Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa i jep fonde FAO-s për familjet e Sudanit të Jugut

Sudani i Jugut - ANSA

13/11/2017 14:14

Zyra e shtypit e FAO-s njofton se familjet e Sudanit të Jugut, të cilat vuajnë nga uria, do të marrin një kit për kultivimin e perimeve, financuar nga një donacion i Papës Françesku.

         Rreth 5 mijë familje, pra, më shumë se 30 mijë vetë, janë përfituesit nga kontributi prej 25 mijë eurosh, dhënë nga Ati i Shenjtë për FAO-n, Organizatën Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë. Farat dhe mjetet bujqësore, që përmbahen në paketë, do të përdoren tani në një zonë ku bujqësia është shkatërruar nga luftimet.

         “Para luftës, jeta ishte e pranueshme e kishim për të ngrënë mjaftueshëm, tani vetëm diçka në mëngjes e shumë pak për darkë”, deklaron një nënë 22-vjeçare, e cila ka marrë dhuratën e Papës. “Qepët e domatet [farat e të cilave bëjnë pjesë në paketë] mund të shiten në treg e kjo do të jetë ndihmë e madhe për mua”, vijon 22-vjeçarja me fëmijë të vogël.

         Paketa me shtatë lloje perimesh me rritje të shpejtë shkon në Zonën e Yei-t të Sudanit të Jugut në favor të familjeve, që janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, prandaj kanë edhe pak terren në dispozicion. Këto fara me rritje të shpejtë mund të mbillen edhe rreth shtëpisë ku jetojnë tani e kështu, njerëzit do të kenë një lloj ekonomie ndihmëse. Në Central Equatoria, ku bën pjesë edhe zona e Yei-t, rreth 145 mijë vetë vuajnë nga uria, vetëm një shkallë më poshtë në krahasim me parametrat ndërkombëtare për zinë e bukës.

         “I jemi thellësisht mirënjohës Papës – theksoi pastori Jeremiah Taban, i Kishës Episkopale të Yei-t. “Banorët e Sudanit të Jugut vuajnë vërtet shumë e kërkojnë paqen. Nëse Papa Françesku do të shihte gjendjen, në të cilën ndodhemi, do t’i vinte shumë keq, sepse askush nuk mund të jetojë në ato kushte”. Deri më sot, FAO ka furnizuar 4,2 milion njerëz me paketa për peshkim, bujqësi e për kultivimin e perimeve. Gjithashtu, ka vaksinuar e trajtuar më se 4,8 milion gjedhë, në mënyrë që të mbrohet edhe ajo pak pasuri e mbetur për familjet.

13/11/2017 14:14