2017-11-07 01:00:00

Libri i Falasca-s kushtuar vdekjes së Papës Luciani. Parolin: studim historik rigoroz


“Rindërtim i ngjarjes, realizuar me një kërkim shkencor rigoroz, bazuar mbi dokumente të jashtëzakonshme, të panjohura deri më sot”. Ky, mendimi i kardinalit Pietro Parolin për librin kushtuar Papës Luciani, titulluar “Kronikë e një vdekjeje”, shkruar nga Stefania Falasca, gazetare  e “Avvenires” dhe zëvendës-postulatore e Postulacionit të Çështjes së Lumnimit të  Gjon Palit I. Në parathënien e vëllimit, botuar nga Piemme, nesër në libraritë italiane, Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizon se “vdekja e papritur” e Albino Lucianit, me kalimin e viteve, i hapi udhën mijëra teorive, dyshimeve e hamendjeve.

“Puna kërkimore shkencore e Falaskës - nënvizon Hirësia e Tij - ka meritën  të jetë ‘rithkthim legjitim i Gjon Palit I në kujtesë, me qëllim që vlera e tij historike të pasqyrohet plotësisht, me korrektesën dhe seriozitetin e duhur, duke hapur rrugë të reja për studimin e jetës dhe të veprës së Papës Luciani'’. Me këtë libër - vë në dukje përsëri kardinali Parolin -  ndriçohet me një dritë të re, përmes krahasimit dokumentar dhe ballafaqimit të prerë e të përpiktë të provave, sjellë nga dëshmitarët,  epilogu i jetës së Papës Luciani, duke sqaruar, kështu, edhe pikat e mbetura në zgrip, të stërmadhuara e të falsifikuara gjatë rindërtimit “noir” të kësaj ngjarje jo pak të bujshme, po të kemi parasysh se Gjon Pali I papnoi vetëm  33 ditë. Sqarojmë se “noir” në gjuhën frënge, quhet një lloj letrar rrëfimtar, që tregon ngjarje “të zeza”, domethënë, të frikshme, në të cilat ndjehet fort dora kriminale. Papnia e shkurtër e Gjon Palit I, vëren akoma sekretari i Shtetit të Vatikanit, nuk qe thjesht kalim i një meteori, që shuhet  pas një udhe të shkurtër. Papa Luciani - përfundon - e fuqizoi figurën e Kishës konciliare, shumë pranë dhembjes së njerëzve dhe etjes së tyre për dashuri të krishterë”.

Mbi domethënien e këtij libri, fryt i një pune që zgjati për shumë vjet, intervistuam autoren e vëllimit, Stefania Falasca:

Për mua ishte punë tipike procesuale. Duhej shikuar edhe në çastet e fundit të vdekjes së Papës, në atë, që ishte epilogu i jetës së tij. Prej këndej, kur është fjala për një proces, kjo punë bëhet me metodën historiko-kritike, me kërkimin shkencor, mbi bazën e rigjetjes dhe  sigurimit të burimeve. Kjo është pengesa: burimet, tekstet e dokumentet. Kjo i intereson historisë, e këtë duhet të kuptojmë.

Cilat janë pjesët më interesante të librit?

Përjetuam edhe orën e fundit, atë të bisedës së shkurtër të Gjon Palit I me murgeshën: atë, që u rikujtua të nesërmen. Është fjala për dokumente, që janë burime gojore për një proces. Fundi praktikisht u shqyrtua me dokumentimet mjekësore e klinike. Kemi atë, që do ta quaja - e kështu edhe paraqitet - përcaktim i qartë, rreth të cilit besoj se nuk mund të bëhen më hamendje të tjera. Si vdiq Luciani? Nga dokumentimi klinik - paraqitëm edhe një herë kartelën klinike dhe diagnozën, e bërë në çastin e vdekjes, nga mjeku Buzzonetti - që përkon edhe me ndonjë dokumentim tjetër, gjithnjë mjekësor, i pasqyruar edhe ai në libër - mund të thuhet se Luciani duhet të ketë vdekur nga një goditje në tru, që shkaktoi, pastaj, infarktin. Kjo është e vërteta lakuriqe, e prerë.

Kardinali Parolin shkruan, në parathënie, se libri është “rikthim legjitim i Gjon Palit I në kujtesë, që vlera e tij historike të dalë në dritë plotësisht, me korrektësinë e seriozitetin, që i takon”…

Po, mendoj se çështja pati pikërisht këtë meritë. Ishte punë e nevojshme dhe legjitime. Për virtytet dhe shenjtërinë e Gjon Palit I nuk besoj se ka dyshime, sepse Papa Luciani është figurë e kulluar në këtë këndvështrim. Për Lucianin, ishte i nevojshëm gërmimi arkivistik ndër burime, sepse kështu mund të flitet për të me terma vërtet shkencore. E kështu mendoj se Çështja e Lumnimit mund të shërbejë si bazë, në këtë kuptim, edhe për një kohë tjetër, e cila do të pasqyrojë përmasën dhe vlerën  e magjisterit të tij, në rrethanat, që po kalonte Kisha në këtë çast.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.