Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Shqipëria kremton kujtimin e të Lumit imzot Vinçenc Prennushi

Martirët e Lum Shqiptarë - RV

05/11/2017 16:14

Durrësi e mbarë dioqezat e Shqipërisë kremtuan sot kujtimin liturgjik të të Lumit Vinçenc Prennushi, ipeshkëv e martir, vdekur në burg më 1949, si dhe të 37 Shokëve të martirizuar, si Ipeshkvi i madh, në kryevjetorin e lumnimit të tyre, kremtuar më 5 nëntor 2016.

Meshën solemne përkujtimore e kremtoi imzot Giovanni Peragine, ipeshkëv i ri e Administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut. Jehuan edhe një herë, e do të jehojnë pambarimisht në Kishë, emrat e 38 Martirëve, ndërmjet të cilëve: 2 ipeshkvij, 21 meshtarë dioqezanë, 7 françeskanë, 3 jezuitë, një seminarist e katër laikë (duke përfshirë edhe një dëshirtare rregulltare, figurën e ndritur të së Lumes Marie Tuci), të  gjithë viktima të persekutimit komunist të pas Luftës II Botërore. 

“Në dritën e faqes së Ungjillit të kësaj së diele – kujtoi imzot Peragine - në të cilën përkujtojmë martirin Vinçenc Prennushi me 37 shokë, mund të vërejmë se ”mësuesit” janë të aftë të bëhen vëllezër me vëllezërit, ‘etër’ që vihen në shërbim të më të varfërve, prijës, pas Prijësit të madh, Krishtit, Sepse Martirët mishëruan në jetën e tyre pikërisht stilin e jetës së Jezusit, duke u përpjekur t’i përngjajnë deri në Kryq!”.

Me rastin e lumnimit, një vit më parë, në Katedralen e Shkodrës, kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorërve, pati nënvizuar: “Ndonëse në ferrin e një persekutimi të tmerrshëm e të padrejtë, martirët shqiptarë iu përgjigjen armiqve, ashtu si do t’u ishte përgjigjur vetë Krishti: me falje, me ndershmëri, me qëndresë, me vëllazëri, me mëshirë. Ata janë dëshmitarë të njerëzimit të ri, që nuk e mbjellin historinë me luftëra, përçarje e vrasje njerëzish të pafajshëm, por me paqe, gëzim, vëllazërim, duke lartuar talentet e vërteta të njeriut të krijuar – siç këndon Poeti i madh Dante: “Jo për të jetuar si stihi, por për të ndjekur virtyt e dijeni”.

Ngjarje e madhe, ajo e një viti më parë, e shumëpritur, ditë historike, të cilën nuk deshi ta humbasë asnjë besimtar. Një vit më pas, e kujtojmë përsëri atë ditë të lumnueshme kur, për t’u dhënë të gjithëve mundësinë e përjetimit të saj, në sheshin përballë Katedrales, Sheshi Gjon Pali II, qenë instaluar ekrane të mëdhenj, që transmetuan gjithë kremtimin.
E në këtë kremtim solemn,  përveç kardinalit udhëheqës, i dërguar i Papës Françesku, Angelo Amato, ishin të pranishëm; Kardinali ynë, Ernest Troshani; kryetari i Konferences Ipeshkvore të Italisë, Kardinali Angelo Bagnasco; ipeshkvi i Kelnit, Kardinali Ranier Maria Woelki; Kardinali Salvatore de Giorgi, nga Roma; Ipeshkvi i Napolit, Kardinali Crescenzio Sepe. Të pranishëm në bashkëkremtim, 20 ipeshkvij nga vende të ndryshme të botës si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, diaspora dhe vende të tjera të botës. Kjo ngjarje e paharrueshme u rikujtua sot, në kryevjetorin e saj.

05/11/2017 16:14