2017-11-02 15:05:00

Papa: në Netuno, si gjest mohimi për çdo luftë


Sot pasdite, në orën 15.15 - siç e kujtoi dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot – Papa vizitoi varrezën amerikane të Netunos. Varrezë lufte, ku prehen eshtrat e ushtarëve amerikanë, të rënë gjatë fushatës italiane të Luftës II Botërore. E Papa, para asaj fushe rrëmaji të pafundme, mbjellë me kryqe, u ndalua e u lut për viktimat e të gjitha luftërave e të të gjitha shprehjeve të urrejtjes e të dhunës, që vijon të lërë pas gurë varresh nëpër rrugët e botës. Prej këndej, denoncimi i kotësisë të të gjitha luftërave dhe propozimi  për pajtim e paqe, parë nga Papa si rrugë kryesore për zgjidhjen e konflikteve. Këto ishin tre aspektet, që nënvizoi Françesku gjatë vizitës në Varrezën Amerikane të Netunos.

Lufta, asgjësim i vetvetes!

Mesha, kremtuar nga Papa në këtë varrezë, ku pikërisht për këtë kremtim qe ngritur edhe një altar, ishte gjest, që i kundërvihej çdo lloj lufte: “Kur  e shikojmë këtë varrezë - theksoi Ati i Shenjtë gjatë homelisë - themi: “Ndali, o Zot, kurrë më luftë!” Kur kujtojmë këtë masakër të panevojshme - siç e quajti Benedikti XVI – e mijëra e mijëra të rinj, shpresa të thyera, mund të themi sot, kur lutemi për të vdekurit, posaçërisht për këta djem, sot që lufta është ende në këmbë e bota përgatitet të hyjë thellë e më thellë në të: “Jo më, o Zot! Jo më!”.

E, më pas Papa kujtoi edhe fjalët e një plake nga Hiroshima, që pati humbur të vetët: “Njerëzit bëjnë gjithçka munden për ta deklaruar e për ta bërë luftën, duke asgjësuar, në fund, vetveten”. Kjo është lufta! Asgjësim i vetvetes. Mbjellje lotësh”. Kur bëjnë luftë, njerëzit janë të bindur se po bëjnë pranverë – ndërsa bëjnë një dimër tmerri e vdekjeje!”.

Vizita e Papës sot, në ditën e përkujtimit të të gjithë besimtarëve të vdekur, ishte, sidomos, gjest mëshire për të gjithë ata njerëz, emrat e të cilëve, shkruar vetëm mbi kryqe e gurë varresh, ndoshta tashmë kanë rënë në harresë, por që meritojnë plotësisht të kujtohen e t’i besohen  dashurisë së Atit qiellor. E ky ishte një gjest i ri i Papës, i cili flet vetë kundër luftës, kundër çdo lloj lufte, që mund t’i kundërvihet njeriut e njerëzimit.

Para asaj Fushe Kryqesh, poshtë të cilëve flenë qindra bij nënash, Françesku u ndal për t’u lutur pranë varrit të një luftëtari të panjohur, një italo-amerikani dhe një hebreu.  Duke i kujtuar, me këtë gjest, botës, se ashtu si ka ushtarë të panjohur, të cilëve u humbi deri emri fushave të huaja të betejave të kota, ka edhe luftëra të panjohura, por të vërteta, me të njëjtat pasoja e me të njëjtën pamje tragjike, që ka edhe sot, pas kaq vjetësh, kjo fushë rrëmaji, sado e mirëmbajtur. Ne jetojmë një luftë tjetër botërore – theksoi Papa - edhe pse  pjesë pjesë – përvojë kjo,  që e kujton vazhdimisht, për ta zgjuar njerëzimin nga dremitja, që çon gjithnjë në varreza. Të njohura e të panjohura.

“Mëshirë, lutje, denoncim”.

Në Netuno Papa u lut për dritën, për paqen, për jetën, duke kërkuar të marrë fund gara e armatimeve e të hiqet dorë nga konfliktet. Kërkoi edhe një herë që ndryshimet ekonomike të sheshohen në paqe, duke menduar rregulla financiare  e tregtare të përbashkëta, që krijojnë mundësinë për një zhvillim të gjithanshëm të të gjithëve. Prej këndej, tre aspektet e kësaj dite përkujtimore: “Mëshirë, lutje, denoncim”.

Dy fjalë për varrezën Amerikane

Nuk mund të mos kujtojmë se Varreza e sotme Amerikane u krijua nga American Battle Monuments Comission, në vitin 1956, në territorin e qytetit italian Nettuno (Sheshi Kenedy), për varrosjen e ushtarëve amerikanë të rënë gjatë fushatës italiane të Luftës II Botërore. Është pikërisht ajo zonë ku, që nga dita e zbarkimit të ushtarëve amerikanë në Anzio, u hapën gropat e para, ku u kallën edhe të rënët e parë.

Varreza zë një hapësirë prej 311.542 m2. Në hyrje është një ishull i vogël i gjelbër, stolisur me bimë të blerta e me selvi. Pas tij hapet para syve një parcelë vigane e mbjellë me 7.861  lapidarë të bardhë, që përkojnë me po aq jetë të shuara në lule të moshës, ardhur nga Amerika e largët, për të bërë këtu gjumin e mbramë. Ndërmjet burrave, ka edhe gra, që patën shërbyer në Kryqin e Kuq. Aty është edhe një Memorial, që përfshin një kapelë, një hajat me shtylla dhe një dhomë, ku mund të soditen hartat e betejave në Sicili, Salerno e vise të tjera të Italisë. Aty është edhe monumenti “Vëllezër në armë”, skulpturë-simbol i ushtarit dhe detarit amerikan, krah për krah, secili me njërën dorë mbi supet e tjetrit. Mbi muret e bardha të kapelës shkruhen emrat  e 3.094 të shuemëve.

Papa në Varrezën Ardeatine

Pas vizitës në Nettuno, rreth orës 17.00, Papa u ndalua edhe tek Varret Ardeatine, ku - siç kujtoi dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot - u lut për viktimat e masakrës së  24 marsit 1944, civilë e ushtarakë italianë, që humbën jetën gjatë raprezaljes së trupave gjermane të pushtimit pas atentatit të partizanëve në Rugën Rasella, më 23 mars  nga anëtarë romakë të GAP, në të cilin mbetën të vrarë 23 ushtarë të regjimentit “Bozen”  që i përkiste Ordnungspolizei të ushtrisë gjermane. Për numrin e viktimave dhe mizorinë me të cilën u krye, masakra e Varrezave Ardeatine u bë ngjarje - simbol e sjelljes së egër të trupave gjermane të pushtimit. Gropat ardeatine, që ndodhen pranë Rrugës Ardeatine, zgjedhur si vend për ekzekutimin dhe fshehjen e kufomave , pas lufte u shndërruan në monument përkujtimor kombëtar për Italianët. 

Dy etapa kujtimi, dy orë mësimi për njerëzimin

Ishin këto, dy etapat e kujtimit e të ngushëllimit nga ana e Papës, për viktimat e luftërave e të dhunës. Luftëra këto të djeshmet që, ashtu si edhe të sotmet, nuk prodhuan gjë tjetër, veç varrezash e vdekjes. “Prej këndej, kjo shenjë e Papës, në një kohë kur njerëzimi “duket se nuk e ka nxënë mësimin, e as që do ta mësojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.