2017-11-14 18:13:00

Dikasteri i kulturës: Plenaria mbi sfidat e antropologjisë


Si po ndryshon figura e njeriut në botën e sotme moderne? Si i modifikojnë shkenca dhe teknika konceptet themelore antropologjike? Ç’përgjigje u duhet dhënë sfidave të reja? Këto janë vetëm disa nga pyetjet, me të cilat do të merret Asambleja plenare e Këshillit Papnor për Kulturën, me temë: “Ardhmëria e njerëzimit, sfidat e reja të antroplogjisë”, që do të mblidhet nesër, në Romë, në auditoriumin e Kuries së Përgjithshme të Jezuitëve, ku do t’i vijojë punimet deri më 18 nëntor. Në asamble do të marrin pjesë 27 anëtarët, kardinaj, ipeshkvij por edhe laikë, 27 këshilltarë, burra e gra, nga mbarë bota: ndërmjet tyre, relatorë, moderatorë dhe të ftuar të posaçëm. Në mikrofonin tonë, kardinali Gianfranco Ravasi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili na flet, së pari, për arsyet e zgjedhjes së kësaj teme:

Përgjigje: - Zgjedhja lidhet me faktin se tashmë antropologjia, posaçërisht  e parë në këndvështrimin shkencor, është një nga horizontet më përvëluese në të cilin lëvizim. Po kujtoj vetëm tri temat, rreth të cilave do të flitet gjatë këtij takimi, e mjaftojnë vetëm termat, për t’u bërë përshtypje  njerëzve, që nuk kanë kompetenca të posaçme shkencore. Sektori i parë do të jetë i përgjithshëm, me diskutime kushtuar, për shembull, ADN-së, domethënë identitetit tonë më të thellë; i dyti u kushtohet shkencave neurocognitive, të cilat njihen ndryshe si neuroshkenca e riduken në frontin e etikës personale, të vetë natyrës njerëzore, të lirisë së vullnetit,  të cilësive morale, të veprimeve, të shpirtit e të mendjes. E, së fundi, perspektivat tronditëse që i hapen inteligjencës arfificiale. Tre kapituj tejet delikatë.

Pyetje: - Kujtuat gjenetikën, sfidë e fortë për njerëzimin, posaçërisht sepse në fund të fundit nuk dihet mirë ku synon të shkojë. Aq e vërtetë kjo, sa pasdite do të mbahet një referat me temë: “Të rimendohet natyra njerëzore”...

Përgjigje: - Ky është vërtet një nga problemet e nisjes. Rimendimi i natyrës njerëzore: këtë dëshiron të bëjë inxhinieria gjenetike, që është shumë e çmueshme për të zhdukur disa sëmundje të veçanta nga trupi njerëzor, përmes “ndërhyrjes në rrënjë”. Por ne e dimë se po të zgjerohet përdorimi i inxhinierisë gjenetike, mundet jo vetëm të përmirësohet, por edhe të ndryshohet rrënjësisht genotipi njerëzor, domethënë modeli njerëzor. E prandaj ky ballafaqim, për këto fjalë, akoma të paqarta, siç janë transhumanizmi, posthumanizmi etj., etj.. Prej këndej, pyetjet: me këto ndërhyrje mbi njeriun, mbi rrënjët e tij më të thella,  mbi ADN-në,  do të kemi akoma qenie - këtu flas për një perspektivë shumë të largët -  të llojit të Homos Sapiens Sapiens, domethënë, si ky që kemi sot? Shumë të ndërlikuara problemet, që rrezikojnë të na çojnë tek një njeri, i cili dëshiron të bëhet si Zoti, në aktin, që grekët e quanin hybris, sfidë hyjnisë.

Pyetje: - Rikthim në mëkatin e rrjedhshëm, Hirësi?

Përgjigje: - Në një farë mënyre, po. Kështu është. Ky është, ndoshta mëkati i vërtetë i rrjedhshëm, që shkon përtej arsyetimeve të së kaluarës, të cilat nganjëherë ishin edhe qesharake, si reduktimi vetëm në një identitet seksual

.. Mëkati i vërtetë i rrjedhshëm, nëse e kujtojnë edhe ata që nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë me Biblën, por e kanë në mendje këtë frazë, është tundimi, tunduesi, që thotë. “Do të jeni si Zoti!”. Kjo është, në fund të fundit, ndoshta, dëshira më e fshehtë: ndërhyrja deri në atë pikë, sa të arrihet në modifikimin e natyrës njerëzore, e me këtë lidhet edhe tema e inteligjencës artificiale.   








All the contents on this site are copyrighted ©.