2017-11-07 13:18:00

Në Vatikan, Simpoziumi ndërkombëtar për çarmatimin bërthamor


Të premten e të shtunën e kësaj jave, do të mbahet në Vatikan, në Sallën e Re të Sinodit, Simpoziumi ndërkombëtar me titull “Perspektiva për një botë të lirë nga armët bërthamore e për çarmatimin e plotë”. Takimi është organizuar nga Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

         Prefekti i tij, kardinali Peter Turkson, vëren, në një notë, se “ngjarja u përgjigjet përparësive të Papës Françesku për paqen dhe për përdorimin e pasurive të gjithësisë në favor të zhvillimit e të cilësisë së duhur të jetës për të gjithë, individë e popuj, pa dallime”. Edhe sekretari i Dikasterit, imzot Bruno Marie Duffé, në Konferencën e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbajtur në Vjenë nga 18 deri më 22 shtator të këtij viti, pati nënvizuar rëndësinë e “përgjegjësisë morale të shteteve” dhe nevojën e ngutshme për “një strategji të përbashkët dialogu”.

         Të premten fillon pra, Takimi i parë global për çarmatimin bërthamor, pas miratimit të Traktatit për zhdukjen e armëve bërthamore, nënshkruar nga 122 vende të botës, përfshirë Selinë e Shenjtë. Jo më larg se më 7 korrik të këtij viti, në Nju Jork, pas bisedimesh të gjata e marrëveshjesh të vështira e të lodhshme, u arrit konsensusi mbi Traktatin, i cili filloi të nënshkruhej nga 22 shtatori.

         Në Simpoziumin e Vatikanit do të marrin pjesë 11 Çmime Nobel për Paqen, krerët e OKB-së e të NATO-s, përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të ndryshme, ndër të cilët Rusia, SHBA-të, Koreja e Jugut, Irani, si edhe ekspertët më të njohur në fushën e armëve, së bashku me fondacione, organizata e përfaqësues të shoqërisë civile. Natyrisht, nuk do të mungojnë përfaqësuesit e Kishave të krishtera dhe të besimeve të tjera, së bashku me delegacione studentësh e profesorësh nga universitete amerikane, ruse e evropiane.

         Veçanërisht kuptimplote do të jetë dëshmia e japonezes së mbijetuar nga bomba atomike e Hiroshimës, Masako Wada. Papa Françesku do t’i presë pjesëmarrësit më 10 nëntor, në mesditë, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik.

         Konferenca është organizuar në bashkëpunim me: ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë; Qendrën Ndërdisiplinore të Shkencave për Paqen (CISP); Universitetin e Pizës, Konferencën Ipeshkvnore Japoneze; Konferencën Ipeshkvnore Gjermane; Georgetown University; Kroc Institute for Intenational Peace Studies of the Keough School of Global Affairs; Mazda Motor Europe GmbH; Notre Dame University, Office of the President; Nuclear Threat Iniziative; Pugwash Conferences on Science and World Affairs; Senzatomica; Soka Gakkai International; Bashkimi i Shkencëtarëve për Çarmatimin, ojf (Uspid).








All the contents on this site are copyrighted ©.