2017-11-05 00:00:00

Kard. Amato: Lumnimi i motrës indiane, Maria Vattalil, shembull për drejtësi


Dje, një e Lume e re iu shtua aradhes së pafundme të shenjtorëve dhe të lumëve të Kishës katolike. Është motra Maria Vattalil, për të cilën flet, në mikrofonin tonë, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve:

Pyetje: - Hirësi, dje, 4 nëntor, në Indore të Indisë, u shpall e Lume motra Rani Maria Vattalil, e motrave Klarise Françeskane. Ç’mund të na thoni për martirizmin e saj?

Përgjigje: - Motra Rani kishte uri e etje për drejtësi. Prandaj e vranë, më 25 shkurt 1995, ndërsa shtegtonte me autobus drejt Bhopal-it. Vrasësi e goditi 34 herë me thikë. E masakroi frikshëm. Ndërsa thika i përshkonte gjithë trupin, Motra  përsëriste papushim emrin e Krishtit.

Pyetje: - Cili ishte shkaku i kësaj vrasjeje kaq kriminale?

Përgjigje: - Shkaku ishte një i vetëm: murgesha predikonte Ungjillin e dashurisë  dhe mbronte të varfrit nga padrejtësia e atyre që, me mashtrime të pacipa, u grabisnin tokat. Motra Rani përpiqej t’i shpëtonte pronarët e vegjël nga vetëvrasja, apo nga fati i zi i daljes në rrugë të madhe, me nisma bashkëpunimi ose mikrokrediti.

Pyetje: - Me ç’sy shikohej veprimtaria e saj shoqërore?

Përgjigje: - Veprimtaria e saj shikohej plot mirënjohje nga populli, por jo kështu nga prepotentët, që e urrenin.

Pyetje: - Po me vrasësin, ç’ndodhi?

Përgjigje: - Ajo që ndodhi ishte gati-gati shenjtë e dukshme e vlerës apostolike të martirizimit të rregulltares. Vrasësi i saj u pendua publikisht.

Pyetje: - Ç’ kuptim ka martirizimi i motrës Rani?

Përgjigje: - Martirizimi i motrës Rani është bekim jo vetëm për misionin e Udainagar, por për mbarë Kishën katolike në Indi. Flijimi i saj  u bë fanar ndriçues  për misionarët e panumërt, që gjejnë në të frymëzim e mbrojtje për veprën e tyre në shërbim të së mirës. Në të gjitha kohët, martirët e kanë begatuar tokën  ku vepruan, për t’ia dorëzuar, kështu, breznive të  ardhshme të krishera. Motrat Françeskane Klarise janë krenare që kanë tashti, përveç mbrojtjes qiellore të Shën Alfonsës Muttathupaddathu, edhe atë të së Lumes Rani Maria Vattalil. 








All the contents on this site are copyrighted ©.