2017-11-07 11:50:00

Papa Françesku priti Kofi Annan e organizatën “The Elders”


“Të moshuarit” tek Papa Françesku. Nuk është fjala për ndonjë shtëpi pleqsh, por për anëtarët e organizatës ndërkombëtare jo qeveritare “The Elders” (Të moshuarit), ndër të cilët ish-Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan dhe ish-presidentja e Republikës së Irlandës, Mary Robinson.  I themeluar nga Nelson Mandela, para 10 vjetësh, Grupi impenjohet në promovimin e paqes dhe të të drejtave të njeriut e në të bëjnë pjesë krerë botërorë e burra shteti. Që këndej emri “The Elders”, kuptimi i saktë i të cilit - duke lënë mënjanë humorin, që gjithsesi karakterizoi takimin me Papën, dje pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës – do të ishte “Të urtët”.

“Besoj se për ne ishte shumë e rëndësishme të vinim” – thotë në një intervistë për Radio Vatikanin, Kofi Annan – “sepse kemi shumë vlera të përbashkëta; deshëm të takoheshin me Atin e Shenjtë e të arsyetonim për mënyrën si mund të punojmë së bashku, si mund t’i përqendrojmë përpjekjet tona në disa pika të caktuara”.

Folëm për refugjatët dhe për emigracionin, për armët bërthamore – temë për të cilën Vatikani ka organizuar një Takim të nivelit të lartë, që do të fillojë të premten; folëm për paqen, për ndërmjetësimin në konflikte e edhe për respektimin e rolit të grave”.

Politikani ganez shoqërohej nga irlandezja Mary Robinson, e cila shprehu vlerësimin e saj rreth impenjimit të Papës Françesku për t’u dhënë zë atyre, që nuk e kanë, për të mënjanuarit e të braktisurit, por edhe për të përballuar aspektet më të vështira të konflikteve.

 “Kemi shumë fusha të përbashkëta – nënvizoi ajo gjatë intervistës në Radio Vatikan – folëm për disa probleme, ndër të cilat, edhe Venezuela, në kuadrin latinoamerikan, Kongo dhe ndryshimet e klimës, me të cilat merrem unë, në veçanti”. Kujtojmë se Mary Robinson, e cila është aktualisht e dërguara e OKB-së për ndryshimet e klimës, ka kryer edhe detyrën e Komisioneres së OKB-së për të drejtat e njeriut.

Ngrohtësia, dashuria, humori, shoqëruan takimin e Atit të Shenjtë me “Të urtët”, të cilët e quajtën “Super Elder” (Tejet i urtë). “Më bëri përshtypje – tregon zonja Robinson – sa i shpenguar ishte Papa me ne, sa shaka bëri, si të ishim një grup me të cilin ndjehej në ambientin e vet: pikërisht, sepse kemi vlera, synime morale dhe probleme të përbashkëta”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.