2017-11-12 08:00:00

Papa Luciani, Papni ndërmjet përvujtërisë e ëmbëlsisë


Të mërkurën e kaluar Papa Françesku priti në audiencë kardinalin Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe e autorizoi të njëjtën Kongregatë të shpallë, ndërmjet tjerësh, edhe dekretin mbi “virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit I (Albino Luciani)

Po kush ishte Papa Luciani?

Kardinali Albino Luciani u zgjodh Papë më 26 gusht 1978. Gjatë lutjes së parë të Engjëllit të Tënzot të 27 gushtit 1978, iu drejtua besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u shpjeguar pse e zgjodhi emrin Gjon Pal e duke u treguar, çka kishte ndodhur një ditë më parë:

“Dje në mëngjes shkova në Sikstinë për të votuar qetësisht. Kurrë nuk e kisha përfytyruar këtë, që po ndodhte…nuk e kam sapientia cordis të Papës Gjoni, e as përgatitjen e Papës Pali, por jam në vendin e tyre  e duhet të përpiqem t’i shërbej Kishës. Shpresoj se do të më ndihmoni me lutjet tuaja”.

Më 3 shtator 1978 kryesoi Meshën për fillimin e shërbesës papnore:

“Me merak e ankth, që kuptohet vetvetiu, por edhe me besim të pafundmë në hirin e pushtetshëm të Zotit e në lutjen e zjarrtë të Kishës - pohoi Papa Luciani - pranuam të bëhemi Pasardhës i Pjetrit në selinë e Romës, duke e marrë mbi vete zgjedhën, që Krishti deshi ta vinte në shpatullat tona të brishta”.

Audiencën e parë e përgjithshme, më 6 shtator 1978, ia kushtoi përvujtërisë, duke nënvizuar se “dashuria është shpirti i drejtësisë”:

“Duhet ta duam fort të afërmin. Zoti na porosit shumë për këtë, e edhe unë ju porosis gjithnjë, jo vetëm për bamirësitë e mëdha, por edhe të voglat”.

Gjatë audiencës së parë të përgjithshme, Papa thirri edhe një ministrant të vogël, për ta bërë sa më të kuptueshme ç’do të thotë të jesh i përvuajtur:

Papa: - Dëgjo, a ke qenë ndonjë herë i sëmurë? Fëmija: “Jo!”. Papa: Kurrë s’ke qenë i sëmurë? As me ethe? Qenke me fat! Kur një fëmijë është i sëmurë, kush ia sjell te krevati ndonjë pikë lëng mishi a ndonjë ilaç? Fëmija: Nëna! Papa: - E pastaj ti rritesh e nëna plaket…Ti bëhesh zotëri i madh, e nëna, e varfëra, sëmuret e zë krevatin. Atëhere kush do t’ia çojë nënës te krevati një pikë qumësht? Kush do të kujdeset për ilaçet? Kush do ta vizitojë? Të lumtë!  Po më thua se do t’ia çosh ti e vëllezërit e tu! Kjo më pëlqen!”.

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot më 10 shtator të vitit 1978, Papa Gjon Pali I pohoi se “Zoti na do me një dashuri, që nuk perëndon kurrë. Zoti është babë. Madje, edhe më shumë, është Nënë”:

“Sytë e Tij janë gjithnjë të hapur mbi ne, edhe kur duket se na mbështjell terri i natës. Është babë. Nuk do të na bëjë keq. Dëshiron të na bëjë vetëm mirë, të gjithëve!”.

Më 13 shtator 1978, duke e përqendruar audiencën e përgjithshme mbi Fenë, recitoi një poezi të Trilussës me të njëjtin titull:

“Ajo, plaka e verbët, që udhës e ndesha më beh,/ Natën ngatërrue ndër kapërthime të pyllit,/ Në se - më tha- ti rrugën nuk e njeh,/ të shoqnoj vetë mbi gjurmë të dritës së hyllit.// Kambë-kambë po ece mbas hapave të mi,/Ta lëshoj ‘i za, të mos ndihesh fare qyq,/ Deri në fund të rrugës, ku duket një selvi,/ Der’ në maje të karmës, ku ngrihet lart një Kryq.// Ia drodha: - Ndoshta, por s’kam si ta besoj/ se ‘i sy i shuem mund t’ më prijë në shtigje të reja./ E verbëta, atëherë, fort dorën ma shtrëngoi/ Psherëtiu: “Ec mbas meje!”. Ishte Feja!”.

Poezi plot me hir - shpjegoi Papa Gjoni Pali I - megjithatë, e metë nga pikëpamja teologjike. E metë - nënvizoi - sepse kur bëhet fjalë për fenë, regjisori i madh është Zoti:

“Jezusi ka thënë: askush nuk vjen tek unë, nëse nuk e tërheq Ati im. ja, pra ç’është feja: t’i dorëzohesh Zotit, por duke e shndërruar jetën tënde. Gjë jo gjithnjë e lehtë”.

Në Engjëllin e Tënzot  të 17 shtatorit, u kujtoi nxënësve të shkollave fillore figurën e Pinokut: “Jo të atij - saktësoi Papa - që ia vari shkollës, sepse donte të shkonte e të shihte teatrin e kukullave, por atij tjetrit, Pinokios, që nisi ta shijonte shkollën aq, sa për një vit të tërë shkollor, çdo ditë, ishte i pari që hynte në klasë e fundmi që dilte”.

Audiencën e tretë të përgjithshme, më 20 shtator 1978, ia kushtoi shpresës, duke e quajtur “virtyt i detyrueshëm për çdo të krishterë”. Engjëlli i Tënzot  i 24 shtatorit 1978 ishte i fundmi. Gjatë lutjes, i nxiti të gjithë të jenë të mirë:
“Njerëzia nganjëherë thonë: ‘Jemi në një shoqëri krej boshe, krejtësisht të pandershme’. Kjo nuk është e vërtetë. Ka akoma shumë njerëz të mirë, shumë të ndershëm”. Duhet të mendojmë më tepër për ta përmirësuar shoqërinë. Të mendojmë se secili prej nesh duhet t’i kërkojë Zotit të jetë i mirë e t’ua ngjitë mirësinë e vet edhe të tjerëve, një mirësi të  mbushur përplot me  butësinë e me dashurinë, që na e mëson Krishti”.

Në audiencën e përgjithshme të katërt e të fundit, më 27 shtator 1978, një ditë para vdekjes, citoi disa fragmente nga Enciklika e Palit VI “Populorum progressio”, duke u ndaluar tek koncepti i pronës private:

“I madhi Pali VI, në ‘Populorum progressio’ thotë edhe se prona private nuk është për askënd një e drejtë e patjetërsueshme e absolute. Askush nuk ka privilegjin ta përdorë vetëm për përfitimin e vet, përtej nevojave, ndërsa në botë shumë njerëz vdesin, sepse nuk kanë asgjë mbas shpirtit. Në dritën e këtyre fjalëve jo vetëm kombet, por edhe ne, privatët, posaçërisht ne, njerëzit e Kishës, duhet ta pyesim veten a e kemi vënë si duhet në jetë planin e Jezusit, që thotë: ‘Duaje të afërmin tënd si vetveten?’”.

Gjatë audiencës së fundit të përgjithshme, Papa Gjon Pali I ftoi edhe një fëmijë, Danielin - që ndiqte klasën e pestë fillore – e i bëri disa pyetje:

Papa: - “Në ç’klasë je?/Danieli: - Në klasën e pestë fillore./ Papa: - A don me mbetë gjithnjë në klasë të pestë, apo vitin e ardhshëm të pëlqen të kalosh në klasën e parë të mesme?/ Danieli: - Për mua është njëlloj, por do të më pëlqente të mbetesha në të pestën, sepse po të kaloj në një klasë tjetër, më duhet të largohem nga mësuesja ime./ Papa: - Atëhere dëshiron të mbetesh gjithnjë në të pestën, apo do të shkosh një klasë më lart?/ Danieli: - Dua të rri gjithnjë në të pestën./ Papa: - Thashë më parë, nuk e di a më dëgjove me vëmendje, se dashuria e Zotit është një lloj shtegtimi, edhe këtu duhet të shkosh përpara: “O Zot, bëj të të dua gjithnjë më shumë. Të mos ndalem kurrë!”. Zoti u thotë gjithë të krishterëve. “Ju jeni drita e botës, jeni kripa e tokës. Bëhuni të përkryer, si i përkryer është Ati im, që është në qiell”, e, prej këndej, mos u ndalni kurrë, përparoni me ndihmën e Zotit, në dashurinë e Atij të Lumit”.

Kjo nxitje për të ecur gjithnjë përpara, me ndihmën e Zotit, është një nga pasuritë e fundme që na la trashëgim “Papa i buzëqeshjes”, i cili ndërroi jetë më 28 shtator 1978.








All the contents on this site are copyrighted ©.