2017-11-10 14:37:00

Parolin: duhet zhvillim, jo armë. Turkson: angazhim për paqen e Koreve


Paqja botërore nuk mund të bazohet mbi ekulibrin e terrorit. Kjo, thirrja  e fuqishme, që jehoi sot paradite në hapjen e Samitit “Perspektiva për botën e çliruar nga armët bërthamore dhe çarmatimin e plotë”. Armët bërthamore  - theksoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin - nuk mund ta zgjidhin problemin e sigurisë. E, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, nënvizoi sa urgjente është të investohet për zhvillimin, jo për armët. Hirësia e Tij vërejti se nuk mund të jetë i qëndrueshëm stabiliteti botëror, që bazohet mbi frikën, mbi kuptimin e rremë të sigurisë. Njëkohësisht nënvizoi se nuk mund e nuk duhet të duket “irrealist”  e madje edhe “utopik” mendimi për një botë të çliruar nga armët bërthamore.

Në të njëjtën vijë, edhe fjalimi i hapjes, mbajtur nga kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhillimit të gjithanshëm njerëzor, organizator i kësaj konference, mbledhur sipas dëshirës së Papës Françesku. Bota - tha kardinali Turkson - është buzë honit të ndeshjes me armë bërthamore. Prej këndej, inkurajoi shtetet, që kanë armë atomike, të angazhohen për një botë të çliruar nga armët, domethënë, nga frika prej tyre. “Siguria - vijoi - nuk ka të bëjë me numrin e armëve që kemi. E, duke cituar presidentin amerikan Eisenhower, vërejti se sa herë që përdoren armët, aq herë u vidhen burimet popullsive, që luftojnë për të mbijetuar”. Prej këndej, thirrja për të investuar në shëndetësi, në arsim, e jo në armatime, që vënë në rrezik ardhmërinë e mbarë njerëzimit.

Në përfundim të konferencës, kardinali Peter Turkson iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi angazhimin e Selisë së Shenjtë për uljen e tensionit ndërmjet Koresë së Veriut e SHBA-ve:

Përgjigje: - Lidhur me Korenë e Veriut, pika jonë e kontaktit është gjithnjë kisha vendase e Koresë së Jugut, me të cilën jemi në lidhje të vazhdueshme. Dikasteri po flet me disa anëtarë të Konferencës  ipeshkvnore koreane,  për të parë sesi mund të bisedohet me regjimin e Koresë së Veriut. Të shohim nëse do t’ia dalim! Tani nuk mund të them me saktësi se kur do të mund ta realizojmë këtë kontakt, ndërsa mund të pohoj se po zbulojmë mundësitë për të hyrë në lidhje të drejtpërdrejtë me ta.








All the contents on this site are copyrighted ©.