2017-11-05 15:12:00

U hap dje Festivali i Muzikës dhe Artit Kishtar, me artistët e Japonisë


“Ta marrim seriozisht Ungjillin, t’i qëndrojmë besnikë, si kërkoi Maria  gjatë dukjeve në Fatima, njëqind vjet më parë”. Kjo ftesë e kardinalit Angelo Comastri jehoi mbrëmë në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë Meshës së përurimit të Festivalit XVI ndërkombëtar të Muzikës dhe Artit Kishtar, i cili sivjet ka si fill përcjellës, pikërisht përvjetorin marian.

Në kremtimin eukaristik mori pjesë, në një lutje të përbashkët për paqen e dialogun, i nderuari Raitei Arima, drejtor i përgjithshëm i Organizatës budiste të Kiotos. Programin e hapi  Illuminart Philarmonic Orchestra e Chorus i Japonisë, nën drejtimin e Mjeshtrit Tomomi Nishimoto, që luajti Meshën e Kurorëzimit KV 317 të Mozart.

Në mikrofonin tonë, dirigjenti Nishimoto shprehu kënaqësinë e thellë për këtë prani në Romë, e cila përsëritet prej pesë vjetësh e, posaçërisht, për rastin falum, që i krijoi mundësinë të ekzekutojë në Bazilikën e Vatikanit, fare pranë Papës, lutjen e lashtë kristiano-japoneze Orasho, intonuar në përfundim të Meshës. Lutja, me origjinë nga këngët gregoriane, lidhet ngushtë me ungjillëzimin e Japonisë:

“Besoj fuqimisht se muzika mund të na afrojë te Zoti e unë vetë ndjehem shumë pranë Tij, kur merrem me muzikë. Zoti nuk mund të shikohet, por në muzikë ndjehet mrekullisht i pranishëm”.

Një synim tjetër, që u realizua në fillim të Festivalit, është edhe dialogu ndërmjet kulturave e feve: sivjet prania e të nderurit Raitei Arima qe një rast i madh. “Dëshiroj - vijoi Mjeshtri - që prej këndej të lindë mesazhi i paqes dhe i dialogut, jo i ndeshjes ndërmjet feve”.

Kujtojmë se Festivali vijon, për t’u mbyllur më 10 nëntor. Në gjashtë takime, ndër  bazilika e kisha të ndryshme romake, kryevepra arkitekture e artesh të tjera, po luhen disa nga kryeveprat e muzikës kishtare botërore. Kujtojmë vetëm kishën e Shën Injacit të Lojolës, Bazilikën e  Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Kishën e Shën Marisë së Popullit... Të gjithë muzikdashësit po takohen me orkestra, interpretues e sidomos, kompozitorë të mëdhenj, si Bruckner, Mozart, Haydn e shumë të tjerë. Por edhe me dirigjentë si Leo Kraemer, me dy komplekse vokale, orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Kazanit nga Rusia dhe artistët e mirënjohur të Wienner Philharmoniker.

Shfaqjet mund t’i ndjekë çdo dashuronjës i muzikës dhe i arteve, sepse hyrja është gjithnjë falas, me moton: “Muzika është pronë e gjithkujt. Aq më shumë, Muzika Kishtare, që e larton shpirtin e  njeriut pranë Zotit!”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.