Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “A”

Gesu bussa alla porta - RV

10/11/2017 15:39

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, së kësaj radhe, meditojmë leximet biblike të liturgjisë së dielës së 32-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendari liturgjik.

Po i afrohemi përfundimit të vitit liturgjik e Kisha na fton ta drejtojmë vështrimin përpara, drejt realiteteve dhe të vërtetave të mbramë të jetës. Pali apostull në Letrën drejtuar Tesalonikasëve ( 4,13-18), leximi dytë, shpjegon se cili duhet të jetë qëndrimi i të krishterit para vdekjes, e Jezusi, në Ungjill (Mt 25,1-13), thotë se si duhet jetuar në pritje të saj: “rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”.

Kështu, Ungjilli i kësaj së diele (Mateu 25, 1 -13), me shëmbëlltyrën e dhjetë virgjërave, të cilën na e tregon Jezusi, e përshkruan jetën e njeriut si një pritje, si kohë vigjilente, si ecje drejt takimit me Zotin. Me ngjarjen kureshtare të dhjetë vajzave, pesë të mençura, e pesë marroqe, Jezusi na nxit të jemi të urtë. Shëmbëlltyra e dhjetë vajzave na fton të jetojmë me urti, të jemi të vëmendshëm, të jemi vigjilentë e të gatshëm kurdoherë për takimin tonë përfundimtar me Zotin që vjen.

Në këto të diele të fundit të këtij viti liturgjik kishtar, kundrimi ynë, pra, përqendrohet te ardhja e lavdishme e Zotit, përmes tri shëmbëlltyrave që përmbyllin fjalimin eskatologjik të Jezusit në ungjillin sipas Mateut (khr Mt 25). Kësaj së diele kemi shëmbëlltyrën e Dhëndrit që u vonua, e të dhjetë virgjërave të thirrura për ta pritur e për t’i dalë përpara. “Pasi dhëndri u vonua....”. Zoti Jezusi është Dhëndri mesianik (khr. Mt 9,15; Ef 5,31-32), që ka ardhur për të rivendosur besëlidhjen e re e të amshuar të Hyjit me mbarë njerëzimin, në dashuri dhe besnikëri (khr Oz 2,21-22).

Pasi na e rrëfeu Hyjin me tërë jetën e vetë, Jezusi “u është rrëmbyer” (khr Mt 9,15) të vetëve në mënyrë të dhunshme, ai njohu e pësoi vdekjen e padrejtë e të turpshme mbi kryq: mirëpo Ati e thirri prej së vdekurish, duke vulosur me ngjallje dashurinë që ai e jetoi. E mirë pra, në shpresën e patundur në ringjallje Jezusi pati parashikuar dhe ua pati premtuar dishepujve ardhjen e tij si Dhëndër përfundimtar në mbarimin e kohërave, por duke ripohuar se orën e saktë të kësaj ngjarje nuk e dinë as engjëjt dhe as i Biri. Por vetëm Ati (khr Mt 24, 36).

Jezusi e krahason Mbretërinë e Qiellit me dhjetë virgjëresha të cilat dolën për të pritur dhëndrin. Pra Mbretëria e qielli mes nesh është si një pritje. Njerëzit e kësaj Mbretërie janë besimtarët, besnikët, ne pra, që dimë të presim ardhjen e Jezu Krishtit. E si do ta presim Jezusin tani? Si e presim ne takimin me Jezusin që vjen? Në Ungjillin e kësaj së diele Jezusi thotë se ka dy kategori njerëzish: të mençur dhe jo të mençur. Me fjalë të tjera ata që s’janë të mençur nuk bëjnë asgjë të mirë dhe nuk mendojnë aspak për të ardhmen. Kurse të mençurit bëjnë vepra të mira, i mbajnë “sytë hapur” e dritëzat e ndezura.

                                                      Liturgjia e Fjalës së Zotit

     Leximi i parë   Urt 6,12-16

Lexim prej Librit të Urtisë

Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet, dhe ata që e duan e shohin lehtë, ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë. U del para atyre që e dëshirojnë që të bëhet e njohur prej tyre.  Kush ngrihet heret për ta kërkuar s’do të lodhet: do ta gjejë ndenjur para derës së vet. Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë është përsosje mençurie, kush për atë rri zgjuar, shpejt do të jetë i sigurt. Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar ata që janë të denjë për të, udhës u dëftohet me kënaqësi e në të gjitha mendimet e tyre vetë u vjen e para në takim. Fjala e Zotit.

Psalmi   63

Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot

——————————————

O Hyj, Hyji im je ti,

qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë.

——————————————

Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:

buzët e mia do të të lavdërojnë.

——————————————

Kështu do të të bekoj në jetën time,

e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.

——————————————

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim,

në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

——————————————

 

Lexim i ditë 1 Sel 4, 13-18

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Nuk duam, o vëllezër, t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin, do t’i marrë në lumturi.  Këtë po ju themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në ditën e ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. Sepse vetë Zoti – kur të jepet urdhri, në zë të kryeengjëllit, në zë të borisë së Hyjit – do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. Pra, ngushëlloni njëri tjetrin me këto fjalë! Fjala e Zotit.

Aleluja Qëndro besnik deri në vdekje, thotë Zoti, dhe do ta jap kurorën e jetës. Aleluja

Ungjilli   Mt 25, 1-13

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta dhe i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. Tashti, këto marroqet morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa ato të mençurat morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’  Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë ia behën edhe virgjërat tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai u përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!” Fjala e Zotit.

10/11/2017 15:39