2017-11-08 12:24:00

Papa: Eukaristi do të thotë falënderim, lartim i zemrave


Papa nisi sot një cikël të ri katekizmi, që do ta përqendrojë vëmendjen tek “zemra” e Kishës, domethënë, tek Eukaristia. Është themelore për ne të krishterët, ta kuptojmë mirë vlerën dhe domethënien e Meshës Shenjte, që të mund ta jetojmë gjithnjë më plotësisht lidhjen tonë me Zotin.

Nuk mund ta harrojmë numrin e madh të të krishterëve që, në mbarë botën në dymijë vjet histori, i bënë ballë vetë vdekjes, vetëm e vetëm për të mbrojtur Eukaristinë, e edhe të gjithë ata që, akoma sot, vënë në rrezik jetën për të marrë pjesë në Meshën e së dielës. Në vitin 304, gjatë persekutimit të Dioklecianit, disa të krishterë të veriut të Afrikës, u kapën pikërisht kur po kremtonin Meshën në një shtëpi e u arrestuan menjëherë. Prokonsulli romak, duke zhvilluar hetimet, i pyeti pse e kishin bërë këtë, duke e ditur se ishte plotësisht e ndaluar. E ata u përgjigjën: “Nuk mund të rrojmë pa të dielën”, gjë që do të thoshte: nëse nuk do të mund ta kremtonim Eukaristinë, nuk do të mund as të jetonim, jeta jonë e krishterë do të vdiste.

Në të vërtetë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Nëse nuk do ta hani korpin e Birit të njeriut e nuk do ta pini gjakun e Tij, nuk do të keni jetë në ju. Kush ha korpin tim e pi gjakun tim, ka jetën e pasosur e unë do ta ngjall në ditën e mbrame”(Gjn 6, 53-54).

Këta të krishterë të Afrikës së Veriut u vranë. Lanë pas dëshminë se mund të hiqet dorë nga jeta tokësore, por jo nga Eukaristia, sepse ajo të jep jetën e amshuar, duke të bërë pjesëtar të fitores së Krishtit  mbi vdekjen. Dëshmi, që na takon të gjithëve e kërkon t’i përgjigjemi pyetjes: “Ç’përfaqëson për secilin nesh pjesëmarrja në Flijimin e Meshës e qasja pranë sofrës së Zotit? A e kërkojmë këtë burim, nga i cili gurron ujë i gjallë për jetën e pasosur? Që e bën jetën tonë fli shpirtërore lavdërimi e falënderimi e bën prej nesh një korp të vetëm në Krishtin? Ky është kuptimi më i thellë i Eukaristisë shenjte, që do të thotë “falënderim”, falënderim Zotit Atë, Bir e Shpirt Shenjt, që na tërheq e na shndërron në bashkimin e Tij të dashurisë.

Në katekizmat e tjera dëshiroj t’i jap përgjigje disa pyetjeve të rëndësishme mbi Eukaristinë dhe mbi Meshën, për të rizbuluar a për të zbuluar sesi përmes këtij misteri të fesë, shndrit dashuria e Zotit.

Koncili II i Vatikanit u frymëzua fuqimisht nga dëshira që të krishterët ta kuptojnë madhështinë e fesë dhe bukurinë e takimit me Krishtin. Prandaj  ishte e nevojshme, sidomos, të vihej në jetë, udhëhequr nga Shpirti Shenjt, përtëritja e nevojshme e Liturgjisë, sepse Kisha jeton vazhdimisht prej saj e përtërihet nga ajo.

Një temë qëndrore që u nënvizua nga Etërit Konciliarë, është formimi liturgjik i besimtarëve, i domosdoshëm për përtëritjen. E ky është edhe qëllimi i ciklit të katekizmit, që po e fillojmë sot: të thellojmë njohuritë  për dhantinë, që na e dhuroi Zoti në Eukaristi.

Eukaristia është ngjarje e mrekullueshme, në të cilën Krishti, jeta jonë, bëhet i pranishëm. Të marrësh pjesë në Meshë, “domethënë t’i jetosh edhe një herë mundimet dhe vdekjen shëlbuese të Zotit”. Është teofani: Zoti bëhet i pranishëm mbi altar, duke iu dhuruar Atit për shëlbimin e botës (Homelia në Meshën Shenjte, Shtëpia e Shën Martës, 10 shkurt 2014).

Po provojmë, tani, të bëjmë disa pyetje. Për shembull, pse e bëjmë shenjën e kryqit dhe punën e pendimit në fillim Meshës? E leximet, pse janë aty? Pse lexohen e ç’punë kanë, aty ku janë? Ose, pse, në një shenjë vendi meshtari, që i prin kremtimit, thotë : “T’i lartojmë zemrat?”.

Ka shumë rëndësi të rikthehemi tek themelet, të zbulojmë atë, që është themelore, përmes asaj që preket e që shihet në kremtimin e sakramenteve. Kërkesa e Shën Tomës Apostull (krh Gjn 20,25) për t’i parë e për t’i prekur plagët e gozhdave në korpin e Krishtit, është, në një farë mënyre, dëshirë që të prekim Zotin, për të besuar.  Shën Toma i kërkon Zotit po atë gjë, për të cilën kemi nevojë të gjithë: ta shikojmë e ta prekim, për ta pranuar. Sakramentet i përgjigjen pikërisht kësaj kërkese njerëzore. Sakramentet, e në mënyrë të posaçme, kremtimi eukaristik, janë shenja të dashurisë së Zotit, udhë të zgjedhura për t’u takuar me Të.

Përmes këtyre katekizmave dëshiroj të zbulojmë së bashku me ju, bukurinë që fshihet në kremtimin eukaristik e që, pasi zbulohet, i jep kuptim të plotë jetës së secilit. “Zoja e Bekuar na shoqëroftë në këtë copë rruge”.








All the contents on this site are copyrighted ©.