2017-11-05 14:04:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: autoriteti të jetë në shërbim, nëse ushtrohet keq, krijon mosbesim!


“Autoriteti, në se ushtrohet keq, krijon atmosferë mosbesimi e armiqësie, ndërsa dishepujt e Jezusit janë të thirrur të mos i poshtërojnë në asnjë mënyrë të tjerët e ta kryejnë si duhet shërbimin”. Këtë theksoi Papa sot në mesditë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja  e studios së tij në Pallatin Apostolik, që shikon Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku ftoi kryesisht për të mos u sjellë me mendjemadhësi, por me modesti, gjë themelore kjo, nëse duam ta ndjekim vërtet Jezusin.

Fjalët e Papës ishin reflektim mbi Ungjillin e sotëm (Mt 23,1-12) në të cilin Jezusi i kritikon ashpërsisht skribët e farizejtë, duke i nxitur  besimtarët të vënë në jetë çka thonë ata, por jo çka bëjnë. E meta e përhershme e atyre, që kanë ndonjë farë autoriteti, si civil, ashtu edhe kishtar, është të kërkojnë nga të tjerët gjëra, edhe të drejta, por që ata vetë nuk i vënë në jetë. Bëjnë jetë të dyfishtë - kujtoi Papa:

“E një sjellje e tillë është ushtrim i keq i autoritetit, që duhet ta ketë forcën e vet të parë në përpjekjen për të dhënë shembull të mirë. Autoriteti fitohet pikërisht me shembullin e mirë, me mbështetjen që u jepet të tjerëve për të praktikuar çka është e drejtë e detyrë, duke i ndihmuar t’i kapëcejnë pengesat që ndeshin në jetë e jo duke bërë të kundërtën”.

Françesku, prandaj, i nxit autoritetet ta jetojnë detyrën e tyre si ndihmë, ngaqë, po u ushtrua keq, bëhet e padëshiruar, ndrydhëse,  nuk i lë njerëzit të rriten, krijon klimë mosbesimi e armiqësie e çon edhe drejt korrupsionit.

Në Ungjillin e sotëm, Jezusi ndalohet mbi disa sjellje negative të skribëve  e farizejve, si ajo e dëshirës për t’u dukur, për t’u ulur në krye të vendit  në sinagoga e për t’u rrethuar me nderime servile, kur përshkohen nëpër sheshe. “Tundimi i mendjemadhësisë, që nuk mposhtet lehtë, të shtyn të jetosh vetëm për t’u dukur”.

Ndërsa Jezusi i porosit dishepujt e vet të mos kërkojnë t’i thërrasin  mësues, a prijës, sepse një i vetëm është Mësuesi, që vijon të na kujtojë: “Kush është më i madhi, do të jetë shërbëtori juaj”.

“Ne, dishepujt e Jezusit nuk duhet të kërkojmë tituj nderi, autoriteti, epërsie. Unë po ju them se më dhemb shpirti kur shikoj njerëz, që jetojnë psikologjikisht duke rendur pas kotësisë së dekoratave e të titujve të nderit.  Ne, dishepujt e Jezusit, nuk duhet ta bëjmë këtë, sepse nga ne pritet një sjellje e thjeshtë e vëllazërore”.

Jemi të gjithë vëllezër, prandaj nuk duhet në asnjë mënyrë t’i poshtërojmë të tjerët e t’i shikojmë kështu tërthor, jo” - vijoi Papa, duke vërejtur se  cilësitë që morëm nga Ati qiellor, duhet t’i vëmë në shërbim të vëllezërve e jo të përfitojmë prej tyre, për të kënaqur vetveten a për interesa personale. Në vijim Papa ftoi të mos mendojmë se jemi mbi të tjerët, sepse modestia është themelore në jetën e njeriut që dëshiron të ndjekë mësimin e Jezusit, i cili erdhi për të shërbyer, jo për t’u shërbyer. Virgjëra Mari, zemërbutë e e përvujtë, si i Biri - uroi Papa - na ndihmoftë të ruhemi nga mendjemadhësia e nga kotësia”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Indore të Indisë, u shpall e Lume Regina Maria Vattalil, rregulltare e Kongregatës së Motrave Klarise Françeskane, që u vra për fenë e saj të krishterë në vitin 1995.  Motra Vattalil - kujtoi Papa - dha dëshmi të ndritur për Krishtin, me dashuri e butësi, e tani i shtohet aradhes së martirëve të kohëve tona. Ishte tejet e mirë. E thërrisnin “Motra e buzëqeshjes” - nënvizoi Papa - për të  uruar, më pas, që “flijimi i saj të jetë farë feje e paqeje, posaçërisht për trojet indiane”.

Ndërmjet shtegtarëve, romakë e jo, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa përshëndeti edhe pjesmarrësit në Festivalin e Muzikës Kishtare, që u hap dje, në Bazilikën e Shën Pjetrit, si dhe korin rinor “Minipolifonik” të Trentos, duke e ftuar, më pas, të këndonte për disa çaste.

E Sheshi u mbush me tinguj muzike e zëra gazmore, gjë që ndodh shumë shpesh ndërmjet harkut të shtyllave berniniane, ku dëgjohen këngë nga mbarë bota, që e shndërrojnë këtë hapësirë mahnitëse në një arenë të vërtetë muzike e arti.








All the contents on this site are copyrighted ©.