Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Martiri e dijetari, Atë Donat Kurti, në përvjetorin e vdekjes

Martiri e dijetari, Atë Donat Kurti - RV

10/11/2017 11:20

Kujtojmë më 10 nëntor përvjetorin e vdekjes së martirit e dijetari françeskan Atë Donat Kurtit. Figurë e jashtëzakonshme e poliedrike françeskani i Visareve të Kombit, vjollca e letrave shqipe, siç e quante atë Zef Pllumi sivëllain françeskan, Atë Donat Kurtin, që gjithçka kishte dhe ishte vuri në shërbim të Fesë e të Atdheut, ia dhuroi Zotit e kulturës së popullit të vet shqiptar.  Propozojmë një vështrim të Prof. Dr. Simon Pepa mbi figurën e jashtëzakonshme të Atë Donat Kurtit

Atë Donat Kurti (1903-1983) lindi më 3 shtator 1903 dhe vdiq në Shkodër më 10 nëntor 1983. Pra, ky françeskan i shquar lindi në Shkodër, më 3. IX. 1902, në një familje me tradita patriotike dhe intelektuale. Një nga vëllezërit e tij, Gjoni, qe një nga themeluesit e Shoqërisë patriotike "Bogdani". Siç shënonte Donati në kujtimet e tij "Gjëja më e bukur që më ka mbetur në mendje nga koha e fëmijërisë, ishte festa e 28 Nëntorit, kur dera e shtëpisë atërore dhe të tjerat përreth zbukuroheshin me shërmashek e lule shëmshiri, ndërsa banorët e lagjes, duke mbajtur në ballë flamurin kombëtar, dilnin me kandila të ndezur e brohorisnin për festën e Pavarësisë".

Donat Kurti, pasi mbaroi shkëlqyeshëm mësimet e para dhe të mesme në qytetin e lindjes, vazhdoi studimet e larta në Romë, në Universitetin "San Antonio", ku u laurua për filozofi. Më 1927 u bë prift françeskan dhe po atë vit kthen në qytetin e tij të dashur, ku, për aftësi të rralla e mendje të lartë, emërohet profesor në gjimnazin "Illyricum" të fretërve. Këtu dha gjuhë shqipe, latinisht, histori të natyrës. Nga 1930-1938 qe nëndrejtor i shkollës (me drejtor filozofin e shquar, Atë Anton Harapin, i lauruar në Austri). Nga viti 1939 e gjer në mbylljen e saj (1946) qe drejtor. Ky gjimnaz ishte një nga më të nderuarit në vendin tonë. Kishte rreth 500 nxënës e studentë. Këtu dhanë mësim profesorë të shquar, si: zëmadhi Gjergj Fishta, Atë Frano Kiri (matematicien), Atë Justin Rrota, një nga themeluesit e gjuhësisë shqiptare, autor i sa veprave , si : "Monumenti ma i vjetër i gjuhës shqipe – Gjon Buzuku" (1555) (botuar më 1930 ), "Shkrimtari më i vjetër italo-arbëresh, Lukë Matrënga, (1592)" (botim I më 1932, II më 1939 ), "Sintaksa e gjuhës shqipe" (botim I më 1942, II më 1944 ) etj.; Atë Marin Sirdari, autor i veprave "Skënderbeu mbas gojëdhanash" e "Historia e Ilirisë" e që la në dorëshkrim disa mijëra faqesh për Skënderbeun, punë 50-vjeçare,e cila u dogj nga xhahilët e Degës së punëve të brendshme, Shkodër, që të tre ishin lauruar në Austri. Këtu dha mësim edhe Atë Gjon Shllaku, i lauruar dy herë: në Louvain në Belgjikë (për histori) dhe në Holandë (për teologji), kryeredaktor i revistës "Hylli i Dritës", e cilësuar për kohën si më e mira në Ballkan.

Vlerën e kësaj vatre diturie e shohim edhe në këto dy aspekte të thjeshta, por mjaft domethënëse. Në provimet e maturës të vitit shkollor 1939 – 1940, si përfaqësues të Ministrisë së Arsimit qenë, prof Eqrem Çabej, për lëndët shoqërore dhe prof. Aleko Tashko, për ato natyrore. Ky gjimnaz qe i dashur për të gjithë shkodranët. Kur u mbyll, për ca kohë, nga qeveria e A.Zogut, pezmatimi dhe revolta ishte e përgjithshme. Siç shënon Atë Donati në Ditarin e tij, Zenel Broja, një nëpunës i nderuar i Bashkisë, i thotë me guxim Atë Fishtës: Padër Gjergj, sido që të bahet puna, ne na ke mbrapa!
Nga kjo shkollë dolën mjaft studentë, që më vonë do të bënin emër në kulturën kombëtare, si : prof. Gaspër Pali (poet), prof. Kolë Ashta (gjuhëtar), prof. Gaspër Ugashi, Lec Shllaku (regjisor), Zef Mjeda (esperantist i njohur, autor i një fjalori dhe i një gramatike për këtë gjuhë), Gjon Kujxhia, Prenkë Jakova, Çesk Zadeja etj. (muzikantë) etj.

Pra, të ishe drejtor i kësaj shkolle nuk qe punë e lehtë. Por Donat Kurti qe i denjë për këtë detyrë. Ai kishte një kulturë të gjerë. Zotëronte mirë greqishten e vjetër, latinishten, gjermanishten e anglishten. Në burg mësoi edhe rusishten. Për nevojat e shkollës përktheu ose punoi mjaft libra me vlerë, si: "Gramatika latine", pjesa I, Morfologji ( nga Dr. A. Shcheindler, 1933); "Sintaksi i gjuhës latine", I 1939, (po nga nga Dr. A. Shcheindler); "Vepra kulturore e elementit katolik në Shqipëri", botim i së përkohshmes "Hylli i Dritës", duke filluar nga nr. 3, 1933 etj., si dhe mjaft studime për probleme folklorike, gjuhësore, historike, fetare etj. Për punën e aftësitë e tij, nga Universiteti "San Antonio" i Romës, më 24 qershor 1937 i jepet grada "Doktor i shkencave". Kurti ishte edhe poet, piktor e muzikant. Nën drejtimin e Kolë Idromenos punoi edhe si arkitekt. Më 1930 merr pjesë në një konkurs pikture, ku zuri vendin e dytë, ndërsa çmim të tretë fiton në një konkurs instrumentistësh (i binte shumë bukur violinës).

Atë Donati, krahas punës mësimore e studimore, ishte dhe një gjurmues e studiues i palodhur i thesarit popullor. Ai brodhi me këmbë pothuajse të gjitha trevat veriore, ku mblodhi me qindra këngë, përralla, lodra popullore, njësi frazeologjike, proverba etj. Këto ia nënshtroi një studimi të imët. Nga puna e tij shumëvjeçare ai, së bashku edhe me mitologun e folkloristin e madh, Atë Bernard Palaj, i cilësuar nga albanologia ruse, Agni Desnickaja, si "Njohësi më i mirë i alpeve tona", ia arritën të botojnë veprën madhore "Këngë kreshnikësh dhe legjendash", më 1937, e cila radhitet denjësisht pranë "Iliadës" së grekëve, "Këngëve të Rolandit" të frëngëve, "Nibelungëve" të gjermanëve etj. Këngë si "Orët e Mujit", "Martesa e Halilit", "Ajkuna qan Omerin", "Gjergj Elez Alia" etj. janë perla të folklorit shqiptar dhe botëror.

Për të arritur tek ky botim madhor u desh një punë shumë gjurmuese, gjë që shënohet në parathënien e veprës, ku theksohet se "Kemi parasysh një koleksion prej 342 kangësh, material i çmueshëm mbledhë me mundim të madh për gadi 40 vjet prej françeskanëve". Nga këta dijetarë që gjurmuan gurrën popullore, mund të përmendim: Atë Donat Kurtin, Atë Bernardin Palajn, P.Martin Sirdanin. P.Nikollë Dajçin, Atë Leonard Shajakajn, P.Rrok Gurashin etj. Trevat ku u gjurmuan këngët qenë nga më të ndryshmet, si: Curraj i Epërm, Theth, Shalë, Kastrat, Mertur, Dushman, Selcë, Shosh, Shestan, Mirditë, Zadrimë etj.

Atë Kurti, së bashku me dijetarin tjetër, Palajn, ditën të zgjedhin më të bukurat nga kjo sasi këngësh dhe arritën të bëjnë një lidhje arsyetuese të Ciklit të kreshnikëve, duke shkrirë harmonishëm variantet e ndryshme. Madje, ata ndreqën, përpunuan dhe redaktuan vargje e këngë të tëra aq mjeshtërisht, sa ia shumëfishuan bukurinë e tyre. Që me daljen e veprës jehona ishte e madhe. Ajo u vlerësua, u komentua e u përkthye me fragmente nga prof. Norbert Jokli, prof. Ernest Koliqi etj. Atë Gjergj Fishta, i entuziazmuar nga kjo punë, shkruante: "Ku ma ke edhe ndër literatyra të kombeve të gjytetnueme nji përshkrim, paraqitur me ngjyra aq të gjalla, me shëmbëlltyra ma të përshtatuna e me nji burrni ma bujare, ma fisnike e ma të njerzishme mbi hijeshinë e nji vashe, përshkrim me të cilin fatosi i rapsodisë "Martesa e Halilit" paraqet hijeshinë e Tanushës".

Donat Kurti do të punojë edhe në fushën e përrallave popullore. Më 1942 e 1943 boton dy vëllime me titull "Përralla popullore". Në të njëjtën kohë në revistën "Hylli i Dritës" publikon për 33 numra rresht monografinë "Lojnat popullore", si dhe mjaft studime të tjera. Përrallat e botuara nga Kurti janë të një niveli të lartë artistik. Dijetari i shquar austriak, prof. Norbert Jokli, do ta quajë "Një nga prozatorët më të mëdhenj shqiptarë", ndërsa prof. Eqrem Çabej do ta çmojë lart për zbulimin e personazheve si Dedalia, i cili i përngjan aq shumë Odiseut me bëmat e tij. Çabej shënon: "Një vëmendje më të veçantë kërkon edhe figura e atij që quhet në Veri Shtatëpëllambë – mjekër – e – tri – pëllambë – shtat, njohjen e të cilit ia detyrojmë Donat Kurtit".

Në punën e tij, (dy vëllimet kanë 98 përralla në 261 faqe), ky dijetarë udhëhiqej nga ideale të larta kombëtare. Ai thekson se "Në të mbledhunit e këtyne përrallave, përveç se kam pasur parasysh me dhanë nji kontribut për etnologji e gjuhë, kam dashtë me tregue e me ushqye moralitetin e popullit shqiptar, tue i lëshue në dorë mësuesve landë të zgjedhun, prralla kombëtare, qi s'u lanë gja mangut prrallave ma të përmenduna të kombeve të tjera" ("Parathania", I, fq 9, 1942).

Duke u habitur me hijeshinë e përrallave tona, me një ndjenjë krenarie kombëtare, thekson: "Si kanë muejtë me u ruejt përrallat aq bukur atje ndërmjet malesh, prej malëcorëve që s'kanë fare të përpjekun me njerëz shkolle? Padyshim në këtë mënyrë del në shesh fisnikënia dhe lartësia e popullit shqiptar" ("Parathanie", fq 10).

Kurti jo vetëm i mblodhi dhe i parashtroi aq bukur përrallat popullore, por edhe i studioi hollësisht ato. Si dijetar i shquar krahasues që ishte, zotëron shumë mirë edhe punën e studiuesve të huaj në këtë fushë. Ai ka njohur gjer në imtësi përrallat gjermane (mbledhur nga vëllezërit Grimm), ato ruse (nga Afanasiev), daneze (nga Grundtvig), franceze (nga E. Cosquin), norvegjeze (nga Asbjornson), italiane (nga G. Pitre) etj., madje ai njeh me rrënjë dhe ato arabe, indiane etj. Duke vlerësuar gurrën popullore shqiptare, thekson me të drejtë se: "Motivet e përrallave tona janë mjaft të hershme, pse i ndeshim edhe ndër përralla të indianëve, të arabëve e të keltëve." E duke bërë krahasime, shënon se përralla, si: "Njeriu që ndien gjithçka", "Pashmanga arit", "Ora e gjysë kungulli" kanë afërsi me përrallat indiane, ndërsa përrallat e titulluara "Ali Senjefi", "Unaza e ujku i butë", "Shtatë maje gjuhe", kanë afërsi me përralla të arabëve. "Disa, - thekson Kurti, - i kemi krahasuar për afërsi motivi me ato të vëllazënve Grimm, por kemi edhe të tjera që përkojnë me përralla greke e romake ("Parathanie", fq 7).

Ky folklorist i shquar pat bërë gati për botim edhe vëllimin e tretë, për të cilin thotë, jo pa një parandjenjë të hidhur se, ndoshta kam me pasë rast me e botue. Tek ajo ndoshta, siç duket, parandjeu fatin e keq të vetin, të kolegëve e të shkollës së tij. Të mos harrojmë se jemi në prag të vitit 1944…
Pas pak shtrëngata komuniste zuri të frynte egër. Punonjës të Ministrisë së Brendshme erdhën dhe e mbyllën shkollën. Si drejtor që ishte, i kërkuan edhe vulën e saj. Dhe ai, burrërisht, para se t'ua dorëzonte, e theu në sy të tyre, duke e bërë copë-copë, shenjë kjo se ky gjimnaz, qendër atdhetarie e kulture, nuk mund të kishte më vazhdim në duart e djallit.

E tërmeti qe i tmerrshëm. Ai ra mbi tërë popullin shqiptar, por duke pasur epiqendër klerin katolik, i cili, mund të themi pa frikë se është kleri më i masakruar në tërë historinë botërore. U pushkatuan 31 klerikë, vdiqën në tortura 8, u mbytën pa gjyq 3, vdiqën në burgje e kampe internimi ose pak kohë mbas torturash 23, dolën nga burgu (sa gjallë) 66.

Të gjitha vitet e burgut janë afro 9 shekuj, kaluan rreth 33 vjet hetuesi të përbindshme. Këta klerikë kishin kryer rreth 450 studime në 24 universitete të Evropës. E mos të harrojmë se ishin vetëm 135, nga të cilët u martirizuan 131.

Edhe profesorë klerikë, kolegë të Atë Donatit u martirizuan egër. P.Anton Harapi, Atë Gjon Shllaku, P.Bernardin Palaj, Atë Çiprian Nika etj; u pushkatuan ose vdiqën ndër tortura. Edhe ish-nxënës të këtij gjimnazi si: Avokat Myzafer Pipa, prof. Kolë Prela., u pushkatuan Atë Donati u arrestua ndër të parët, më 1946. Pas 2 vjetësh hetuesi të tmerrshme, doli në gjyq, ku mbajti një qëndrim burrëror, si gjithmonë besnik i idealeve të tij. Në fjalën e fundit lapidar, përpara dhënies së dënimit, iu drejtua kështu prokurorit: "Kam mbledhë pa u lodhë dijen, mendimin dhe filozofinë e jetës së popullit, gjëra që transmetohen në mënyrën e legjendave kombëtare…Kam mbledhë thesarin e kombit jo për vete, por për popullin tim, deri sa t'ua mësoj bijëve të tij…Për këtë kërkoj që, nëse dënimi âsht me burgim të përjetshëm, të më jepet leja të vazhdoj punën time për të mirën e popullit".U dënua me vdekje, pastaj me burgim të përjetshëm. Kur po e nisnin për në vendet e shfarosjes, e pau e ëma e tij e sëmurë, e cila, ashtu e djegur nga malli, u lëshua për t'ia puthur ato duar të prangosura.


• Mos e prek!, -i thirri egër xhelati. E ajo grua e vuajtur ia ktheu: - O bir, ju a keni nanë!

Dhe Atë Donati pas atij çasti, për 15 vjet të tjera nuk do ta shihte më nënën e tij… Njohu me radhë burgjet e kampet famëzeza të Bedenit, Maliqit, Orman-Pojanit., duke punuar gjer në brez në baltat vdekjeprurëse. U bë tërë plagë, aq sa, kur shkonte motra fisnike Luçije Toska (Kurti) për ta parë, ai, edhe me ato pak minuta takimi, mezi qëndronte në këmbë. I bëri lutje Mehmet Shehut për ta larguar nga ato vende ferri. Dhe lutja iu muar parasysh, duke e dërguar si për më mirë në burgut e Burrelit… aty ku dhe kaloi pjesën më të madhe të dënimit.

Atë Donati vuajti shumë, ngase mbi të rëndonte një faj "i madh". Akuza ishte sa tragjike, aq edhe qesharake: kishte futur armët në kishë! Gënjeshtër e shpifje më të madhe se kjo zor se gjen. Dhe kjo akuzë e rremë u vue në art. Atë Donatin e detyruan të fotografohet me armë në dorë (të cilat i kishte futur vetë Sigurimi). U bënë edhe fotoekspozita, u botuan dhe vepra. Madje, me shpifje të kësaj natyre, një titullar kryesor i Degës së Brendshme Shkoder, R. B., mori dhe gradë shkencore me veprën më të përbindshme që është shkruar kundër klerit katolik, me titull "Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar".
E ndonëse akuza ishte për të qeshur, përfundimi i saj të bënte që të lëshoje ulërimën, nga se për këtë gjë u pushkatuan: Imzot Frano Gjini, Imzot Nikollë Deda, Atë Mati Prendushi, Atë Çiprian Nikaj; vdiqën në burg ose si pasojë e torturave D. Mark Hasi, D. Nikollë Shelqeti, D. Anton Muzaj, P. Mëhill Miraj, D. Ndoc Sahatçia e Fratel Ndue Vila. Bënë sa vite burg Atë Gjon Karma, D. Tomë Laca e Atë Zef Pëllumbi, i cili është i vetmi që ka mbetur gjallë nga kjo dramë kaq e egër.

Dhe kjo tragjikomedi, për Atë Donat Kurtin vazhdoi edhe kur doli nga burgu, me 20 maj 1963, pas 17 vjetësh vuajtje. Në fletën e lirimit i ishte shënuar: "Ka marrë pjesë në Lëvizjen e Postrribës", ndonëse ai, si prift që ishte, nuk kishte shkuar kurrë në atë krahinë, ngaqë aty jetonin banorë të një besimi tjetër…
(O Zot! Sa ka hequr ky popull. Kur mendoj të gjitha këto, më kujtohet ajo përgjigjja aq e mprehtë e një malësori dukagjinas dhënë një gjenerali fodull të Ministrisë së Brendshme. Kur ky, para tërë popullit të fshatit e pyeti si me madhështi: A jemi qeveri e fortë o Gjelosh? E plaku përnjëherësh iu përgjigj: Të fortë, të fortë, por ma të fortë jemi ne qi e durojmë).

Atë Donat Kurti edhe në terrinën e burgut si dhe kur doli jashtë, pothuajse i sakatuar e jetoi në kushte shumë të këqija nuk reshti së punuari. Zgjeroi vëllimin e tretë të "Përrallave popullore", përfundoi veprën "Thaça ose mënyra të thanunit në gjuhën shqipe", ku janë përfshirë rreth 12000 njësi frazeologjike dhe proverba nga e folmja e Shkodrës, shkroi pjesë "Nga kanuni i Skënderbeut", vëllimet me tregime "Mësimet e nanës", "Në rrugën e plepave", "Kah gurrat e jetës", përmbledhjen me poezi "Lule më lule" etj. Janë rreth 34 vepra të mëdha e të vogla që la në dorëshkrim, sot pronë e Provincës françeskane. Ky dijetar i shquar i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij në një vetmi të plotë dhe në një varfëri të frikshme. Një ish – student i tij tregon: "E pashë profesorin tim të nderuar në radhën e bukës. Po numëronte ngadalë, si nën zë, sa për të blerë një gjysmë buke të zezë. Shitësja i foli si me përbuzje: Ti, plako, shpejto. Nuk ta kemi ngenë të të presim gjer sa t'i numërosh lekët. Atë Donati uli kokën dhe doli i menduar. E ku ta dinte ajo shitëse injorante se ai plak i munduar dhe i varfër ishte një nga dijetarët më të mëdhenj të këtij kombi".

Nga 1967, kur u shkatërruan kishat e kuvendet e gjer sa vdiq, jetoi me lëmoshë…Motra fatkeqe, Luçija, nuk u kursente në atë varfërinë e saj, por Atë Kurti nuk jetoi tek ajo, ngase nuk donte t'i bënte dëm, meqenëse kishte dhëndrin e saj Alfons Radovani, të dënuar me 10 vjet burg politikisht…Motra tjetër fisnike iu gjet sa herë pranë, por dhe ajo pak mund të bënte, për arsye se ajo, si të thuash, ishte më e varfër se i vëllai.

Nga data 20 – 22 tetor 1983 në Tiranë u zhvillua Simpoziumi shkencor "Epika heroike shqiptare". Qenë të ftuar dijetarë nga Franca, Austria, Italia e deri nga Suedia e largët, por asnjëri nuk pati guximin të kujtohej se ai që e kishte mbledhur dhe botuar së pari këtë Epikë të mrekullueshme po jepte shpirt në një barangë gjysmë të shkatërruar atje në Zallin e Kirit…

Madje në këtë Simpozium madhor iu mohua edhe vepra e tij. Në Referatin kryesor si cak nismëtar i botimit të këtij Cikli u muar viti 1955 ku u theksua se "Ndihmë të vlefshme kanë sjellë punimet e studiuesve tanë, të cilët mbështetën në epërsinë e parimeve marksiste- leniniste". (?!)
Politizimi shkonte edhe më tej. Njëri nga kumtuesit deklaronte: "Ndërsa në të kaluarën malësori ynë ishte i lidhur ngushtësisht me këngët e kreshnikëve, sepse ato e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim…, sot këtë funksion e kryejnë më së miri dhe më drejtpërdrejt këngët e folklorit të ri, të lindur në vitet e partisë" ("Çështje të folklorit shqiptar", 2, Tiranë 1986, Fq.44, ). E diku më poshtë shënohet se "…rapsodët …u këndojnë viteve plot patos heroik të socializmit nën udhëheqjen e partisë dhe të shokut Enver Hoxha", e se ata (rapsodët, S.P.) "…pranë këngëve të krijuara për partinë, kanë krijuar dhe këngë për hidrocentralin" ("Çështje të folklorit shqiptar", Tiranë 1986, II. fq.303).
Rreth jetës dhe veprës së Donat Kurtit për sa dhjetëvjeçarë u hodh vetëm heshtje dhe harresë e plotë. Ndonëse përrallat e tij u shfrytëzuan dhe u ribotuan sa herë, emri nuk iu përmend fare, por vetëm rrallë u shënuan inicialet D.K., ndërsa, edhe më keq ngjau me veprën " Kangë kreshnikësh dhe legjenda", (1937), për të cilën nuk shënohej as emri i autorit dhe as titulli i veprës, por vetëm: " Visaret e kombit", 1937 (shih Çështje të folklorit shqiptar", II, fq. 304).

Por, është për të ardhur shumë keq se edhe në ditët tona, këtij dijetari të nderuar i përvetësohet puna e bërë. Kështu, në veprën e Virgjil Muçit, "Përralla shqiptare për 100+1 natë" bleu II, Shtëpia botuese "Eqrem Çabej", dalë këto vitet e fundit (libri nuk e ka datën e botimit) nga 41 përralla të veprës, 16 janë marrë fjalë për fjalë e pa asnjë ndryshim nga Atë Donati, pra gati gjysma e tyre. Përrallat janë:
1.Vur topuz, dur topuz (D.Kurti, "Përralla kombëtare", bleu I, Shkodër, 1942, f.61-65 = V.Muçi, "Përralla shqiptare për 100+1 natë"bleu II, fq.188-195); 2 Tri dredha shpinës (Kurti, I, fq.61-65 = Muçi, II, f. 182 – 187); 3. Ma i vogli vëlla, ma i dhimbshmi vëlla (Kurti, I, fq. 26 – 28 = Muçi II, fq 162 – 165); 4. Sazan çelu, Sazan mbyllu (Kurti, I, fq. 118 – 120 = Muçi II, fq. 206 – 209); 5. Shtatëpëllëmbë mjekër e tri pëllëmbë shtat (Kurti, II, Shkoder, 1943, fq. 7 – 11, = Muçi II, fq. 155 – 162); 6. Kokërrmeli (Kurti, II, fq. 45 – 46, = Muçi II, fq. 168 – 172); 7. Gërzheta (Kurti, II, fq. 36 – 38, = Muçi II, fq. 106 – 111); 8. Kurrkund shoq i pashoq nuk â (është) (Kurti, II, fq. 101 – 102, = Muçi II, fq. 173 – 174); 9. Dy probatinat (Kurti, I, fq. 45 – 49, = Muçi II, fq. 116 – 124); 10. Dushk për gogla (Kurti, I, fq. 108 – 109, = Muçi II, fq. 114 – 116); 11. Motra e shtatë vëllezërve (Kurti, II, fq. 29 – 31, = Muçi II, fq. 134 – 137); 12. E bukura dheut dhe shtriga (Kurti, II, fq. 29 – 31, = Muçi II, fq. 134 – 137); 13. Treqind grosh për një ujk (Kurti, II, fq. 31 – 33, = Muçi II, fq. 177 – 182); 14. Hajni ortak (Kurti, II, fq. 31 – 33, = Muçi II, fq. 199 – 205); 15. Bima e Buçit (Kurti, "Prralla kombtare", në "Folklori shqiptar", I, Proza popullore, Tiranë, 1966, II, fq 375 – 377 = Muçi, II, fq 215 – 222); 16. Borxhi i vonë gëzon të zonë (Kurti, "Prralla kombtare", në "Folklori shqiptar", I, Proza popullore, Tiranë, 1966, II, fq 385 – 386 = Muçi, II, fq 175 – 176). (Shënim: Ne kemi analizuar vetëm bleun (vëllimin) II të V. Muçit, Vëllimin e parë nuk e kemi gjetur).

Për të gjitha përrallat e sipërshënuara nuk jepet fare se janë të Atë Donat Kurtit, por është për të ardhur keq se në krye të veprës Muçi ka vënë vetëm emrin e vet. 16 përrallat e Kurtit kanë vetëm një ndryshim të vogël se janë kthyer në gjuhën letrare.
Në këtë mes duhet vënë në dukje një fakt domethënës:
Në vitin 1966, në kulmin e diktaturës (mos të harrojmë se një vit më vonë, me 1967, u shkatërruan me kulm e me themel institucionet fetare), nga Instituti i Folklorit u botuan disa përmbledhje me përralla popullore, ku, në vëllimin I, u përfshinë mjaft përralla të Atë Kurtit. Redaksia e përbërë nga dijetarë folklorist të shquar, si: prof. Zihni Sako (redaktor përgjegjës), prof. Ziaudin Kodra, Filip Ndocaj, Keti Harito dhe Jorgo Panajoti, vërtetë ia përgjysmuan emrin në D. Kurti (gjë e kuptueshme për kohën), por, ama, përrallat nuk ia mohuan. Në hyrje të librit shkruan: "Përrallat nga numri 119 e gjer në 189 janë marrë nga vëllimi I, II i "Prrallava kombtare" të D. Kurtit. Këto përralla u redaktuan nga Filip Ndocaj (shih Instituti i Folklorit, "Folklor shqiptar", I, proza popullore, vëllimi II, Tiranë, 1966, fq 138 – 421).

Në rast se diktatura e masakroi dhe ia errësoi emrin këtij njeriu të shquar, demokracia ka për detyrë t'ia nxjerrë në dritë veprën e tij. Për hatër të Zotit të bëhet kjo, ngase mjaft është lënë në heshtje ky dijetar i martirizuar. Për këtë shprehim kërkesën se Z. Muçi, në qoftë se do ta ribotojë veprën, ose po të vazhdojë vëllimet e tjera të librit "Përralla shqiptare për 100 + 1 natë", po të marrë përralla nga D. Kurti, është e udhës që t'i përcaktojë këto me tituj e me numër faqesh, duke shkoqitur qartë se cilat janë djersa e Atë Donatit, e cilat janë të tjetërkujt.(Përmendja e emrin në përgjithësi në bibliografinë e veprës është e mangët dhe e pamjaftueshme). Vetëm po të veprojmë kështu, haku shkon tek i zoti, aq më tepër kur të zotit i është hangër haku gjithë jetën…Edhe më keq ngjet kur për përrallat e marruna fjalë për fjalë nga D.Kurti, shënohet "Të drejtat janë të autorit Virgjil Muçajt" (?!)
Atë Donat Kurti vdiq 18 vjet më parë, më 10 nëntor 1983. Edhe vdekja e tij, ashtu si dhe jeta, qe e varfër dhe e frikshme. E mbesa, Riti Radovani (Toska), duke sjellë ndërmend atë ditë të dhimbshme, me lot në sy e më një zë që i dridhet thekson: "Mua më paraqitet si një film bardh e zi dita e 11 nëntorit 1983. Shumë njerëz dëshironin të merrnin pjesë në ceremoninë mortore të tij, t'ia shihnin për herë të fundit atë fytyrë fisnike t'ia puthnin atë dotë që kishte shkruar aq shumë për kulturën shqiptare, por …shumë pak erdhën. Frika e persekutimit, kjo ndjenjë e keqe që e shkatërroi këtë komb, bëri që të mohohej njeriu i zemrës dhe i shpirtit" (shih, Florenca Jakova (Radovani), Atë Donat Kurti, jeta e vepra, temë diplome, Universiteti "Luigj Gurakuqi", Departamenti i Letërsisë, 1999).
Për vdekjen e këtij dijetari nuk u shkrua asnjë rresht. Atij, siç iu mohua jeta, iu mohua edhe vdekja. Si datë vdekjeje merret viti 1969, pra, bëhet i vdekur 14 vjet përpara (shih Robert Elsie, "Historia e letërsisë shqiptare", Tiranë – Pejë, 1997, fq.378).
Por, fatmirësisht, atë që nuk e bëri shqiptari e bëri i huaji. Para 3-4 vitesh në Gjermani u zhvillua një Simpozium i gjerë në shkallë ndërkombëtare, për Epikën heroike. Karrigia, ku ishte shkruar emri i Atë Donatit, e zbukuruar me një tubë lule shumëngjyrëshe, ndejti e pazënë në të gjitha ditët e tubimit…Kjo shenjë nderimi ishte mirënjohja dhe respekti që kishte bota e qytetëruar për të. Kjo ishte njëkohësisht dhe një qortim për ne, duke vërtetuar më së miri thënien lapidar të prof. Skënder Luarasit, se: "E gjithë bota i ndërton heronjtë prej balte, ne i kemi dhe i hedhim në baltë".

Në sa po jepte shpirt ky njeri i bekuar, la amanet vetëm tri fjalë: Dashuri!, Vëllazëri !, Mëshirë ! Ishte mesazhi i fundit i shpirtit të tij fisnik, mesazhi i një dijetari të martirizuar, që e deshi aq shumë popullin dhe atdheun e vet e që për ta arriti deri në flijim…
Prof. Dr. Simon Pepa


 

10/11/2017 11:20