Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Më 9 nëntor kujtojmë Imzot Bernanrdin Shllakun, në përvjetorin e vdekjes

Kisha françeskane Shkoder

09/11/2017 10:39

Më 9 nëntor kujtojmë Imzot Bernanrdin Shllakun, në përvjetorin e vdekjes. Ipeshkvi i dioqezës së Pultit është një nga figurat më të diskutuara të hierarkisë katolike shqiptare të shekullit të kaluar, sepse i vetmi prelat i mbetur gjallë në kohën e diktaturës komuniste kur u nënshkrua Statuti i Kishës Katolike të Shqipërisë. Ishte një çast i rrezikshëm politiko - fetar, që e vinte klerin katolik para një përgjegjësie të rëndë, përballë politikanëve komunistë në vitet 1949-1951. Në këto kushte imzot Shllaku u takua me Mehmet Shehun.

Ai vetë na ka lënë këtë dëshmi: “Atë ditë ishte festa e madhe, festa e Zemrës së Krishtit. Pikërisht atë ditë të bekueme më pat thirrë Mehmet Shehu në kryeministri. Ndejem vetëm për vetëm. Më tha: ‘Ma jep dorën, monsinjor Shllaku, dorën e besën shqiptare!’. Ia dhashë dorën, ma shtërngoi fort e shtoi: “Qe besa e burrave shqiptarë! Për nder të flamurit e të partisë, derisa të jem unë gjallë, ipeshkvijtë shqiptarë, nëpërmjet kanalit të qeverisë, do të aprovohen prej Papës!”.  Ndonëse pa bindje të plotë, duke dashur të shpëtonte atë ç’mund të shpëtohej, imzot Shllaku pranoi, me mendimin: “Kush të mbesë gjallë, të luftojë e të desë, në qoftë nevoja! Na deri këtu e prumë!”.

Imzot Bernardin Shllaku vdiq me 9 nëntor 1956, por besa vazhdoi deri në rrënimin e madh të 1967-tës. E megjithëse në Rrëshen të Mirditës Enver Hoxha kishte shpallë me të madhe: “Më në fund e ndamë Kishën katolike nga merimanga e zezë e Vatikanit”; shkëputja e ndamja e Kishës katolike e Shqipërisë nga Selia e Shenjtë nuk u banë kurrë.  Ishte një besë që u mbajt gjallë me gjakun e martirëve, dëshmitarë të Udhëheqësit të vetëm të njerëzimit, Jezu Krishtit Zot. 

Imzot Bernardin Shllaku, i biri i Jozefit e i Marie Ndojës, lindi në Shkodër më 23 qershor 1875, veshi petkun e Shën Françeskut më 8 dhjetor 1892; kushtet e përkohshme i bëri më 8 dhjetor 1893; të përjetshmet më 14 dhjetor 1896. U shugurua meshtar më 26 dhjetor 1897; Ipeshkëv i Pultit, më 1910; vdiq më 9 nëntor 1956. Me emrin e tij lidhet një shekull i historisë së Kishës në Shqipëri. Më 1911, kur Shqipëria përgatitej të rilindte, ai ishte tashmë Ipeshkëv i Pultit, Bari i Kishës, tek i cili grigja katolike e maleve kishte gjetur strehë të sigurt në përpjekjen për të përballuar presionin turk e serb. Më 1935 familja françeskane do të kremtonte me madhështi 25- vjetorin e ipeshkvisë së tij. Pastaj do të vinin vitet e rënda të burgimit, të poshtërimit, të izolimit e të vënies para një prove të rëndë: marrjes së vendimit për nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike të Shqipërisë", sepse i vetmi prelat i mbetur gjallë në atë kohë tragjike për krishterimin në vend.

Po e kujtojmë me një faqe, të pabotuar rreth figurës së tij, pra, një fragment nga dorëshkrimi i Atë Gjergj Vatës kushtuar Atë Pjetër Meshkallës, në qendër të të cilit është pikërisht figura e ipeshkvit në çastet më kritike të jetës së tij e të Kishës katolike në Shqipëri:
"Në vitin 1961, mbasi Atë Meshkalla kishte dalë prej burgut, shkova me ndejë me të. Kishem me vedi "Statutin e Kishës Katolike të Shqipërisë". Ishem kureshtar me pa ç'gjykim do të jepte Atë Mëshkalla mbi lojën e rrezikshme politiko-fetare luejtë nga kleri katolik dhe politikanët komunista në vitet ' 49 - ' 52. Mbasi u përshëndetëm me shumë mall e dashtuni, nxora Statutin, e "Si të duket kjo paçavër" - i thashë. Ai vuni buzën në gaz e m'u përgjegj: "Jo, ky librec asht fitore për klerin tonë, natyrisht tue mendue me ke kemi të bajmë: me komunizmin ma të tërbuem, shartue mbi ideologjinë e egër të shumicës sonë. Mandej ti e di se këtu, mbi Statut, rrin sogje Besa e dhanë Shqiptare”. Mbas këtyne fjalëve, nuk m'u durue e ia ktheva: "Lum Pjetri, po më duket se paske qenë në dijeni se si asht përpilue dhe si asht firmosë ky Statut”.  “Po - m'u përgjegj - a pak priftën kanë ra në burg sa me na i kallëxue fillë e për pê ngjarjet që ndodhshin përjashta, a? E sidomos ato të kishës sonë?" “Ashtu asht, por ato sende që ti nuk mujte me i ndigjue në burg e drejtpëdrejtë nga goja e Monsinjor Shllakut, po t'i tregoj unë, sepse unë i shërbejshe si sekretar dhe i çojshe shkresat për firmë. Çdo ditë, sa qe në gjendje, më thirrte me bisedue me të, ndërsa Lezja, e kushërina, na piqte kafet. Me kafe përpara, fillojshim bisedat. Kam përshtypjen, ma mirë me thanë bindjen, se Imzotin shpesh herë e brente ndërgjegja për takimin me Mehmet Shehun. Për këtë ai u mundue me u justifikue sa ishte gjallë dhe si fakt parashtronte se i gjithë kleri katolik shqiptar (simbas mendes së tij) ishte dakord për veprimin që ai kishte krye. Për këtë dhe Monsinjor Gaspër Gurakuqi kishte lëshue shprehjen e famshme të Shën Pjetrit: "In verbo tuo, laxabo rete". Një ditë, tue pi kafet, i kuq si flaka në fëtyrë, Monsinjor Shllaku më tha: ‘Ndigjo Gjergj: Atë ditë ishte festë e madhe, festa e Zemrës së Krishtit. Pikërisht atë ditë të bekueme më pat thirrë Mehmet Shehu në kryeministri. Ndejem vetëm për vetëm. Më tha: "Ma jep dorën, Monsinjor Shllaku, dorën e besën shqiptare!". Ia dhashë dorën, ma shtërngoi fort e shtoi: "Qe besa e burrave shqiptarë! Për nder të flamurit e të partisë, derisa të jem unë gjallë, ipeshkvijtë shqiptarë, nëpërmjet kanalit të qeverisë, do të aprovohen prej Papës!”… Tash që më ndigjove, çka thue ti, Gjergj, për këtë lidhje me besa-besë?”. "Imzot - i përgjegja - prej anës së kryeministrit qe një hap politik mjaft i goditun për të zgidhë nenin që kishte ndalë firmen dhe aprovimin e Statutit të Kishës Katolike Shqiptare. Ajo qe marrëveshje mes qeverisë dhe klerit katolik shqiptar. Veç ka vlerë sa të jeni ju të dy gjallë. I pari që të desë prej ju të dyve, marrëveshtja prishet!". “Ashtu asht - m'u përgjegj dhe, tue çue grushtin përpjetë, me sa fuqi pat, i ra tavolinës me syprinë kristali, i cili u ba grimca-grimca, që u shkapërhapën nëpër qylym. E ai shtoi: - Kush të mbesë gjallë, të luftojë e të desë, në qoftë nevoja! Na deri këtu e prumë!”. Bisedën me Patër Mëshkallën e mbylla me këto fjalë: - Monsinjor Shllaku ka dekë më 1957, por besa vazhdon. Ai ma priti: “A po e sheh, pra, sa pritje, durim, shpresë e besim duhet të ketë njeriu te Zoti, te Besa, te Burrnia?!”.
Megjithëse në Rrëshen të Mirditës Enver Hoxha kishte shpallë me të madhe: "Më në fund e ndamë Kishën katolike nga merimanga e zezë e Vatikanit"; po shkëputja dhe ndarja nuk u banë kurrë e më në fund e mira ngadhënjeu mbi të keqen, drita e mposhti errësirën.

09/11/2017 10:39