Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: duhet nuhatje e hollë, për të mos rënë në leqet e korrupsionit

Papa kremton Meshën në Shën Martë

10/11/2017 12:27

Papa: duhet nuhatje e hollë, për të mos rënë në leqet e korrupsionit. Një histori nga korrupsioni i përditshëm. Këtë tregon Ungjilli i sotëm i Lukës, përmes figurës së administratorit, që shkapërderdh pasurinë e  zotërisë së tij e që, pasi zbulohet, në vend që të gjejë një punë të ndershme, vijon të vjedhë sa mundet, në bashkëpunim edhe me të tjerët: “Një vargan i vërtetë korrupsioni” - kështu e quajti Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke e lidhur ngushtë reflektimin ungjillor, me ditët tona:

“Janë të fuqishëm, këta, eh? Kur lidhen varg në udhën e korrupsionit, janë tejet të fortë. Kjo është historia. E nuk është aspak përrallë, as vaki, që duhet ta kërkojmë në librat e historisë së lashtë: e gjejmë lehtësisht edhe sot ndër gazeta, ditë për ditë. Kjo ndodh edhe sot, posaçërisht me ata, që kanë përgjegjësinë e administrimit të pasurive të popullit, jo të pasurive të veta. Pasuritë e veta dinë t’i mbarshtojnë si s’ka më mirë! Administratori i Ungjillit të sotëm mbarshtonte pasuritë e tjetërkujt, jo të vetat. Askush nuk është i korruptuar, kur është fjala për të shtuar pasuritë e veta, përkundrazi, i mbron me të gjitha mënyrat”.

Mësimi që nxjerrim nga ky Ungjill - vërejti Papa – është se bijtë e kësaj bote janë shumë më finokë se bijtë e dritës, dinë të korruptojnë, t’ua marrin mendtë të tjerëve, të jenë shkathët, madje me mirësjellje, “me doreza të mëndafshta”. A thua ekziston edhe shkathtësia a finokëria e krishterë? Po nëse këta janë më finokë se të krishterët - ndonëse nuk duhet të përdor fjalën ‘të krishterët’, sepse edhe shumë të korruptuar mburren se janë të krishterë - por njerëzit që besojnë në Jezusin, unë pyes: a ka edhe shkathtësi të krishterë? A ka edhe për ata, që duan ta ndjekin Jezusin, ndonjë sjellje që t’i shpëtojë nga rreziku i fundit të keq? Nga ata, që janë gati t’i hanë gjallë? Nga të tjerët? Cila është shkathtësia e krishterë? Shkathtësi, që nuk është mëkat, por që duhet, për të ecur përpara në shërbim të Zotit e të të afërmit? A mund të ketë dinakëri të krishterë?”.

Po, edhe i krishteri duhet të ketë nuhatje të hollë, në se dëshiron të shkojë përpara, pa rënë në leqet e korrupsionit. E, në Ungjill, Jezusi na e tregon me disa kundërvënie, kur flet, për shembull, për të krishterët që janë “si qengja në mes të ujqërve”, ose kur i porosit “të jenë dinakë, si gjarpërinjtë e të butë si pëllumbat”. E atëherë, ç’duhet të bëjnë? Papa flet për tri mënyra sjelljeje: e para, mosbesimi i drejtë, domethënë, vëmendja e plotë përballë atij, që premton shumë e që flet shumë, si puna e atyre që të thonë: “Investo në bankën time e do të të jap dyfishin e interesit”. Sjellja e dytë, reflektimi përballë joshjeve të djallit, që i njeh mirë ligështitë tona; e, së fundi, lutja:

“Ta lusim sot Zotin të na japë hirin për të qenë të shkathët, të krishterë të shkathët, e të kemi edhe finokërinë e krishterë. Nëse është diçka, që i krishteri nuk nuk mund t’ia lejojë vetes, është të jetë krejtësisht shpirtfoshnjë. Si të krishterë, kemi një thesar të vërtetë brenda vetes: thesarin e Shpirtit Shenjt. Duhet ta ruajmë. Është foshnjarake të lejosh të ta vjedhin Shpirtin Shenjt. Atij që ia vjedhin, i mungon fare nuhatja. I krishteri nuk mund t’ia lejojë vetes të jetë jashtë mase i çiltër. T’ia kërkojmë Zotit shkathtësinë e krishterë e nuhatjen e krishterë. Është edhe rast i mirë që të lutemi për të korruptuarit. Flitet për ndotjen e ajrit, që shkaktohet nga ndotja e mjedisit, por edhe për ndotjen e shoqërisë, nga korrupsioni, që ua merr frymën njerëzve. Të lutemi për njerëzit e korruptuar, qyqarët. T’i lutemi Zotit ta gjejnë daljen nga ky burg, ku kanë hyrë me këmbët e veta”. 

10/11/2017 12:27