Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: nga armët bërthamore, vetëm siguri e rreme

Papa Françesku në poster dhe Mohamed El Baradei, Cmim Nobel për paqen - AP

10/11/2017 14:32

Bota pa armë atomike nuk është utopi, pavarësisht nga kritikat e atyre, që i konsiderojnë “idealiste” proceset e çarmatimit bërthamor e jo bërthamor. Me këto fjalë, Papa iu drejtua sot rreth 350 pjesëmarrësve të Simpoziumit ndërkombëtar për çarmatimin bërthamor, të cilët i priti në Vatikan.

         Tema e Simpoziumit: “Perspektiva për një botë të lirë nga armët atomike e për çarmatimin e plotë”. Ati i Shenjtë foli për skenarin aktual botëror, të karakterizuar nga konfliktet dhe pesimizmi, nga gara e armatimeve, që i bën qeveritë të rrisin pjesën e buxhetit, e cila i shkon industrisë së luftës. E kjo bën të kalojnë në plan të dytë përparësi si: lufta kundër varfërisë, nxitja e paqes, realizimi i planeve edukative, ekologjike dhe shëndetësore, si edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Për të mos folur për katastrofat humanitare dhe ambientale, pasoja të përdorimit të armëve bërthamore.

         “Është për t’u dënuar me vendosmëri – nënvizoi Papa Françesku – kërcënimi për përdorimin e tyre, si edhe vetë zotërimi i tyre, pikërisht sepse ekzistenca e tyre është në funksion të logjikës së frikës, që nuk ka të bëjë vetëm me palët në konflikt, por me gjithë racën njerëzore”.

         Marrëdhëniet ndërkombëtare, reflektoi Ati i Shenjtë, nuk mund të dominohen nga forca ushtarake, nga kërcënimet e ndërsjellta dhe nga ekspozimi me bujë i arsenaleve luftarake.

         “Armët e shkatërrimit në masë, në veçanti ato atomike, - theksoi Papa - nuk sjellin tjetër, veçse një lloj sigurie të rreme e s’mund të përbëjnë bazën për bashkëjetesën paqësore ndërmjet anëtarëve të familjes njerëzore, e cila, përkundrazi, duhet të frymëzohet nga etika e solidaritetit”.

         Papa Françesku iu drejtua brezave të rinj, duke u kujtuar Hiroshimën e Nagasakin, si edhe viktimat e eksperimenteve të tjera atomike. Armët bërthamore, vërejti ai, nuk kanë asnjë logjikë edhe në planin ushtarak. “Shkenca e vërtetë – sqaroi Ati i Shenjtë – është gjithnjë në shërbim të njeriut” e jo të zhdukjes së tij. Prandaj, përdorimi i armëve bërthamore, sidomos në kohët e sotme të terrorizmit e të konflikteve të vazhdueshme, përgatit vetëm “skenarë të hidhur”.

         Por jo çdo gjë është e humbur, vërejti Papa Françesku, i cili kujtoi votimin “historik” në OKB, për t’i konsideruar armët bërthamore “jo vetëm imorale, por edhe mjete të paligjshme lufte”. U mbush kështu, një boshllëk i rëndësishëm në fushën juridike, për të ndaluar përdorimin e këtyre armëve, krahas atyre kimike, biologjike, minave kundër njeriut dhe bombave copëtuese. Ati i Shenjtë falenderoi dy nga 11 Çmimet Nobel të pranishëm, të cilët i dorëzuan një dokument, që kërkon zhdukjen e plotë të armëve bërthamore, duke i kërkuar ndihmën e tij në arenën ndërkombëtare.

         Së fundi, Papa kujtoi si magjisterin e shën Gjonit XXIII, ashtu edhe 50-vjetorin e Enciklikës “Populorum progressio” të Papës Pali VI, ku përvijohet zhvillimi i gjithanshëm i njeriut si emri i ri i paqes. E pastaj, ftesa për të mos ndjekur kulturën e hedhurinave:

         “Të tregohet kujdes për njerëzit dhe për popujt, që vuajnë nga pabarazitë më të dhimbshme, përmes një pune, e cila të dijë të privilegjojë me durim proceset solidare e jo egoizmin e interesave vetjake. Njëkohësisht, të integrohet përmasa individuale me atë shoqërore, përmes zbatimit të parimit të susidiaritetit, duke favorizuar kontributin e të gjithëve, si të individëve, ashtu edhe të grupeve. E së fundi, duhet promovuar njeriu në unitetin e tij të pazgjidhshëm shpirt e korp, kundrim e veprim”.

10/11/2017 14:32