2017-11-07 14:36:00

Papa pret Imamin e Al Azharit, Ahmed al Tayyeb


Papa Françesku priti sot në Vatikan, Imamin e madh të Al Azharit, Ahmed al Tayyeb, kreu i universitetit mysliman të Kajros, qendër botërore e Islamit sunit. Në përfundim të takimit, në studion e Sallës Pali VI, Ati i Shenjtë e ftoi Imamin e madh për drekë në Shtëpinë e Shën Martës, njofton gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”.

Ati i Shenjtë dhe al Tayyeb janë takuar për herë të parë, më 23 maj 2016, po në Vatikan e, më pas, në Kajro, më 28 prill të këtij viti, kur Papa Françesku mori pjesë në Forumin për paqen, organizuar nga Universiteti i Al Azharit. Në Kajro, të dyja palët u impenjuan për të bashkëpunuar që fetë të japin kontributin e tyre për paqen në botë, kundër çdo lloj fundamentalizmi dhe ekstremizmi.

Sot pasdite, imami al Tayyeb merr pjesë në takimin e organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, me titull “Një shekull: nga fundi i perandorive tek globalizimi”. Është etapa e tretë e takimeve ndërkombëtare “Lindja dhe Perëndimi. Dialog qytetërimi”, përuruar në Firence, në vitin 2015, kur Imami i madh erdhi për herë të parë në Evropë. Etapa e dytë u mbajt në Paris, në maj 2016. Ahmed al Tayyeb pati shkuar në Memorialin e viktimave të terrorizmit në Teatrin Bataklan, për të dhënë një sinjal të qartë kundër dhunës në emër të fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.