2017-11-06 16:19:00

Kisha dioqezane e Sapës përkujton Një vjetorin e Lumturimit të Martirëve të Kishës shqiptare


Këtë fund jave, Kisha dioqezane e Sapës përkujtoi Një vjetorin e Lumturimit të Martirëve të Kishës shqiptare. Ipeshkvi i Sapës emëroi dom Mark Shtjefnin, famullitar të ri të famullisë së Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Vau-Dejës. « Martirët tanë të Lum, nuk janë vetëm ata « Pishtarë të fesë », që e ndriçuan kapitullin e errët të komunizmit.  Ata nuk janë thjeshtë histori, por janë Realitet. Këta Dëshmitar të Krishtit të Ringjallur na shoqërojnë me praninë e lutjes së tyre. Le të mos i konsiderojmë, me krenari, vetëm si të kaluarën tonë të ndritur .Por le t’i përjetojmë ashtu si në të vërtetë janë;  si miq, si vëllzër, si bijtë tanë, që gjatë këtij shtegëtimi tokesor dëshirojnë të na ndihmojnë me shembullin jetës e me forcën e lutjes. Ndërmjetësia e tyre e vazhdueshme na mbushtë me hire!  Më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

DOM MARK SHTJEFNI MERR ZYRTARISHT DETYRËN E FAMULLITARIT TË RI TË KATEDRALES “SHËN TEREZA E KALKUTËS” NË VAU – DEJËS

Në të kremten e të dieles së XXXI gjatë vitit, përveç përkujtimit të një vjetorit të Lumturimit të Martirëve Shqiptarë të Kishës Katolike, bashkësia famullitare e Shën Nikollit e bashkuar në lutje jetoj një moment gëzimi të veçantë, pasi Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli dekretoj zyrtarisht famullitarin e ri të Katedrales në Vau –Dejës, në personin e dom Mark Shtjefnit, një ngjarje kjo mjaft e rëndësishme në jetën e bashkësisë. Dom Mark Shtjefni është ndër meshtarët me përvojë të gjatë baritore dhe akademike, i cili gëzon 13 vite jetë meshtarake.

Në praninë e ipeshkvit dhe besimtarëve të pranishëm dom Marku bëri betimin përmes të cilit mori angazhimin e tij të plotë për të kremtuar me devocion e besnikëri misteret e Krishtit, sipas traditës së Kishës; për të predikuar Ungjillin dhe mësimin e fesë Katolike; për të qenë një at shpirtëror i kësaj bashkësie duke formuar kështu një familje të vetme të bashkuar në fe, shpresë e dashuri.

Edhe në fjalën e rastit, imzot Simoni theksoi rëndësinë dhe rolin e famullitarit. Ai ftoi besimtarët që, famullitarin që ka detyrën dhe pushtetin prej vetë themeluesit të meshtarisë Jezu Krishtit, ta duan, ta pranojnë me mësimet e tija që i shpall në emër të Krishtit, duke u rritur kështu së bashku në fe për shëlbimin e gjithësecilit. Këtë grigjë që po të besohet ty Dom Mark, tha mes të tjerash, ipeshkvi po ta besoj në kujdes që ti ushqesh me Fjalën e Zotit t’iu ndash Sakramentet dhe bekimet që kanë nevojë; ti mësosh dhe edukosh në mësimin e Krishtit dhe të Kishës. Zoti të bekoftë.

nga Violeta Marashi

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.