2017-11-04 16:21:00

Papa për emigracionet: reagime ksenofobe edhe në vendet e krishtera


Realitetit global e kompleks të emigracioneve bashkëkohore, mund t’u jepet përgjigje duke ndjekur shembullin e universiteteve katolike, domethënë, “duke u përpjekur për kapërcimin e paragjykimeve dhe të frikës, pasojë e njohjes së pamjaftueshme të fenomenit të emigracionit”. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë pritjes, sot paradite, në Vatikan, të pjesëmarrësve në Konferencën ndërkombëtare, titulluar: “Refugjatët dhe Emigrantët në botën e globalizuar: përgjegjësitë dhe përgjigjet e universiteteve”. Ati i Shenjtë kujtoi posaçërisht kontributin e këtyre institucioneve në tri fusha të veçanta: në fushën e kërkimit shkencor, të arsimit dhe të promovimit shoqëror.

Të nevojshme, studime të reja për njohjen e shkaqeve të emigracioneve

Duke u folur pjesëmarrësve të konferencës, organizuar nga Federata ndërkombëtare  e universiteteve katolike, Papa theksoi urgjencën për një fushë të re në kërkimet shkencore:

“Më duket e arsyeshme të kryhen studime të reja për të zbuluar shkaqet  e emigracioneve të vjetra të detyruara, që të mund të përcaktohen rrugëzgjdhjet praktike edhe afatgjata, sepse më parë u duhet siguruar njerëzve e drejta që të mos detyrohen të emigrojnë. Njëlloj i rëndësishëm edhe reflektimi për reagimet negative parimore, nganjëherë edhe diskriminuese e ksenofobe, që po shkakton pranimi i emigrantëve në vendet e traditës së lashtë të krishterë, për të propozuar itinerare, që ndikojnë në formimin e ndërgjegjes".

Të promovohen programe në favor të shkollimit të refugjatëve

“Uroj që universitetet katolike - vijoi Papa - të hartojnë programe që synojnë të favorizojnë shkollimin e refugjatëve në nivele të ndryshme, si përmes ofertës së kurseve, edhe në distancë, për ata, që jetojnë në kampe e në qendra të ndryshme, ashtu edhe përmes  sigurimit të bursave të studimit, që u krijojnë emigrantëve kushtet e rikthimit në viset e tyre". Duke përfituar nga rrjeti i gjerë akademik ndërkombëtar, universitetet mund të ndihmojnë edhe në njohjen e titujve e të aftësive profesionale të emigrantëve e refugjatëve, në dobi të tyre e  të shoqërive, që i strehojnë.

Për universitetet ka rëndësi dhe roli i ndërgjegjes kritike

Për t’iu përgjigjur me sukses sfidave të reja të emigracionit - shtoi Papa - duhen formuar në mënyrë të veçantë e profesionale veprimtarët baritorë, që i kushtohen asistencës së emigrantëve e refugjatëve. Kjo - nënvizoi - është detyrë tjetër me rëndësi për universitetet katolike. Në fushën e promovimit shoqëror - vërejti akoma - universiteti shikohet si institucion,  që luan kryesisht rolin e ndërgjegjes kritike, në krahasim me format e ndryshme të pushtetit politik, ekonomik e kulturor:

“Universitetet  mund ta luajnë rolin e  tyre si aktorë të privilegjuar edhe në fushën shoqërore, si për shembull, në nxitjen e vullnetariatit të studentëve në programet e asistencës për refugjatët, kërkuesit e strehimit dhe emigrantët e posaardhur”.

Puna në këto tri fusha të mëdha - kërkim shkencor, shkollim e promovim shoqëror - gjen një pikë të sigurt mbështetjeje - përfundoi Françesku - në katër gurët kilometrikë të udhës së Kishës, përmes realitetit të emigrimeve bashkëkohore:  të mirëpresësh, të mbrosh, të promovosh e të integrosh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.