2017-11-12 14:51:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: fe e bamirësi, që të jemi gati për takimin


Nëse duam të hyjmë në Mbretërinë e qiellit, duhet të jemi gati për takimin me Zotin. E nuk mjafton jeta e jetuar me fe, po t'i mungojë bamirësia. Këtë theksoi sot Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar shëmbëlltyrën e dhjetë virgjërave. E nuk duhet të presim - shtoi Ati i Shenjtë - çastin e fundit të jetës, për të bashkëpunuar me hirin e Zotit. “Duhet ta bëjmë këtë që  tani”.

“Rrini zgjuar, prandaj, sepse nuk e dini as ditën, as orën”. Në këtë fragment përfundimtar të rrëfimit ungjillor të dhjetë virgjërave - pohoi Papa - Jezusi na kujton  se “të vigjilosh nuk do të thotë vetëm të mos flesh. Do të thotë kryesisht të jesh gati! I përgatitur. E për takimin me Zotin duhet të përgatitesh - nënvizoi Ati i Shenjtë - si të ishte sot dita e mbrame! Llamba - shpjegoi në vijim - është simbol i fesë, që e ndriçon jetën tonë.  Vaji, simbol i bamirësisë, që e ushqen, e bën të frytshme e të besueshme  dritën e fesë. Jetës pa bamirësi, i mungon drita e vërtetë:

“Nëse na pëlqen të udhëhiqemi nga ajo, që na duket e rehatshme, nga kërkimi i interesave tona, jeta jonë bëhet e shterpët, e paaftë për t’u dhënë jetë edhe të tjerëve. E nuk grumbullojmë asnjë pikë vaji për llambën e fesë sonë. Llamba do të na shuhet në dorë, pikërisht kur të mbërrijë Zoti, ose edhe më parë akoma:

“Kushti për të qenë gati në pritje të takimit me Zotin - nënvizoi Papa Françesku - nuk është vetëm feja, por e gjithë jeta e krishterë, e pasur me dashuri e bamirësi ndaj të afërmit”.

Nëse jemi vigjilentë e kërkojmë të bëjmë vetëm mirë, me gjeste dashurie, ndarjeje të përbashkët, shërbimi ndaj të afërmit në vështirësi, mund ta presim qetësisht ardhjen e Dhëndrrit; Zoti mund të vijë kur të dojë e gjumi i rëndë i vdekjes nuk do të na tmerrojë me terrinat e veta, sepse e kemi gati rezervën e vajit, që e siguruam me veprat e mira, të bëra ditë për ditë. “Feja e frymëzon bamirësinë e bamirësia e ruan fenë”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Madrid, u shpallën të Lum Vicente Queralt Lloret dhe 20 shokë martirë si dhe Josè Maria Fernández Sánches e 38 shokë martirë. “Të gjithë u vranë nga urrejtja për fenë, gjatë persekutimit fetar të luftës civile spanjolle, ndërmjet viteve 1936-’37. Falënderojmë Zotin - tha në përfundim Françesku - për dhuratën e madhe të këtyre dëshmitarëve shembullorë të Krishtit e të Ungjillit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.