Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi : ‘Mehr Licht!”- Më shumë dritë!

I lumi Vinçenc Prennushi - RV

05/11/2017 16:58

I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi (Shkodër, 04. 09. 1885- Durrës, 19. 03. 1949): françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël, u burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Françesku, bir të cilit ishte!

Jemi në qelitë e sigurimit të kuq shqiptar, në një ditë të akullt marsi të vitit 1949. Në njërën nga nevojtoret e degës së punëve të brendshme të qytetit bregdetar, Durrësit, varet për krahësh një burrë rreth të gjashtëdhjetave, i veshur me rrecka. Kush e shikon ashtu varur, nuk mund ta besojë se ka para vetes një prej prelatëve të naltë të Kishës Katolike Shqiptare; një prej shkrimtarëve të rrallë të Rilindjes, ende gjallë; një burrë, që ia kushtoi gjithë jetën popullit të vet; një françeskan, që rri aty, vetëm pse ndjek besnikërisht Krishtin e jo diktatorin, i cili do të dëshironte ta dëbonte Zotin nga froni e të ulej vetë në vend të Tij. Ai, që shqiptarët e shikonin me nderim të madh, që e ruanin me mirënjohje si relike në peshtaf, që ishte simbol i së kaluarës, për të cilën krenohemi, ishte kapur përdhunë në një shtëpi të varfër katundi, ku kalonte, në vetmi të plotë, ditët e mbrame të jetës. Ishte mbyllur në qeli. Ishte torturuar. E tashti rrinte i varur kësisoji në nevojtoren e burgut të Durrësit, në maje të kodrës, prej kah mund të soditej një nga pejzazhet më të bukura detare. Kishte kohë që rrinte i varur, i ngrirë, kur dera u hap e një prej rojeve lëshoi një ulurimë me ta përqethë shtatin: “Ej, prift!”. Asnjë përgjigje. “Ej, ti, me ty po flas, priftooo. Do ta hapësh gojën, apo dëshiron të ta mbyllim përgjithmonë?”. Heshtje. Njeriu i varur, me sy të mbyllur, nuk jep asnjë shenjë jete. Roja del me vrap, pyet dikënd përjashta e kthehet rishtas. Hyp mbi një stol dhe e zbret njeriun gjysëm të ngrirë. E mbart mbi supe dhe flakon rishtas në qeli, ku duken disa hije njerëzish. Janë shokët mjerimit të ipeshkvit, të vënë në pranga si kundërshtarë të regjimit të kuq. Kur dera e qelisë mbyllet me zhurmë, hijet i afrohen me vrap imzot Vinçenc Prennushit, e marrin butë ndër krahë dhe e shtrijnë mbi kashtë. Dëgjohet një gjëmë e thellë. Ai ka dhimbje. Shumë. Kohët e fundit e detyruan të mbartë trupa të rëndë druri, derisa u rrokullis me gjithë ta, ndërsa rojet e shikonin këtë skenë e zgërdhiheshin. Ka dhimbje, të tmerrshme. Në korp e në shpirt. Por gjen ende aq forcë, sa të hapë sytë e, me zërin e tij, gjithnjë të butë e të ëmbël, ndonëse tejet të ligshtuar, t’u kërkojë shokëve të mjerimit: “Ju lutem, më shtrini përdhe. Kambëzdathë. Due me dekë si Sh’ Françesku”. E marrin përsëri me nderim atë trup të martirizuar dhe e shtrijnë mbi truallin e akullt të qelisë. Në sa këmbët nisin t’i ftohen, pëshpërit me një fije zëri: “Tash po i kujtoj fjalët e Gëtes: ‘Mehr Licht’- ‘Due dritë’- ‘Ma shumë dritë!’. Drita, të cilën e kërkonte në fill të mortjes Imzoti i sapo zbritur nga kryqi, nuk ishte, sigurisht, drita që shohin sytë tanë. Kërkonte dritën e ëmbël të qiellit, simbolin e jetës, për vete e për grigjën e vet. Ishte  një ditë e ftohtë marsi e vitit 1949. Vetëm  55 vjet më parë...

1 Bir i Gjonit dhe i Rozës, lindi në Shkodër me 4 shtatuer 1885. Zhgunin françeskan e veshi me 4 tetuer 1900. Më 19 tetuer 1901 bâni kushtet e përkohshme; me 12 dhetuer 1904, kushtet e përhershme. U shugurue meshtar me 25 mars 1908; ipeshkëv i Sapës, me 1936; kryeipeshkëv i Durrësit, me 1940. Vdiq martir në Durrës, në vjetën 1948.

Vepra e parë, që shkroi Imzot Vinçenc Prennushi, OFM, kur ishte vetëm nandëmbëdhetë vjeç, titullohet “Rrenimet e Jeruzalemit”. Dorëshkrimi, disa pjesë të të cilit u muzikuen prej atë Martin Gjokës, humbi në një kohë trazinash në Shkoder. Shkrime të shumta hagjiografike të Imzot Vinçencit gjinden të shkapërndame në fletore e të përkohshme, sidomos në ‘Elçia e Zemers së  Krishtit” e “Zani i Shna Ndout”, revistë të cilën e drejtoi për 11 vjet me radhë, tue nisë prej vitit 1918.

Të kësaj natyre janë edhe disa përkthime, si ai i romanit “Fabiola”, vepër e kardinalit Wiseman (1924), në të cilën përshkruhet martirizimi i bashkësive të para të krishtena në Romë, si dhe kryevepra e Henrik Sienkiewiecz-it “Quo vadis?”, me 400 faqe, Çmim Nobel për letërsinë me 1905. Këtë vepër, me përmbajtje të thellë fetare, e botoi një herë si nënfletë në “Hyllin e Dritës”, e mandej, edhe si vëllim më veti, me dy pjesë. E Prennushit asht edhe vepra “Fjala e Zotit, zhvilluem ndër të dielle të motmotit”; predikime fetare (1918), vepër që radhitet në një tjetër zhanër të letërsisë kishtare, atë të sermoneve apo të predkeve.

Vijojnë veprat:“Vorri i Fratit”, 1717-1918. Dý fjalë mbí jetë t’ A. Anton Soranit, dëshmuer feje françeskan (1918); “Fé e heroizëm”, novela (1922); “Lumnít e Kalvarit e dhunít e paganizmit” (1925); “Java e Madhe”, vepra kushtue themeluesit të Urdhnit Françeskan, “Sh’ Françesku i Asizit” (1926) si dhe “Jeta e Shna Ndout prej Padue” (1931). Kryevepra origjinale e imzot Prennushit asht përmbledhja poetike “Gjeth e lule”(dy botime), 55 vjersha , tue përjashtue ato fetaret, të shpërndame nëpër faqet e “Zânit të Shna Ndout”, që do të përbâjshin një vëllim të madh.

(Shënime marrë nga vepra e Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012)

05/11/2017 16:58