2017-11-10 12:20:00

Imzot Viganò: Papa Françesku, “paradoksalisht mediatik”


Mund të themi se Papa Françesku është papë mediatik e “nëse shtojmë edhe një ndajfolje, është papë paradoksalisht mediatik, në kuptimin se nuk i intereson aspak teknologjia e është mjaft larg saj, por, shi për këtë, e thekson shumë aspektin e karizmës personale, duke bërë që mediat t’i shkojnë pas”. Kështu deklaroi prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, dje në Romë, gjatë paraqitjes së librit “Tregimi i Françeskut. Komunikimi i Papës në epokën e lidhjeve globale”. Publikuar nga Universiteti Luiss, libri është një përmbledhje artikujsh mbi komunikimin e Atit të Shenjtë Bergoglio, nën kujdesin e Paolo Peverini-t, nga Universiteti Luiss dhe, Anna Maria Lorusso-s, nga Universiteti i Bolonjës.

         Libri, shpjegoi imzot Viganò, përpiqet të përshkojë rrugën me të cilën Papa Françesku, përmes komunikimit, krijon marrëdhënie me njerëzit, që e shohin konkretisht, ose përmes mediave. Sa e vështirë është të parashikohet komunikimi i Papës Françesku? – pyeti vetë imzot Viganò në takimin e djeshëm me gazetarët. “Thuhet gjithnjë – nënvizoi ai – se Ati i Shenjtë komunikon spontanisht e kjo është e vërtetë. Se komunikimi i tij është i atypëratyshëm e, edhe kjo është e vërtetë. Por komunikimit të Françeskut nuk i mungon përvoja, prandaj sfida jonë si komunikatorë, kur Ati i Shenjtë del jashtë protokollit, është të jemi menjëherë aktivë për të kuptuar me intuitë lëvizjet e tij. Ndonjëherë, nuk na mbetet tjetër veçse t’ia nënshtrojmë mjetet teknike dëshirave të tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.