“Shëndeti i popujve, shëndeti i planetit: përgjegjësia jonë për ndryshimet
e klimës, ndotjen e atmosferës dhe shëndetin”. Rreth kësaj teme po diskutojnë
që dje e deri nesër, 4 nëntor, rreth 40 ekspertë, akademikë, punonjës shkencorë, juristë,
politikanë, ardhur nga Evropa, Amerika, Azia, të ftuar nga Akademia Papnore e Shkencave
në Vatikan.
Që prej 20 vjetësh, ky institucion i Selisë së Shenjtë, në të cilin bëjnë
pjesë studiues nga çdo fushë e dijes, besimtarë të feve të ndryshme dhe jo besimtarë,
e ka ngritur zërin për rrezikun, që i vjen botës nga ngrohja e planetit, duke nënvizuar
me forcë se nuk mjaftojnë masat e parashikuar nga konferenca për klimën COP21. Studiuesit
u mblodhën në Vatikan, pikërisht para Konferencës së ardhshme të OKB-së për klimën,
të ashtuquajturës COP23, që do të fillojë të hënën në Bon të Gjermanisë.
Problemet e shkaktuara nga ndryshimet e klimës janë fakte të dokumentuara, nënvizon
në mikrofonin tonë, kancelari i Akademisë, imzot Marcelo Sanchez Sorondo,
i cili hapi dje punimet e asamblesë:
Pikërisht
për këtë arsye kemi mbledhur “ajkën” e ekspertëve të kësaj teme, por kemi ftuar edhe
liderë politikë. Këtu ndodhen dy guvernatorë, ai i San Luis në Argjentinë dhe, ai
i Kalifornisë në SHBA, dy rajone të ndryshme - njëri në veri e tjetri në jug – por
shumë të vëmendshëm ndaj risive ambientale. Është fjala për të ndikuar mbi krerët
politikë, por dikush e kupton e dikush jo: kinezët e kuptojnë, presidentë të tjerë
jo… Është çështje kompromisi e fitimi, por edhe edukimi. Për shembull, nëse shohim
popullsitë, që kanë edukim më të madh në nvielin shkencor, si Gjermania, aty, qëllon
që edhe një shofer taksie të flet i shqetësuar për problemin e klimës. Në popullsi
të tjera, që nuk kanë informacion të azhurnuar shkencor, rreziku që vjen nga ndryshimi
i klimës mbetet vetëm opinion.
Ndryshimi i klimës e ndotja e ambientit ndikon fuqimisht mbi shëndetin
e popullsive. Pyetëm drejtoreshën e Departamentit të Shëndetit Publik dhe
Ambientit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mjeken spanjolle, Maria
Neria:
Qeveritë
nuk mund të thonë se nuk e dinë. Ka vite tashmë, që kemi bërë një studim, i cili dëshmon
se 13 milion njerëz në vit vdesin për shkak të ndotjes së ambientit: të ndotjes të
ujit, të ndotjes së ajrit… E kemi thënë edhe se ekzistojnë zgjidhjet: nëse marrim
vendimet e duhura për llojin e energjisë, llojin e transportit publik, për mënyrën
e zhvillimit të qyteteve, këto vdekje mund të pakësohen. Si po reagojnë qeveritë?
Shpejtësia e reagimit nuk është ajo, që do të donim. Ka më tepër vetëdije, fillojnë
nismat e para, por varet nga krerët, nga qeveritë qendrore. E megjithatë, ndryshimi
i vërtetë duhet të vijë nga shoqëria. Ditën, që qytetarët të thotë: “Mjaft më, e kemi
kuptuar se çështja e ambientit, e ndryshimit të klimës, e ndotjes së ajrit, nuk është
vetëm për natyrën, por po infektohen mushkëritë e mia, po kompromentohet qarkullimi
i gjakut tim, shëndeti im”, atë ditë ndryshimi do të jetë themelor, sepse vetë qytetarët
do të bëjnë presion mbi politikanët për përgjigje më të rëndësishme e përfundimtare.