2017-11-03 16:20:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu.........

Ndërsa Jezusi gjendet në tempullin e Jerusalemit përballet me disa mosmarrëveshje, duke iu përgjigjur disa pyetjeve që i drejtoheshin, “për ta vënë në provë” (Mt 22,34; krh. 22,15), nga përfaqësuesit e grupeve fetare të pranishme në Izrael. Përgjigjet e tij të urta ua mbyllin gojën kundërshtarëve, aq sa ungjilltari vëren se: “që prej kësaj dite, askush s’guxoi ta pyesë më” (Mt 22,46).

Në këtë moment Jezusi, e përmbysë situatën që e sheh të akuzuar prej autoriteteve fetare, i drejtohet turmës dhe dishepujve të tij me një fjalim, nga i cili në liturgjinë e kësaj së diele lexojmë vetëm pjesën e parë, që përshkon tërë kreun 23 e 24,1 të Ungjillit të Mateut. Është një fjalim i ashpër dhe i prerë, që përmban edhe shtatë thëniet e famshme: “Mjerë ju, skribë e farisenjë hipokritë!”.

“Thonë e  nuk bëjnë”: fjalë këto të Jezusit që rëndojnë. Fjalë që qortojnë e na ftojnë ta shikojmë vetveten brenda, seriozisht, për të mos u gjykuar nga Zoti. Fjala e Hyjit shërben për të ndrequr dhe për të qortuar. Jezusi, në Ungjillin e kësaj së diele, si edhe profeti Malakia, në Leximin I, qorton dhe ndëshkon të gjithë ata që sillen keq me të tjerët: farisenjtë, skribët, doktorët e Ligjit..

Dënon hipokrizinë e mësuesve të kohës së Vet. Këta kishin shumë fjalë, por ama “nuk veprojnë siç thonë”. Nuk kishte të vërtetë në jetën e tyre. Jezusi nuk dënon autoritetin dhe fjalët e mësimit të tyre, por dënon mungesën e sinqeritetit dhe dyfytyrësinë e veprave të tyre. Nuk mjaftojnë fjalët. Duhet sinqeritet dhe bindje në mënyrën e të vepruarit. Ashtu si Jezusi, i cili mësonte e jetonte sipas mësimit të Vet. Pra, Jezus i dënon ata që venë peshë mbi të tjerët dhe për vehte nuk duan asnjë peshë, asnjë obligim.  Skribët e farisenjtë “lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit”. Jezusi kishte një peshë dhe një zgjedhë për ne, sepse solli ligjin e dashurisë, porJezusi vetë tha: “Zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë”. Ishte një ligj, i tëri i themeluar mbi dashurinë për Zotin e për të njeriun. Pastaj, Jezusi vetë ka pranuar peshën e kryqit për të na dhënë shembull. Pra, Jezusi dënon ata që humben në mendjemadhësinë e tyre dhe bëjnë gjithçka për të rënë në sy për mirë para njerëzve. Këta marrin lavdërimet e njerëzve, por nuk do të marrin lavdërimet nga Zoti, sepse janë hipokritë.

Edhe sot, Fjala e Zotit duhet shpallur nga çdo i krishterë, jo vetëm me fjalë por mbi të gjitha me vepra të mira, me vepra dashurie. Dhe gjithçka duhet të jetë për lavdinë e Zotit e për të mirën e njerëzve.

                   Liturgjia e Fjalës

Nga Libri i Malakisë, profet (Mal 1,14-2,1-2.8-10)
Unë jam Mbret i madh - thotë Zoti i Ushtrive - dhe Emri im është i tmerrshëm ndër kombe! E tani ky urdhër është për ju, o priftërinj! 2 Nëse nuk do të dëgjoni, nëse nuk do të kujdeseni t’i jepni lavdi Emrit tim - thotë Zoti i Ushtrive - do ta çoj mallkimin mbi ju e do t’i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t’i mallkoj, sepse nuk patët farë kujdesi! Ju rrugën e latë, me mësimin tuaj shkandulluat shumë, e zhbëtë besëlidhjen e Levit - thotë Zoti i Ushtrive. Këndej dhe unë ju bëra të përbuzshëm e të përulur, nga të gjithë popujt, pse s’i mbajtët rregulloret e mia e u bëtë të njëanshëm në mësimin e Ligjit.” “Pse a s’e kemi të gjithë vetëm një Atë? Pse a nuk na krijoi të gjithëve një Hyj i vetëm? Pse atëherë secili prej nesh sillemi me dredhi ndaj vëllait tonë duke e prishur besëlidhjen e etërve tanë? Fjala e Zotit!

Nga Letra e parë e shën Palit apostoll drejtuar Selaniksave. (2,7-9.13)
Vëllezër, Përkundrazi qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër. Dhe vërtet, vëllezër, patjetër do t’ju bien ndër mend mundimi dhe vuajtjet tona: kemi punuar natë e ditë që të mos i bëheshim ndokujt barrë dhe ju predikuam Ungjillin e Hyjit. Prandaj edhe ne, prej anës sonë, pa pushim i falemi nderit Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por pikërisht ashtu si në të vërtetë është - porsi fjalën e Hyjit - që vazhdimisht vepron në ju që besoni.Fjala e Zotit!

Nga Ungjilli i Shenjtë sipas Mateut (Mt 23,1-12)
Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë - atë që është në qiell! Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës - sepse keni vetëm një Udhëheqës - Krishtin! Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet. Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.