Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Kardinali Parolin: Konferenca ipeshkvnore e SHBA-ve, zë profetik në vend

Kardinali Pietro Parolin - ANSA

14/11/2017 15:03

Të përpiqen që zëri i Kishës në SHBA të kuptohet, kur preken tema si emigracioni, familja, mbrojtja e jetës dhe shëndetësia e garantuar për më të varfërit, por edhe në proceset e dialogut e të peacemaking”, duke i shoqëruar besimtarët në shtigjet, shpesh të përpjeta, të jetës e të historisë” – kjo, nxitja që u bëri më 12 nëntor ipeshkvijve të SHBA-ve, kardinali Pietro Parolin, gjatë Meshës, kremtuar në njëqindvjetorin e Konferencës ipeshkvnore (United States Catholic Bishops Conference-Usccb), themeluar në vitin 1917. Prelatët u mblodhën këto ditë në Baltimora, për sesionin e  tyre  të vjeshtës, përqendruar pikërisht tek njëqindvjetori.

Në homelinë, përmes së cilës u përcolli ipeshkvijve amerikanë urimet më të mira nga ana e Papës Françesku, Sekretari i Shtetit të Vatikanit  kujtoi historinë e Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve, lindur si përgjigje e urtë dhe e frymëzuar nga Shpirti Shenjt përballë vuajtjes së pakufishme njerëzore dhe zhvendosjes masive të popullsive, shkaktuar nga Lufta I Botërore.  Ipeshkvijtë amerikanë - tha prelati - krijuan një Këshill kombëtar katolik për luftën, për të ndihmuar në punësimin e një mori familjesh, që u detyruan të lënë vendet e tyre e të nisen drejt Botës së Re, në kërkim të një jete më të sigurt e më të mirë. Në rrethana shumë të ndryshme - vijoi - ky mision mbetet providencial edhe sot, kur Kisha në vendin tuaj përpiqet të japë jo vetëm ndihmë materiale, por edhe balsam shpirtëror për shpirtërat e plagosur, t’u japë shpresë  valëve  të reja të emigrantëve e refugjatëve, që i trokasin në portë Amerikës:

“Në zhvillimin e vet të mëtejshëm - nënvizoi akoma kardinali Parolin - asambleja juaj, pa ngurruar kurrë në këtë impenjim të dashurisë së krishterë, - dëshmoi se është mjet i suksesshëm koordinimi i veprimtarisë baritore dhe i dëshmisë ungjillore të Kishës në Amerikë. Bamirësi, kjo, e praktikuar nga bashkësia katolike amerikane, në rrjetin e gjerë të famullive  e të institucioneve edukative, shëndetësore e bamirëse”.

Kardinali Parolin kujtoi, në vijim, kontributet plot përgjegjësi që ka dhënë Usccb në diskutimet për çështje të rëndësishme shoqërore e politike, posaçërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vlerave morale, për të drejtat e të varfërve, të pleqve, të njerëzve më të ligshtë e të të gjithë atyre, “që nuk kanë zë”. Posaçërisht u ndalua tek dëshmia e jashtëzakonshme, dhënë nga Kisha, në mbrojtje të së drejtës për të jetuar të fëmijëve ende të palindur e, kohët e fundit, në përpjekjen për mbrojtjen e familjes e për sigurimin e sistemit të përgjithshëm shëndetësor. “E bëtë këtë - kujtoi - jo vetëm duke u ballafaquar në diskutimet politike të vendit tuaj, por edhe duke asistuar në proceset ndërkombëtare të dialogut të peacemaking e duke u dhënë ndihmën e nevojshme humanitare popujve të goditur nga lufta e nga konfliktet civile.

Në përfundim, urimi që ipeshkvijtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vijojnë me sukses veprimtarinë e tyre profetike për të çuar balsamin e mëshirës në diskutimet që, tepër shpesh, strehohen në politika e statistika, duke harruar se njerëzit kanë emër, fytyrë, nuk janë shifra, as fjalë boshe, por njerëz të gjallë, me të gjitha kërkesat që ka jeta.

Dita kremtore e 12 nëntorit  përfundoi me një darkë, ku kardinali Parolin foli përsëri. Në përshëndetjen e  tij të shkurtër, nënvizoi se Konferenca ipeshkvnore e SHBA-ve është shembull për episkopatet e mbarë botës.  

14/11/2017 15:03