor, në orën 17.30, pranë Altarit të  Katedrës në Bazilikën e Vatikanit, do të kryesojë një kremtim lutjeje për paqen në Sudanin Jugor dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Njoftimin për këtë kremtim, në të cilin mund të marrin pjesë të gjithë, pa biletë, e jep Prefektura e Shtëpisë Papnore.

Të shumta, thirrjet e Papës Françesku për këto dy vende, gjatë papnisë së tij. Kohët e fundit, në parathënien e një libri të atit kombonian Daniele Moschetti, kushtuar Sudanit të Jugut, Papa shkruan: “Vërej se është e nevojshme të sensibilizohet bashkësia ndërkombëtare për dramën e heshtur, e cila kërkon angazhimin e të gjithëve për të gjetur një rrugëzgjidhje, që i jep fund konfliktit në vijim. Të mos shqetësohesh për problemet e njerëzimit, sidomos në rrethana si këto, që po e dërmojnë Sudanin  e Jugut, do të thotë ta harrosh mësimin e Ungjillit kushtuar dashurisë ndaj të afërmit të vuajtur e nevojtar. Pikërisht këto ditë Fao komunikoi se rreth 30 mijë vetë në Sudanin e Jugut, që vuajnë nga uria, do të jenë në gjendje të vijojnë të jetojnë, falë kiteve për kultivimin e frutave e zarzavateve, financuar nga një donacion i Papës Françesku.

Shkurtin e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës Françesku u ndalua tek popullsitë, që sot vuajnë për shkak të dhunës e të konflikteve, si në zonën e Kasai-t qendror, në Republikën Demokratike të Kongos, prej nga arrijnë - kujtoi - lajme që flasin për ndeshje të ashpra. Papa shprehu dhembjen e thellë për viktimat, posaçërisht për tragjedinë e fëmijëve të shumtë, të shkëputur brutalisht nga familjet e nga shkolla, për të rrokur pushkën e për t’u përdorur si ushtarë. I siguroi të gjithë për afërsinë në lutje, duke kujtuar edhe personelin fetar e humanitar, që vepron në këtë zonë, të cilën Papa e quajti “të vështirë”:

“I bëj thirrje urgjente ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së autoriteteve kombëtare dhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, që të marrin vendimet e duhura e të menjëhershme për t’i ndihmuar këta vëllezër e motra tona. Lutemi për ta e për mbarë popullsitë që, edhe në anë të tjera të Kontinentit afrikan e të botës, vuajnë nga shkaku i dhunës e i luftës”.

14/11/2017 13:57