2017-11-08 11:31:00

Imami i Al Azharit: Papa, njeri simbol, pasuri për njerëzimin


Papa Françesku është “njeri simbol, thellësisht i mirë, ka një zemër të mbushur me dashuri, me mirësi të sinqertë, me dëshirën që njerëzimi të përfitojë nga shkëmbimet ndërmjet kulturave”. Përdori fjalë tejet lavdëruese, Imami i madh i Al Azharit, Ahmed al Tayyeb, i cili dje paradite u takua me Atin e Shenjtë në Vatikan, ndërsa pasdite mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Lindja dhe Perëndimi: dialog qytetërimi”, organizuar në Romë nga Bashkësia e Shën Egjidit.

“Vij nga një takim i gjatë me vëllain tim të dashur, Papën Françesku”, tha në takim kreu i Universitetit mysliman të Kajros, institucioni më i lartë i Islamit sunit. “Folëm për çështje, që e mundojnë ndërgjegjen njerëzore dhe i shkaktojnë dhimbje dhe vuajtje botës. Duam të shohim si mund të punojmë së bashku për t’i lehtësuar vuajtjet e të varfërve, të të gjithë të vuajturve të botës. E duhet të them se jam optimist”.

Takimi i djeshëm i Imamit al Tayyeb me Papën Françesku ishte i treti gjatë papnisë, pas takimt të vjetshëm në Vatikan dhe të prillit të sivjetëm në Kajro. Pasdite, në Pallatin e Kancelerisë në Romë, së bashku me personalitete si kreu i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Ulemave të Al-Azharit, Mahmoud Hamdy Zakzouk, themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Riccardi e shumë të tjerë, Imami i Madh dha një njoftim shumë të rëndësishëm.

“Këto takime – pohoi al Tayyeb – nuk janë luks, por domosdoshmëri. Duhet të gjejmë zgjidhje për një kancer, që po përhap metastaza në anë të ndryshme të botës. Njoftoj këtu se Al Azhari vë në dispozicion burimet dhe kontributin e vet për një bashkëpunim të vazhdueshëm që të gjenden zgjidhje kundër terrorit e të bëhet çdo përpjekje për paqen botërore”.

Sipas Imamit të Madh Ahmed al Tayyeb, dialogu ndërmjet Lindjes e Perëndimit është i domosdoshëm për të shpëtuar njerëzimin e për të mos u zhytur në ndonjë epokë të errët. “Dhuna ndërmjet nesh e izolon qytetërimin tonë nga të mëparshmit: ky shekull – denoncoi – përfaqëson kthim mbrapa në krahasim me shekullin e kaluar. Për të mos folur për ata, që qëndrojnë pas terrorizmit, që e financojnë dhe i japin mundësi kësaj fuqie të tmerrshme të zhvendosë armë pavarësisht nga kufijtë”.

Sipas Imamit të Al-Azharit, edhe “myslimanët janë viktima të terrorizmit, paguajnë një çmim më të lartë se të tjerët. Edhe ekonomitë e tyre janë goditur rëndë. Ata vetë jetojnë vazhdimisht në limb, ndërmjet jetës e vdekjes”. Prandaj, theksoi al Tayyeb, dialogu duhet ta gjejë bazën e vet në fenë, e cila është “kamerdare shpëtimi” në krahasim me qëndrimet e lëkundshme laiciste. “Luftrat e bëra në emër të fesë – nënvizoi imami – kanë vetëm një gjë të përbashkët: politizimin e fesë, përdorimin saj për qëllime politike”. Në të vërtetë, vijoi, “të gjitha fetë e ndalojnë gjakderdhjen e njeriut: kështu shkruhet në Tekstet e shenjta, si Bibla dhe Kurani. As feja, as Tekstet e shenjta nuk i ftojnë njerëzit të vrasin”.

Imami i madh i Al Azharit e përfundoi fjalën e tij me ftesën “për t’i respektuar fetë e tjera dhe besimtarët e tyre, respekt, që nuk mund të jetë më i pakët se ai për fenë personale. Në këtë pikë, - tha ai – ekstremistët kanë bërë një hap të gabuar, me nxitjen e tyre për të vrarë të pafetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.