2017-11-07 13:15:00

Papa në Shën Martë: po të humbasë aftësia për të ndjerë se dikush na do, humbet gjithçka


Mos e humbisni aftësinë për të ndjerë se duheni: aftësia për të dashur rifitohet, por nëse e humbet aftësinë për t’u dashur, humbet gjithçka. Këtë kujtoi Papa gjatë Meshës, kremtuar sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës.

Françesku reflektoi mbi fragmentin e Ungjillit të Lukës (Lk 14,15-24), nga Liturgjia e sotme, në të cilin Jezusi rrëfen një shëmbëlltyrë, pa shpjegime, për t’iu përgjigjur njërit nga gostarët, i cili i thotë: “Lum kush do të ushqehet në Mbretërinë e Zotit”. Zoti i këshillon ata, që duan të ftojnë ndokënd në shtëpi, të grishin pikërisht njerëzit, që nuk mund t’ua shpërblejnë.

Një burrë shtroi një darkë të madhe - tregon shëmbëlltyra - e ftoi një mori njerëzish. Të ftuarit e parë nuk deshën të shkojnë, sepse nuk u interesonte  as darka, as gostarët e as ftesa e Zotit: ishin të zënë me interesat e veta, shumë më të mëdha sesa ftesa për darkë. Kush kishte blerë pesë pendë qe, kush një arë, kush martohej e kush ndahej. Shihet qartë - kujtoi Papa - se gjëja që u interesonte më shumë, ishte fitimi. Ç’do të fitonin, po të shtroheshin në atë darkë? Ishin të zënë, pra, si ai burri, që bëri hambarë të rinj për të grumbulluar pasuri pa fund e për t’i gëzuar, pa menduar fare se do të vdiste pikërisht atë natë.

Ishin të kapur pas interesave deri në atë pikë, sa të skllavëroheshin shpirtërisht, domethënë, të humbisnin aftësinë për të kuptuar se ftesa ishte falas, se nuk duhet të paguanin gjë. E as të shkonin të ngarkuar me peshqeshe. Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur pikërisht nga një sjellje e tillë:

“Po të mos kuptohet se ftesa e Zotit është falas, nuk kuptohet asgjë”. Nisma e Zotit është gjithnjë falas. Zoti nuk të kërkon gjë. Asgjë nuk duhet të paguash për t’u shtruar në gosti. Bileta e hyrjes është të jesh i sëmurë, i varfër, është të jesh mëkatar. Kështu të lënë të hysh, kjo është bileta e hyrjes: të jesh nevojtar, si në korp, ashtu edhe në shpirt. Nevojtar për kujdes, për shërim, nevojtar për dashuri…”.

Janë, pra, dy lloj sjelljesh: nga njëra anë, sjellja e Zotit, që nuk të bën të paguash asgjë e që i thotë, pastaj, shërbëtorit të ftojë të varfër, të çalë, të mirë e të këqij. Zoti të fton falas, e ftesa e Tij nuk njeh kufij. Zoti i mirëpret të gjithë, nënvizoi Papa.

E nga ana tjetër - kujtoi në vijim - është mënyra si sillen të ftuarit e parë, të cilët nuk mund ta kuptojnë ç’do të thotë të japësh falas! Si vëllai i madh i djalit plangprishës, që nuk do të shkojë në gostinë e organizuar nga i ati për të vëllain e rikthyer në plang. Sillet kështu, sepse nuk e kupton fjalën “falas”:

“Po ky i shpenzoi të gjitha paratë, e shkriu gjithë trashëgimin me vese, me mëkate, e ti çohesh e na bën festë? E unë jam katolik, e praktikoj fenë, shkoj e shoh Meshë për gjithë të diel, bëj gjithçka duhet bërë, e ti më lë me duar thatë?”.

Ky nuk e kupton ç’do të thotë shëlbim falas, mendon se shëlbimi është fryt i shkëmbimit: “Unë të paguaj, e ti më shëlbon”. Të paguaj me këtë e këtë e këtë… Jo, shëlbimi është falas. E në se ti nuk hyn në dinamikën e dhurimit falas, kot e ke. Nuk ke kuptuar gjë prej gjëje. Shëlbimi është dhuratë e Zotit, të cilit mund t’i përgjigjemi vetëm me një dhuratë tjetër: dhuratën e zemrës!

Papa i kujtoi përsëri ata, që mbrojnë vetëm interesat e tyre, ata që, kur u duhet të bëjnë dhurata, mendojnë menjëherë për shpërblimin. Mendimi i parë, që u vjen në kokë, është: “Do t‘i dhuroj këtë … e ai, pastaj, në një rast tjetër, do të më dhurojë atë”.

Po Zoti nuk të kërkon asgjë. Zoti nuk pret shpërblime. Kërkon vetëm dashuri, besnikëri, sepse Ai vetë është dashuri e besnikëri - vijoi Papa - duke vënë në dukje  se “shëlbimi nuk blihet, është thjesht hyrje në gostinë hyjnore". “Lum kush do të shijojë gostinë në mbretërinë e Zotit”: ky është shëlbimi!

E ata, që nuk janë të gatshëm të hyjnë në gosti, “ndjehen të sigurt” , “të shpëtuar” jashtë gostisë, sipas mendjes së tyre. E kanë humbur kuptimin e dhuratës falas - shpjegoi Françesku - kanë humbur kuptimin e dashurisë. Kanë humbur - shtoi - gjënë më të madhe, më të bukur, e edhe - e kjo është akoma më e shëmtuar -  kanë humbur aftësinë për t’u dashur.

E kur e humbet - nuk po them aftësinë për të dashur, sepse kjo rifitohet - por afësinë për të ndjerë se duhesh, nuk ka më shpresë, gjithçka është e  humbur. E kjo na sjell në mendje shkrimin mbi portën e Ferrit dantesk: “O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!”.  Duhet t’i kujtojmë fjalët e Zotit: “Sepse unë po ju them, dua që shtëpia ime të mbushet përplot”. "Fjalët e këtij Zoti, që është shumë i madh, që di të dojë pa cak, që dëshiron ta mbushë shtëpinë e tij plot me njerëz, të gjithë të ftuar falas. E t’i lutemi të na shpëtojë nga humbja e aftësisë për ta ndjerë se Ai na do”.








All the contents on this site are copyrighted ©.